Kombetarja

Hysaj te Interi, vjen oferta e parë zyrtare për mbrojtësin shkodran

Elseid Hysaj edhe këtë verë është në qendër të vëmendjes së medieve italiane për një largim të mundshëm. Këtë herë sipas 'fcinter1908.it' ka ardhur dhe oferta e parë zyrtare për futbollistin shqiptar pikërisht nga Interi.

U përfol janarin e shkuar se Inter kishte shprehur interesim për Hysaj, por tashmë kjo dëshirë e drejtuesve zikaltër është bërë konkrete. Gjithmonë duke iu qëndruar raportimeve të medieve italiane, në adresë të Hysajt ka mbërritur një ofertë në shifrën e 25 milionë eurove. Oferta i është paraqitur agjentit Xhufredi dhe presidentit të Napolit, De Laurentis nga drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio.

Oferta fillimisht vlerësohet shumë e ultë në krahasim me klauzolën prej 50 milionë eurosh të mbrojtësit shqiptar. Napoli më herët ka pranuar të ulet në tryezë për oferta që fillojnë në shifrën e 40 milionë eurove. Nga ana tjetër për vetë Hysajn, Inter ofron një rritje të ndjeshme të pagës. Nga 1.6 milionë euro që merr aktual te Napoli, për shkodranin vjen një propozim prej 2.4 milionësh.

Mbetet për t’u parë se si do të shkojë fati i kësaj oferte dhe nëse Hysaj do të lëviz nga Napoli, duke parë që sezonin e fundit nuk ka qenë titullar fiks në skemat e Ancelotit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë