Kombetarja

Hysaj: Humbja me Anglinë s’na bën përshtypje, ftesa në Kombëtare privilegj

Në prag të sfidës së Shqipërisë ndaj San Marinos, e cila do të luhet ditën e nesërme, Elseid Hysaj, në konferencën për shtyp thekson se tashmë duhet që të vlerësojnë në maksimum sfidën e radhës për të marrë 3 pikët.

HUMBJA ME ANGLINË- Humbëm me Anglinë, nuk na bëri shumë përshtypje. E dinim që ishte ndeshje e vështirë. Nëse bënim mrekulli do ishte shumë mirë. Kemi menduar për Andorrën dhe San Marinon si ndeshjet më të rëndësishme, kurse për Anglinë të gjithë ëndërronin të luanin dhe rezultati nuk dihej.

Me Anglinë kemi krijuar diçka që nëse do të ishim më të përqendruar apo me fat mund që të bënim diçka më shumë, jemi munduar të bëjmë maksimumin por Anglia është Anglia, dihet.

SAN MARINO- Me Andorrën dhe San Marinon nuk duhen lënë pikë, duhet të bëjmë maksimumin me çdo ekip. Me Anglinë kishim rastet tona, por nuk i shfrytëzuam. Me dy ekipet më lart duhet të shënojmë dhe të vazhdojmë të konkurrojmë për kualifikimin. Duhet vlerësuar maksimalisht kjo ndeshje.

Me San Marinon duam tre pikët, jemi skuadër e fortë. Marrja e pikëve është shumë e rëndësishme. Është një grup ku mund ta luajmë kundër të gjithëve. Jemi mirë fizikisht dhe psikologjikisht, jemi mësuar të luajmë kaq shpesh.

MODULI- Unë do jem gjithmonë i njëjti lojtar. Është një modul, që trajneri e përdor. Mund të jetë më shumë sulmues sesa mbrojtës. Nëse luaj aty, mund të bëj shumë mirë dhe shpresoj t’ia dalim.

Ndihem mirë për këtë ndeshje. Është bukur të jesh kapiten, por që në momentin që merr ftesën, e quan veten kapiten, pasi Kombëtarja është diçka e rëndësishme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë