Kombetarja

Hysaj: Tre pikët i duam për Shqipërinë, jo për trajnerin

Në prag të ndeshjes së dytë eliminatore për kampionatin europian 2020 me Andorrën, para medieve kanë dalë trajneri provizor Ervin Bulku dhe kapiteni kuqezi, Elseid Hysaj. Mbrojtësi shkodran në fjalën e tij për mediet e Andorrës dhe ato shqiptare ka thënë se do të kërkojnë tre pikët me çdo kusht nga kjo përballje. Për Hysajn kur luhet për kombëtaren tre pikët kërkohen gjithmonë për vendin dhe jo për trajnerin, duke tentuar të largojë presionin pas shkarkimit të Kristian Panuçit. Mbrojtësi kuqezi theksoi se kjo përballje me Andorrën ka për të qenë shumë e vështirë, por se ekipi kuqezi ka një objektiv të vetëm për të marrë fitoren.

“Besoj që nuk duhet te mendojmë fort punën e trajnerit se kemi ndeshje të rëndësishme dhe jemi të gjithë te kjo ndeshje, që duhet të fitojmë se s’bën, për moralin tonë e të Shqipërisë. Na duhen tri pikët për Europianin, duhet të mendojmë për ndeshjen e jo për trajnerin e çfarë ka ndodhur ditën e djeshme. Me njohjen që kam me djemtë e di si do e përjetojmë, jemi të gjithë me vëmendjen që duhet të fitojmë medoemos, e dimë që është vështirë, edhe Islanda e kishte të vështirë të shënonte këtu, por të mos mendojmë për çfarë ndodhi, se ndryshe nuk do fitojmë, jemi të përqendruar për të fituar ndeshjen këtu.”

Më tej duke folur për situatën në dhomat e zhveshjes, Hysaj tha se ajo është e qetë dhe morali është pozitiv mes të gjithë lojtarëve. “Situata në dhomat e zhveshjes, besoj se është shumë e mirë se një ndeshje që humbëm nuk do të na dënojë për të gjitha ndeshjet e radhës që kemi dhe meqë nesër kemi ndeshje të rëndësishme është e mira të harrojmë çfarë ka ndodhur. Djemtë janë në formë të mirë, moralisht e kemi marrë veten nga humbja me Turqinë dhe jemi gati të shkojmë në fushë për sfidën me Andorrën.”

Në fund mbrojtësi i Napolit ka folur edhe për mosbesimin që Panuçi shfaqi se ky grup mund të arrinte finalet e kampionatit europian. “Nuk e di nga i buronte mosbesimi por çdo trajner ka mendimet e veta për lojtarët që ka dhe bën punën e vet. Unë për veten time besoj te kjo kombëtare dhe lojtarët. I shoh vetë të gjithë dhe këdo të pyesësh a do kualifikohet do të përgjigjet që do kualifikohemi. Unë besoj se do bëjmë gjë spektakolare.”-u shpreh kapiteni Elseid Hysaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë