Rend dhe Ligj

I fundit i “Bajrajve”, kërkohej në Shkodër, kapet në Tiranë

Një 35-vjeçar u arrestua nga forcat e policisë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë si përvijim i operacionit të koduar me emrin “OAZ”, e që zanafillën e ka që në shtator të vitit të kaluar në qytetin e Shkodrës.

Policia njofton se 35-vjeçari me inicialet N.H., lindur e banues në Shkodër dhe i shpallur në kërkim që prej shtatorit u kap në një banesë të marrë me qira në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet gjatë një operacioni të zhvilluar mëngjesin e së shtunës.

Akuzat që rëndojnë ndaj këtij shtetasi janë ajo e “organizatës kriminale”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”, dhe manipulim të garave sportive me qëllim përfitimi pasuror.

11 persona u arrestuan në shtator të 2018 në operacionin “Oaz” të shtrirë në Tiranë, Shkodër dhe Holandë, por 35-vjeçari me inicialet N.H., nuk ishte mes tyre. Ai u shpall në kërkim së bashku me Enver Bajrin.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/268949630408431/

Aksioni në fjalë u zhvillua nga Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda pas sinjalizimit nga partnerët ndërkombëtarë dhe në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”. Aksioni goditi pjesëtarët grupit Bajri në Shkodër dhe mes të arrestuarve ishte edhe Safet Bajri, i njohur si i forti i Shkodrës.

TE ARRESTUARIT

Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Holandë
Samet Halluni, i arrestuar në Holandë
Ilir Rustemi, i arrestuar në Shkodër
Emrah Plaku, i arrestuar në Shkodër
Astmer Bilali, i arrestuar në Shkodër
Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër
Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë
Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër
Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër
Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë
Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë
Në kërkim u shpallën
Enver Bajri., 45 vjeç
N.H., 34 vjeç.

Hetimet

Veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda deri në goditjen e grupit kriminal “Bajri” kanë zgjatur mbi 6 muaj. Sipas policisë dhe Prokurorisë, ato u bazuan tek dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, u analizuan mijëra faqe të dhëna, si edhe u kryen veprime proaktive në terren, përmes kontrollit nga ajri me dron dhe vëzhgimit intensiv.

Oficerë të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve partnere dhe të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë.

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/346678459406839/

Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuar deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash.

Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër. Grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit. Operacioni policor për arrestimin e personave të mësipërm është zhvilluar njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam, Holandë dhe zgjati nga mesdita e së premtes dhe deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Ndërhyrja operacionale është koordinuar mes grupeve të posaçme hetimore, në të dy shtetet duke shkëmbyer informacion intensiv.

Gjithashtu u ngritën dhe operuan në 2 vendet, grupe të përbashkëta operacionale, të mbështetura nga forcat speciale të Policisë së Shtetit dhe atyre holandeze. Gjatë ditëve të operacionit për identifikimin dhe arrestimin e disa prej personave të mësipërm janë shkëmbyer me dhjetëra informacione, jo vetëm mes Policisë së këtyre 2 shteteve, por edhe autoriteteve ligj zbatuese që asistojnë Prokurorinë dhe Policinë, në Gjermani, Kroaci etj.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, tre prej anëtarëve të këtij grupi iu gjetën në trup 3 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa. Policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 3 automjete e një numër i konsiderueshëm celularësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë