Drejtësia

“I ofroi 100 dollarë një shtetasi për vota”- SPAK çon në GJKKO kandidatin për deputet në zgjedhjet e 25 prillit

SPAK ka dërguar në gjykatë dosjen ndaj ish-kandidatit të LSI-së për deputet, Etion Joka, pasi akuzohet për korrupsion në zgjedhjet e 25 prillit.

SPAK thotë se Joka akuzohet se i ka ofruar një shumë prej 100 dollarësh Elis Babos në këmbim të sigurimit të votave. Në pranga ka rënë edhe vetë Elis Babo, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “korrupsioni pasiv në zgjedhje”.

Ndaj Jokës është ngritur akuza për korrupsion aktiv në zgjedhje, ndërkohë Babo do të akuzohet për korrupsion pasiv. Joka u arrestua në 16 tetor të këtij viti 6 muaj pasi ishte shpallur në kërkim nga policia.

Ai u filmua në një video duke premtuar para për blerjen e votave në Tiranë. Joka u shfaq me zë në një video të publikuar, teksa i jep 100 dollarë një qytetari që ishte angazhuar të mbledhë vota për LSI-në. Po ashtu, në të njëjtën video, Babo vijonte pazaret ku premtonte punësim për qytetarin pas zgjedhjeve.

Në një regjistrim tjetër, kandidati i LSI është filmuar teksa i mëson qytetarit që e filmon si të votojë, pasi i ka dhënë paratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë