Rend dhe Ligj

I dënuari me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë izolohet në regjimin ‘41 Bis’

Gazeta Si - Një tjetër i burgosur izolohet në regjimin e ashpër të izolimit në qeli, “41-bis” në Shqipëri. Bëhet fjalë për Sokol Mjaçajn, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në korrik 2015 në zonën e Dukagjinit, në Shkodër.

Lajmin e ka njoftuar vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili thotë se Mjacaj ka cenuar sigurinë e institucionit, por pa dhënë më shumë detaje.

"Asnjë tolerancë! Do të zbatoj me rigorizitet ligjin. Mesazhi im është i prerë: Të dënuarit që cenojnë sigurinë e institucionit apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal do të përballen me pasojat, menjëherë në regjimin e posaçëm 41/b, pavarësisht emrit apo veprës për të cilën janë dënuar!" - tha Manja.

Sokol Mjacaj është dënuar për vrasjen e dy turistëve çekë, në korrik të vitit 2015 në segmentin Dukagjin-Shkodër në zonën e Prekalit.

Ai u arrestua pak ditë pas krimit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për “vjedhje me pasojë vdekjen” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Ai ka mohuar se ka pasur qëllim që t’i vriste turistët, por vetëm t’i grabiste për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën ndodhej.

Pak ditë më parë, u izolua në regjimin 41 bis edhe Ilir Kupa, i “Bandës së Babagjyshëve”. Regjimi "41-bis" është qëndrimi prej një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë të televizorit në dhomë.

Aktualisht në regjimin “41 Biss” janë Ilir Kupa, Viktor Ymeri, Aleksandër Llanaj, Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri, Klemend Çala, Eldi Çala dhe Redjan Rraja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë