Gazeta Si - Një nga 5 personat më të kërkuar në Shqipëri, Ibrahim Lici, i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër, është arrestuar në Turqi.
Pak kohë më parë autoritetet turke kanë kërkuar dosjen hetimore të Ibrahim Licit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, pas informacioneve që kanë marrë se fshihej në Turqi.
Pala shqiptare dhe ajo turke kanë shkëmbyer informacionet që kanë për të kërkuarin, përfshirë këtu dhe zonat ku dyshohej se mund të fshihej Ibrahim Lici.
"Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga 31-vjeçari Ibrahim Lici. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin Endri Mustafa", - njofton Interpoli shqiptar.
I vëllai: U vetëdorëzua në Turqi për të kërkuar azil
Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit deklaron nga Turqia se ky i fundit nuk është arrestuar nga policia, por është vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndjehet i sigurtë në Shqipëri.
Sipas deklaratës së Hamza Licit për mediat, ai ka thënë se nuk është e vërtetë se Ibrahim Lici është arrestuar, teksa ka shtuar se i vëllai i tij është i pafajshëm pasi ka pretenduar se ai nuk ka kryer asnjë vrasje.
Më tej, në deklaratën e tij, Hamza Lici, ka thënë se i vëllai i tij, Ibrahim Lici do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi teksa ka shtuar se nuk mund të ekstradohet pasi ka thënë se jeta e tij rrezikohet me pretendimin se shteti bashkëpunon me bandat kriminale.
Akuzat
I biri i drejtuesit të fisit Lici, Ibrahimi, akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2021, në lagjen Guerrile, Shkodër.
Ai akuzohet edhe për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilalin, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2019 në lagjen “Kiras”.
Arsen Stojku dhe Mislim Rama janë arrestuar si bashkëpunëtorët e Ibrahim Licit, ndërsa ai vetë është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Astrit Bilali është babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.
Ndërkohë, i ati i Licit, nëpërmjet disa daljeve mediatike vite më parë, ka mohuar përfshirjen e të birit në vrasjen e Endri Mustafës.
Endri Mustafa 32 vjeç u gjet i vrarë më 17 maj 2021 në zonën e livadheve në Shkodër. 32-vjeçari kishte dalë nga shtëpia mbrëmjen e 15 majit 2021 pas një mesazhi në celular.
Dyshohet se ai ishte nxjerrë në pritë. Dy ditë më vonë, policia gjeti trupin e pajetë të 32-vjeçarit rreth 1.9 kilometra larg shtëpisë, në zonën e quajtur livadhet.
Adoleshenti Ergys Malja është dënuar me 10 vite burgim si personi që nxorri në pritë 32-vjeçarin Endri Mustafa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.