Gol me fanellën e Francës që me prekjen e dytë të topit në ndeshjen me Shqipërinë. Xhonatan Ikone, sulmuesi anësor i Lilës, vetëm në ëndërr mund ta shikonte një debutim të tillë me kampionët e botës. Trajneri Deshamp e aktivizoi në 10 minutat e fundit, në vend të “Njeriut të ndeshjes”, sulmuesit Kingsli Koman, autor i dy golave ndaj kuqezinjve. Dhe 21-vjeçari me origjinë kongoleze nuk e humbi rastin, por menjëherë e impresionoi trajnerin e tij me një të majtë precize në golin e 4-t të Francës.
Ikone ka lindur më 2 maj 1998, në Bondi, një qytezë me rreth 50 mijë banorë. E njëjta qytezë ku ka lindur edhe “binjaku” i tij, Kilian Mbape, pak muaj më vonë. Të dy janë rritur në të njëjtën skuadër dhe janë stërvitur nga babai i Mbape. Një dyshe, që nëse nuk do të ishte dëmtuar lojtari i PSG-së, do të luante bashkë në “Stade de France” me fanellën e kombëtares. Ndeshja me Shqipërinë ishte e lehtë për t’u fituar në letër nga “gjelat”, por me atë goleadë ndoshta jo, pasi Grupi H është jo pak i komplikuar, me tre skuadra me nga 12 pikë, Francën, Turqinë dhe Islandën.
Mbrëmjen e së shtunës, pas fitores me Shqipërinë, Ikone ka marrë komplimentet e ish-shokut të skuadrës, Mbape, i cili shkoi në dhomat e zhveshjes dhe bëri edhe një foto me autorin e golit të katërt, për ta postuar pastaj në Instagram: “4-1. Një ditë speciale për vëllanë tim”, - shkruan Mbape. “Jemi argëtuar kur luanim bashkë te Bondi – tregon sulmuesi i Lilës, - por trajneri shpesh na ndante, sepse kur ishim bashkë ‘abuzonim’ ndaj kundërshtarëve”. Ikone ka luajtur edhe për PSG-në, ka debutuar me fanellën e saj më 28 shtator 2016 në Champions, kundër Ludogoretsit. Në korrik të 2018-ës kaloi te Lila, ku ka firmosur një kontratë 5-vjeçare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.