Libra

I lini fëmijët të vijnë tek librat!

Suadela Balliu - “I lini fëmijët të vijnë tek unë, sepse e tyrja është mbretëria e Perëndisë”, thoshte Jezu Krishti kur pranë i sollën disa të vegjël…Ashtu dukej sikur i thërriste edhe mbretëria e librit, ndërsa dita e dytë e Panairit të Librit në Pallatin e Kongreseve u sundua nga lexuesit e vegjël, të cilët patën mundësi jo vetëm të gjenin libra të rinj stendë pas stende, por edhe të dëgjonin pjesë të lexuara nga autorë apo përkthyes që kanë shqipëruar letërsi të huaj për fëmijë. Në stendën e botimeve “Toena” të vegjlit patën mundësi të takoheshin me librin “Udhëtimet fantastike të Armirit” të shkrimtares Anila Kruta; një libër kushtuar fëmijëve të varfër shqiptarë që përballen me jetën e vështirë në familjet e tyre dhe detyrohen të bëjnë punë të rënda për të mbijetuar.

Armiri, një djalë 8-vjeçar, i lindur në një qytet minatorësh, diku në verilindje të Shqipërisë, që çapitej nga mëngjesi në të ngrysur bashkë me të ëmën, mbi gurët prej ari të atij qyteti. Mëngjeseve, teksa moshatarët e tij merrnin çantën e librave e niseshin për në shkollë, Armirit i duhej të merrte sendet e nevojshme për në punë…Çapitej i vogli Armir dhe mes çapitjes e zinte gjumi mbi një grumbull gurësh. Qepallat i mbylleshin lehtë dhe ngadalë futej në botën e ëndrrave.


Në një tjetër stendë, ajo e shtëpisë “Albas” fëmijët kishin hyrë në një tjetër bote ëndrrash; të Bëmave të Estes dhe Kokosë, disa prej të cilave ua lexoi vetë autorja, Natasha Poroçani. “Bëmat e Estes dhe Kokosë” sillet rreth tre fëmijëve të një familjeje të lumtur që jetojnë mes paqes, haresë dhe dashurisë, ditët e rritjes së tyre. Njëra pas tjetrës libri i njeh lexuesit me bëmat e bukura plot jetë e humor të Estes çamarroke, e cila e ka një përgjigje për çdo situatë në të cilën ndodhet.


Pas fragmenteve të lexuara,  autorja u drejtonte pyetje fëmijëve, ndërsa më të vëmendshmit ishin të ethshëm për t’u përgjigjur me hollësitë që mbajtën mend rreth ngjarjeve apo karakteristika të personazheve. Me të njëjtën vëmendje, fëmijë të tjerë, në të njëjtën kohë dëgjonin përkthyesin Erion Kristo, në qoshkun e shtëpisë botuese “Media Print”, i cili po u lexonte fëmijëve një fragment nga një prej librave të kolanës së letërsisë për fëmijë. Librat e zgjedhur nga kjo shtëpi botuese kanë në qendër luftimin e një fenomeni si bullizmi, përmes letërsisë artistike me tituj si “Dante Qullaci”, “Tit hutaqi”, “Këpucët jeshile që ngjallin zili”, që erdhën për herë të parë në Panairin e Librit.



Aventurat e Olgës prej letre, përuroheshin paraditen e së enjtes në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në stendën e Shtëpisë botuese “Dituria”.
Përkthyesja e dy librave “Olga prej letre. Një udhëtim i jashtëzakonshëm” dhe “Olga prej letre. Xhumi i zi”, Albana Nexhipi, përkthyese e dhjetëra titujve, thotë se për përkthimin e këtyre dy librave kësaj here e shtyu më shumë sesa instinkti i profesionistes, dashuria prej nëne për t’i dhuruar vogëlushes së saj 2-vjeçare dy libra në gjuhën shqipe.
Të dy librat rrëfejnë aventurat e Olga Papelit, një vogëlushe 11 –vjeçare, e cila jeton në Baliko, e që pas vdekjes së prindërve, përpiqet të vërë poshtë dhimbjen dhe mbushë boshllëkun, duke rrëfyer histori të ndryshme, në përpjekje për të gjetur, por edhe njëherazi për të dhënë një mesazh të vlefshëm për të gjithë bashkëmoshatarët e saj.


“Ia arrin qëllimit, sepse, teksa rrëfen aventurat e Olgës, një shëmbëlltyrë e saj, por prej letre, që dëshiron të ndryshojë e të bëhet prej mishi e kocke “si gjithë të tjerët”, jep një mesazh tejet të rëndësishëm për brezin e vet: atë të vlerësimit të jetës përkatëse, sepse fati që rrojmë, është identiteti ynë. Ai na bën unikë”, thotë përkthyesja, ndërsa është e pranishme për të firmosur librat për lexuesit e vegjël.

Është kollaj ta blesh një libër. Vështirë është të shpëtosh prej tij nëse është shqipëruar keq. E sidomos kur bëhet fjalë për librin për fëmijë, që mbi të gjitha edhe edukon”


Ky roman i parë, që pasurohet me imagjinatën tejet të pasur e të mençur të vogëlushes, i nxit fëmijët sa të argëtohen përmes aventurave dhe botës së cirkut, që vjen aq e pasur në libër, aq edhe të meditojnë mbi mesazhin që u jepet.
“Ndërkaq, vëllimi i dytë, që sapo ka dalë e të cilin sapo e promovuam, ka brenda mesazhit kryesor, edhe një sërë nënmesazhesh”, zbulon më tej Nexhipi. Rrëfimi organizohet përmes historive të shkurtra, që vogëlushja Olgë nuk ua rrëfen më fëmijëve tashmë, por të rriturve, të cilët në vazhdën e mundit për të përballuar jetën sekush me vështirësitë e veta, zhyten në harresë e trishtim, duke harruar të qeshin dhe gëzojnë për atë që kanë.
“Është Xhumi i Zi personazhi që ajo krijon, një qenie e përbërë prej territ të brendshëm në fakt, por që nxit të qeshurat e harenë, duke larguar trishtimin. Nuk po zbuloj më për Xhumi e Zi, që të mos u shuaj kuriozitetin fëmijëve”, thotë Nexhipi, ndërsa pohon se libri për fëmijë ka nisur të fitojë më shumë vëmendje.


“Si përkthyese e librave për fëmijë kohët e fundit, jam shumë e lumtur që libri për fëmijë po fiton pak nga pak vëmendjen e merituar. Gëlonte panairi nga fëmijët sot. Dhe të gjithë të interesuar për titujt e rinj, të qartë për librin që donin, çka më jep shpresë për një lexues të së ardhmes më të kultivuar, e si rrjedhojë edhe e një qytetari më përgjegjshëm.”Nexhipi thotë se në vështirësi duken prindërit ndërsa vihen përpara zgjedhjes së titujve për fëmijët e tyre. “Dhe në fakt nuk është e lehtë në këtë mori titujsh, me autorë të huaj e shqiptarë, apo përkthyesve të shumtë”, pranon përthyesja, ndërsa rendit disa nga gabimet më të shpeshta që prindërit bëjnë kur blenë letërsi për fëmijë. “Rasti kur njohin autorin dhe jo përkthyesin, mund t’ua çojë lekët e mundin dëm, se teksti mund të mos jetë i shqipëruar mirë. Rasti i kundërt po ashtu: do të kishin një shqipe të mirë, por ndoshta jo një tekst që u pëlqen.”Nexhipi i këshillon prindërit të mos e blenë librin pa e hapur më parë e pa shfletuar pak . “Do t’i këshilloja ta merrnin librin në dorë, ta shfletonin, të lexonin një faqe prej tij, për të kuptuar stilin e autorit, parë shqipen e përdorur; të lexonin pasqyrën e lëndës, parathënien ose pasthënien nëse ka; të lexonin komentet mbi të, kush i ka thënë, pastaj të vendosnin ta blinin. Se është kollaj ta blesh një libër. Vështirë është të shpëtosh prej tij nëse është shqipëruar keq. E sidomos kur bëhet fjalë për librin për fëmijë, që mbi të gjitha edhe edukon”, përfundon Nexhipi.

Fëmijë në stendën e Sh.B DITURIA me libra të aventurave të Mortinës. 

Në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve, shoqata e botuesve organizonte konferencën “Sfidat e leximit sot! Çfarë lexojnë të rinjtë në Shqipëri?”
Botues , shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve të kulturës dhe arsimit, mësues, punonjës të bibliotekave e përkthyes shkëmbyen mendime rreth promovimit të leximit dhe edukimit të lexuesve, fëmijë dhe të rinj. “Po të vësh re bibliotekat e shkollave përballesh me një situatë jo të gëzuar. Mendoj që është e domosdoshme që të bëhen ndryshime rrënjësore”, u shpreh kryetari i shoqatës së botuesve, Petrit Ymeri, ndërsa shtoi se nga një tur me një grup nga shoqata e botuesve, vitin e kaluar në disa qytete në jug të Shqipërisë, gjendja e bibliotekave të shkollës nëpër qytete dhe fshatra ishte ‘një trishtim i vërtetë.” Ai tha se ka nevojë për një lëvizje dhe një bashkëpunim shumë i mirë për të pasuruar bibliotekat. Në fund të fundit është detyrë e të gjithëve, por është detyrë e shtetit në radhë të parë që të ushtrojë një detyrim kushtetues për t’i dhënë kulturë rinisë, fëmijëve. Duhet të kemi ide të qarta, duhen buxhete, dhe duhet organizim, një bashkëpunim.”
E pranishme në këtë konferencë ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila preku pak shifrën e publikuar nga Instituti i Statistikave, me mbi një milionë shqiptarë që vitin e kaluar nuk kanë lexuar asnjë libër , tha se leximi duhet të jetë një instrument emancipimi i shoqërisë dhe një çeshtje që shoqëron të gjithë aktorët shtetërorë, publikë, privatë por edhe socialë.
Në një kohë kur diskutimi është i fokusuar tek mënyrat për t’i afruar të vegjlit drejt librave se ata do të jenë lexuesit e së ardhmes, kur ua dëgjon gumëzhimat entuziaste dhe vrullin me të cilin vizitojnë stendë pas stende, të vjen të evokosh atë varg biblik për të thënë “I lini fëmijët të vijnë tek libri”, sepse e tyre do të jetë bota…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë