Treg

“Huti qëndron mbi kokën e fermerit”, kultivuesit e duhanit të pambrojtur nga manipulatorët: Na e blejnë prodhimin me “t’i kam”

Deputeti i Partisë Demokratike, Zef Hila thirri në një interpelancë ministren e Bujqësisë, Frida Krifca për të ngritur shqetësimet e kultivuesve të duhanit në zonën e Shkodrës. Hila tha se ata janë të pambrojtur nga legjislacioni, të pavlerësuar dhe nuk e kanë të sigurt shitjen e produktit të tyre.

Në kthimin e përgjigjeve ndaj deputetit, ministrja Krifca bëri një tjetër panoramë. Ajo tha se kultivuesit e duhanit nuk kanë pretendime në lidhje me çmimin dhe se futja në këtë treg e tre kompanive të grumbullimit ka rritur konkurrencën dhe çmimin e këtij produkti.

Ministrja nënkuptoi se kultivuesit e duhanit në zonën e Shkodrës kanë refuzuar të nënshkruajnë kontrata shitëse me kompanitë, duke mos ndjekur udhëzimet e ligjit, ndërsa për pjesën tjetër të kultivuesve, kryesisht në zonën e Dumresë dhe në atë të Fierit foli për një panoramë ‘më shumë rozë’.

Por, si është e vërteta? Gazeta Si bisedoi me kreun e Shoqatës së Fermerëve të Duhanit “Dumrea”, Petrit Paja. Paja thotë se në dy vitet e fundit rritja e konkurrencës ka rritur edhe çmimin e blerjes së duhanit.

“Çmimi tani varion nga 4 deri në 6 mijë lekë të vjetra për kilogram sipas varietetit të duhanit të mbjellë”, thotë ai.

Problem, sipas Petrit Pajës më shumë se sa çmimi dhe konkurrenca, të paktën në zonën e Dumresë është humbja e besimit të fermerëve, që ndjehen të pambrojtur nga shtetit. Ai thotë se ligji nuk ka parashikuar asnjë garanci në mes se kultivuesit do të marrin hakun e punës së tyre.

“Huti është sipër kokës te fermerët, te prodhuesi i duhanit. Unë të dorëzoj mallin ty dhe marr mbrapsht një copë letër ku më thua që do të më japësh lekët në krye të muajit, 10 ditëve ose….ka shumë marifete, kur nuk ka garanci ligjore”, deklaron ai.

Si garantor, kreu i shoqatës ‘Dumrea’ kërkon që të futet shteti.

“Nuk ka një ndërmjetës, një garantues që të garantojë që nëse nuk i japin këta (kompanitë) jam unë që të jap lekët dhe të jetë shteti në këtë mes”, shpjegon Paja.

Problematike tjetër që ngre ai është humbja e besimit të fermerëve, që në zonën e Dumresë nuk kanë marrë ende paratë e kultivimit të duhanit në 2015-2016, pasi kompania “Mika Korça”, që kishte monopolin në këtë treg shpalli falimentin. Shifra që mbi 1100 fermerë kanë ngelur pa marrë përllogaritet në rreth 1 mln euro.

“Sot ja vlen të kultivosh duhanin, por njerëzit e lanë. Tani ata (kompanitë) u lëshuan për ta ripërtërirë dhe ka vajtur puna me të lutur te fermeri për të mbjellë”, thotë Petrit Paja.

Ai paralajmëron se e njëjta skemë, ku kompania grumbulluese u merr duhanin fermerëve dhe më pas shpall falimentin pa paguar mundin e djersën e tyre mund të përsëritet dhe përballë kësaj fermeri mbetet i pambrojtur.

“Mund të përsëritet skema që bëri Nika. Duke njohur kompanitë që janë sot, menjëherë sapo e mbylli kjo kompania greke Nika Korça. Sapo iku Nika, qeveria solli një tjetër po greke me emrin Seke”, shton Paja.

Në lidhje me kultivimin e duhanit në Kuvend qëndron prej muajsh një projektligj i hartuar nga Ministria e Bujqësisë që në kohën kur kjo e fundit drejtohej nga Bledi Çuçi. Projektligji është kundërshtuar nga fermerët e duhanit pikërisht sepse nuk ofron mbrojtje për kultivuesit.

“Drafti final nuk eliminon e zgjidh përfundimisht problematikat tepër të debatueshme midis prodhuesit e grumbulluesit që kanë sjellë skema përleshjesh, anomali, protesta përpara pikave të grumbulluesve dhe në fund vjedhje e mosdhënie parash për djerësn 1-vjeçare të fermerëve”, thotë Paja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë