Futboll

Humbja me Tiranën nuk përtypet, Vllaznia largon trajnerin Tomas Bërdariç

Gazeta Si - Me një njoftim shumë të thatë zyrtar Vllaznia ka bërë të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Tomas Bërdariç. Ikja e gjermanit në fakt u paralajmërua që pas humbjes me Tiranën, kur presidenti Alban Xhaferi u shpreh se askush nuk është i paprekshëm. Drejtimi i skuadrës do t’i besohet Elvis Plorit, ndihmësit të Bërdariç.

“Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies me trajnerin Tomas Brdariç. Në vazhdimësi ekipi do të drejtohet nga trajneri Elvis Plori. Me këtë rast, falenderojmë trajnerin Brdariç për të gjithë kontributin e dhënë dhe i urojmë suksese ne karrierën e tij”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit shkodran.

Vllaznia falenderon trajnerin Berdariç. Gazeta Si, 14 mars 2022

Ndarja me trajnerin Bërdariç, i ardhur në Shkodër që sezonin e kaluar, vjen në një moment kyç të sezonit. Vllaznia mban vendin e katërt në kampionat, larg pritshmërive, edhe pse shanset për në Europë janë reale.

Bërdariç ka lënë përshtypje të mira sidomos sezonin e kaluar, kur Vllaznia e tij luante një futboll argëtues. Këtë sezon skuadra shkodrane ka pasur shumë oshilacione dhe tashmë ka ardhur largimi i trajnerit. Më shumë duket një krisje mes palëve, sepse Vllaznia ka mundësi ta realizojë objektivin, kur janë luajtur 25 javë kampionati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë