Rend dhe Ligj

I premtonte tendera biznesmenëve si zyrtar i lartë, arrestohet 39-vjeçari i dënuar më parë për mashtrim

Gazeta Si - Një 39-vjeçar është arrestuar në Tiranë, i cili përmes mashtrimit ka përvetësuar shumë të mëdha parash, pasi u premtonte tendera biznesmenëve të ndryshëm.

Në sajë të operacionit “The eye”, u arrestua Indrit Aliu (Kolleshi), banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Rezulton se i riu ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash duke mashtruar biznesmenë të ndryshëm. Ai prezantohej si zyrtar i lartë dhe në këmbim të shumave të mëdha monetare iu premtonte atyre tendera të ndryshëm.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme të cilat autori i dyshuar i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.

Ka qenë një biznesmen që ka bërë kallëzim në polici, pasi kishte kuptuar se ishte mashtruar nga 39-vjeçari, që çoi në pranga Aliun.

Indrit Aliu ka rreth 2 vite që ka dalë nga burgu, pasi u dënua në vitin 2011 me 10 vite heqje lirie për të njëjtën vepër penale, ndërsa këtë herë kishte vendosur ta bënte më “zyrtar” profesionin e tij, duke hapur edhe një zyrë ku joshte viktimat.

Indrit Aliu u arrestua në nëntor të vitit 2009 në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim pas dhjetëra kallëzimeve në emër të tij në Prokurorinë e Tiranës nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve në total Aliu u kishte “zhvatur” rreth 4 milion euro.

Pas 12 seancash gjyqësore, togat e zeza të Gjykatës së Tiranës i dhanë fund gjykimit të Aliut, duke e deklaruar atë fajtor për veprën penale të “mashtrimit me pasojë të rënda”.

Në vendimin e shpallur dje nga një treshe e kryesuar nga gjyqtari Albert Meça, gjykata pranoi kërkesën e bërë nga Prokuroria për dënimin e Aliut. Gjykata e dënoi Aliun me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të tij me kohë të shkurtuar, në masën përfundimtare ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë