Futboll

Humbja me Torinon, Gatuzo në ‘fije të perit’

Humbja me Torinon mbrëmjen e shkuar ishte një shuplakë shumë e fortë për Milanin. Kuqëzinjtë tashmë janë në vendin e gjashtë në kampionat dhe Liga e Kampionëve duket shumë larg. I pari që pritet ta pësojë për këtë dështim do të jetë trajneri, Xhenaro Gatuzo. Tekniku 42-vjeçar e nisi mirë këtë sezon dhe deri në muajin mars, Milani i tij po ecte shumë mirë, duke kapur për një moment edhe vendin e tretë. Por ajo humbje në derbi me Interin, sikur “ktheu pllakën” për Milanin, i cili që nga ai moment ka fituar vetëm një ndeshje dhe duke u mposhtur 4 herë dhe në një ndeshje ka dalë barazim.

Te klubi kuqezi janë duke analizuar situatën me qetësi dhe do të marrin vendimet e duhura me shumë siguri në fund të këtij sezoni. Shumë nga vendimet sa i përket merkatos dhe organizimit të klubit do të ndikohen edhe nga kapja ose jo e vendit të katërt këtë sezon. Presidenti i Milanit, Skaroni ka thënë mbrëmë pas ndeshjes me Torinon se janë Leonardo dhe Maldini ata që marrin vendimet në planin teknik për klubin dhe kështu do iu takojë këtyre dyve që të vendosin për trajnerin në sezonin e ardhshëm dhe lojtarët që duhen, sigurisht brenda limiteve financiare.

Sipas asaj që shkruajnë mediet italiane mëngjesin e kësaj të hëne, Gatuzo është shumë pranë shkarkimit nga drejtimi Milanit. Edhe pse besohet se për momentin ka marrë votëbesim dhe mund ta mbyllë këtë sezonin në drejtimin e Milanit, Gatuzo me shumë shanse do të lërë drejtimin e “djallit” në muajin qershor. Shansi që po i jepet Gatuzos ka të bëjë me kapjen ose jo të zonës Champions, pasi edhe trajnerët prestigjiozë mund të afroheshin më lehtë. Por ka edhe një variant tjetër, që nëse Milan nuk reagon në dy ndeshjet e radhës, kampionati mund të mbyllet me një trajner të përkohshëm brenda familjes. Prezenca e Antonio Kontes në stadium në ndeshjen Torino-Milanin ka një domethënie të madhe, pasi ai ka disa javë që përflitet se mund të marrë drejtimin e klubit kuqezi. Konte në fakt është në orbitën e disa ekipeve, ku në Itali e kërkojnë edhe Interi dhe Roma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë