Ngjarje

I akuzuar si pjesë e skandalit të mikrokredive, vetëvritet 45-vjeçari Olsi Ibro

Nga Gazeta ‘Si’- Njëri prej të akuzuarve me skandalin e mikrokredive, Olsi Ibro është vetëvrarë këtë të shtunë.

Ibro raportohet se është hedhur ditën e sotme nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku”.

Sipas policisë 45-vjeçari raportohet se ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e dëmtimeve të marra. Ndërkohë, bashkeshortja e tij, Elsa Ibro është me masë arrest në shtëpi.

Kjo ngjarje ndodh një ditë pas sekuestrimit të dy shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final”.

Olsi Ibro ka qenë drejtues i studios ligjore ADCA, e cila ka qenë gjithashtu pjesë e skemës së mashtrimit, dhe dorëzimit të pronave të qytetarëve kredimarrës në dorë të përmbaruesve privatë. Ndërsa bashkëshortja e tij, Elda Ibro ishte administratore e Micro Credit Albania.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, ka rezultuar se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, duke pasur që në fillim të ushtrimit të aktivitetit të  tyre (aktivitetit të  blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija) mendimin unik kriminal, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.

Shoqëritë dhe personat nën hetim  në mënyrë abuzive kanë përdorur të  dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj);

Prokuroria tha se përmes presionit psikologjik dhe përndjekjes qytetarët u detyruan të merrnin kredi të dyta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë