Kosova

I arrestuari i tretë për vrasjen e Liridona Murselit pjesëtar i FSK, konfiskohen një pistoletë dhe veturë

Nga Gazeta Si- Policia e Kosovës ka konfirmuar se deri më tani janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e 33-vjeçares, Liridona Murseli 3 ditë më parë.

Mediat kosovare shkruajnë se i dyshuari i tretë i arrestuar është pjesëtar i FSK-së dhe i afërm i Naim Murselit, Kushtrim Kokalla.

Kushtrim Kokalla pretendohet se është person i afërt e familjar (nip) i Naim Murselit, burrit të Liridona Murselit i cili ka pranuar se ka paguar për vrasjen e gruas së tij.

Lidhur me këtë ka reaguar vëllai i tij, Kanoni. Në një prononcim për Indeksonline, Kanon Kokolla ka thënë se ndjehet i shokuar nga zhvillimet e fundit, duke thënë se vëllai i tij është i pafajshëm.

“Jemi të shokuar! Por një gjë ta garantoj, se vëllai im në natën kritike ka qenë në shtëpi. Tjetër gjë nuk di”, tha Kokolla.

Ai nuk beson se vëllai i tij ka qenë pjesë e komplotit.

“Nuk besoj! Ai ka qenë shumë i lidhur me të (Liridonën). Se ne jemi shumë të lidhur familjarisht. Ne jemi rritë bashkë me Liridonën!” ka thënë ai.

Duke përshkruar gjendjen e familjeve, ai thotë se të gjithë janë të shokuar.

“Tri familje jemi ekstrem keq. Të shokuar. Si familjarët e Liridonës, si prindërit e Naimit, si ne, komplet jemi të shokuar. Po n’a duket si ëndërr e s’po mundemi me besu. Përpos nëse çmendesh, se nuk ka kurrfarë arsye një njëri me e bë atë send” ka thënë Kanon Kokolla.

Policia gjitashtu ka bërë të ditur se lidhur me rastin, janë konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që dyshohet se janë përdorur në këtë rast, sipas Zeri.info.

“Lidhur me rastin, janë identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë. Është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur për këtë rast. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë në paraburgim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas arrestimeve, vëllai i Liridonës, Liridon Ademaj ka thënë se do të zhvarrosin trupin e familjares së tyre, e cila dje u varros në varrezat e familjes Murseli.

“S’ka pas problem, asnjëherë. Motra jonë ishte e ndershme. Po është e vërtetë do zhvarrosim trupin e saj nga atje me dashje ose pa dashje”, ka deklaruar Ademaj për Insajderin.

Ai tha se i kanë dhënë dy ditë ditë besë familjes Murseli.

“I kemi dhënë dy ditë kohë, edhe shumë e kanë”, ka deklaruar ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë