Gazeta Si – Dy ditë pas vrasjes pas një konflikti në rrugë të dyshuar si banal, është përcjellë këtë të mërkurë për në banesën e fundit efektivi i policisë së forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia.
Në hollin e Teatrit Bylis në Fier, është vendosur arkivoli i efektivit të policisë, ku janë kryer homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe autoritetet për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Më pas 28-vjeçari u përcoll në banesën e fundit, në varrezat e fshatit Baltëz.
Efektivi i policisë Novruz Cenalia u vra mesditën e së hënës, pas një konflikti të çastit me 23-vjeçarin Azgan Mërnica, i cili pas kryerjes së kësaj vrasje është në arrati.
Prej dy ditësh forcat e policisë, forcat speciale RENEA kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete të jugut të vendit.
Mësohet se viktima kishte vetëm që muaj që ishte martuar dhe çifti ende priste urimet nga të afërmit.
Deri tani policia është përqendruar te pista e sherrit banal pas konfliktit të çastit, duke përgënjeshtruar hipotezat se vrasja mund të jetë kryer për motive hakmarrjeje, pasi si autori, ashtu edhe viktima janë me origjinë nga Hasi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.