Futboll

“I panjohuri” Halstenberg qetëson Gjermaninë me një perlë në Belfast

Vuajti shumë Gjermania në Belfast, në fushën e Irlandës së Veriut, por në fund ia doli të fitojë 0-2 dhe të marrë kreun e grupit, falë një të majte fantastike të Marsel Halstenberg, mbrojtësit të majtë të Lajpcigut, një lojtar “i panjohur” në kombëtaren gjermane. Pas goditjes që mori nga Holanda në Hamburg, Gjermania reagoi mirë, duke marrë një fitore thelbësore për kualifikimin në Euro 2020.

“Misioni” në Irlandën e Veriut u përmbush, por rruga mbetet ende e gjatë. Ndeshja me ekipin që kryesonte grupin u vendos në fillim të pjesës së dytë, kur Marsel Halstenberg gjuajti fluturimthi me të majtën dhe zhbllokoi rezultatin, ndërsa në minutën e 3-të shtesë dyfishoi me Gnabrin. Gjermania parakalon kështu Irlandën e Veriut, falë golaverazhit, pasi që të dyja skuadrat kanë nga 12 pikë. Holanda mban vendin e tretë, me 9 pikë, por ka një ndeshje më pak.

Marsel Halstenberg , autori i golit të parë për Gjermaninë në Irlandë. Gazeta Si, 10 shtator 2019

Trajneri Joakim Lëv kishte bërë disa ndryshime në Belfast, duke e rreshtuar skuadrën me 4 mbrojtës. Në sulm luajti treshja Gnabri-Verner-Rojs. Për vetë rëndësinë e ndeshjes, gjermanët u dukën të frikësuar dhe rrezikuan të pësonin gol që në fillim, kur Uashington doli i vetëm përballë Nojerit, i cili e shpëtoi portën me një refleks të jashtëzakonshëm. Afër gjysmës së pjesës së parë Gjermania mori kontrollin e lojës, duke iu afruar golit me Brandt dhe Verner. Sapo nisi pjesa e dytë, Gjermania kaloi në epërsi me Halstenberg, i cili çliroi skuadrën e tij dhe bëri trajnerin Lëv të marrë frymë lirisht. Verner pati shansin për të dyfishuar, ashtu si dhe Klosterman. Irlanda e Veriut pati një moment të mirë dhe Dallas mund të kishte barazuar, por gjuajtja e tij nuk ishte precize. Trajneri Lëv hodhi në fushë edhe Emre Çan, pasi donte ta mbronte rezultatin me çdo kusht. Irlandezët u çbilancuan në fund dhe Gjermania i goditi me Gnabrin, pas një pasimi të Havertz.

Pavarësisht kësaj fitoreje të rëndësishme, nuk po shihet më ajo Gjermani dominuese dhe e admirueshme që ishte deri në Botërorin e 2018-ës. Skuadra vuan në fushë dhe stafi teknik e ka të qartë se duhet të bëjë të tjera ndryshime për ta kthyer Gjermaninë tërheqëse si më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë