Kombetarja

Hysaj dhe Gjimshiti, elozhe për Shqipërinë: Më të bashkuar se kurrë dhe me kualitet!

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama kishte ftuar në Podkastit e radhës ‘FLASIM’ disa nga lojtarët e Kombëtares, duke filluar nga kapiteni Berat Gjimshiti, për të vazhduar me Elseid Hysajn, Myrto Uzunin, Frederik Veselin dhe Mario Mitajn.

Më shumë kanë folur Hysaj dhe Gjimshiti, dy nga titullarët me më shumë eksperiencë të Kombëtares shqiptare, duke vlerësuar së pari vendin e parë në kualifikueset e Euro 2024.

“Kemi thyer rekorde këtë herë. S’e kemi pritur as ne që do arrinim në një grup si ky, në vend të parë. Kemi treguar që kemi më shumë forcë për të bërë më shumë, kështu që duhet të jemi të kënaqur e të vetëdijshëm se mund të arrijmë edhe më shumë.

Nëse një skuadër fiton, merr vetëbesim, merr siguri dhe kjo besoj ka qenë një ndër pikat më të forta që kemi në Kombëtare. Edhe ardhja e trajnerit të ri është me shumë pozitivitet, të jep siguri në vetvete, të bën të besosh që ti je lojtar i fortë dhe mund të bësh më shumë. Pas Polonisë atje të gjithë po flisnim me njëri-tjetrin që vërtet mund t’ia dalim, sepse e pamë që dimë të luajmë, kemi kualitet”, - tha Hysaj më të tjerash.

Gjimshiti ka kujtuar edhe një herë momentin kur mbeti jashtë Euro 2026: “Ishte një moment që luaja në Zvicër, isha i ri, 22 vjeç. Isha te Zyrihu dhe më pas shkova tek Atalanta në Itali. Erdha në Kombëtare për grumbullimin para Europianit dhe vendosi trajneri De Biasi atëherë, që nuk isha në formë dhe nuk më merrte. Pranova, puna vazhdon, ecën përpara”.

Pastaj kapiteni ka treguar çfarë e bën të veçantë skuadrën aktuale dhe cilin ekip të madh preferon në grupet e Euro 2024: “Tashmë 9 vite që jam këtu nuk kam parë një grup që rri kaq shumë bashkë, që ndjehen mirë me njëri-tjetrin. Më parë ka pasur grupe, kemi qenë grup, por nuk ka qenë kaq e afërt.

Ka ardhur tani brezi i ri. Pra, janë lojtarë më të rinj tani. Të them të drejtën, nuk e kam menduar kush mund të na bjerë në grup. Ndoshta të them Gjermania, vetëm t’i tregojmë Gjermanisë që kemi më shumë tifozë se ata. Të bëjmë më shumë zhurmë sesa ata që janë shtëpi”.

Myrto Uzuni, i ngacmuar nga kryeministri Rama, u shpreh se golat i ka ruajtur për në Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë