Gazeta Si - Një 41-vjeçare nga fshati Vardardhë i Sukthit, Durrës, nënë e 4 fëmijëve, dyshohet se i ka dhënë fund jetës pas denigrimit në rrjetet sociale.
Sipas TCH, dyshohet se në emër të saj u hapën profile të rreme, kryesisht në rrjetin social TikTok, që denigronin figurën e saj si grua, me etiketime si e pamoralshme.
Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në një fshat të Sukthit, ku 41-vjeçarja ka humbur jetën në spital, pasi është dërguar me urgjencë nga familjarët.
E sulmuar në mënyrën më të shëmtuar, nëna e katër fëmijëve është vënë para një presioni tepër të madh shoqëror dhe më pas dhe në familje.
Pa mundur të kërkojë ndihmë, apo të gjejë shpëtim diku, ajo ka konsumuar një sasi fostoksine, për t’i dhënë fund tmerrit me të cilin po përballej publikisht në një komunitet të vogël.
Viktima ishte punonjëse në një fabrikë në zonën e Fllakës dhe dyshohet se ndonjë apo disa punonjëse të tjera në të njëjtën fabrikë kanë hapur profile denigruese në rrjetin social Tik-Tok, duke i krijuar një situatë të rënduar psikologjike që ka cenuar dhe marrëdhëniet e saj në familje.
Sipas burimeve, ajo dyshonte se adresa ishte hapur nga kolegët e saj në fasonerinë ku punonte në zonën e Fllakës dhe ishte e shqetësuar për këtë situatë. Ende nuk dihet nëse shkak për vetëhelmimin ka qenë bullizimi në TikTok apo ka pasur pasur probleme të tjera.
Nëna e 4 fëmijëve, 3 djemve dhe 1 vajze, përkatësisht 21 vjeç,18 vjeç,16 vjeç dhe 10 vjeç, punonte në një fabrikë fasonerie në zonën e Fllakës.
Bashkëshorti i saj bënte punë sezonale në Greqi, por për festa ishte pranë familjes. Sipas burimeve, para efektivëve ai ka thënë se nuk kishin konflikte në çift dhe se nuk e di shkakun e vetëhelmimit të gruas së tij.
Pas vetëvrasjes videot në TikTok janë fshirë, ndërsa pas publikimit të skandalit në media është hequr dhe fotoja e gruas e cila ishte në profilin e faqes së Tik Tok.
Burime nga Policia e Durrësit, bëjnë me dije se materialet në lidhje me veprën e dyshuar penale “shkaktim vetëvrasjeje”, do t’i kalojnë Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.