Futboll

Humbja e Lacios në Europa League, Tare e ka me tifozët

Ata që e braktisën “Olimpico-n” nuk meritonin një rezultat tjetër. Kjo është pak a shumë përmbledhja e fjalës dhe shpërthimit të fortë të drejtorit të Lacios, Igli Tare pas ndeshjes së të enjtes mbrëma në Europa League, ku bardhekaltrit u mposhtën 0-1 nga Sevilja. Për të edhe para fillimit, ajo sfidë ishte humbur "Mendova se pashë diçka shumë të keqe kundër Eintraht Frankfurt, kur ishim në pakicë tifozësh edhe në shtëpi në tribunat e ‘Olimpico-s’. Por kësaj here ishte edhe më keq. Tifozët janë thelbësorë për ne. Kjo skuadër meriton një prani më të madhe të tyre në shkallët e stadiumit. Unë dua të falënderoj ata që ishin, por unë do të kisha pritur që një klub si i yni që kemi rezultate të mira në vitet e fundit, të mund të kishte edhe lojtarin e dymbëdhjetë kur luan në fushën e tij,”- tha Tare.

Për herë të disatë drejtori shqiptar i Lacios, Igli Tare theksoi shqetësimin e dukshëm për mungesën tifozëve lacial në “Olimpico” që përballë Seviljas nuk ishin më shumë se 22 mijë. Mungesa e tifozëve, ishte një faktor që ndoshta u ndje edhe gjatë nëntëdhjetë minutave, kur Lazio jo vetëm që humbi përballë spanjollëve, por në shumë pak raste u paraqit rrezikshëm në portën kundërshtare. Edhe pse mungonin dy lojtarët kryesorë, Çiro Imobile dhe Milinkoviç Saviç sërish Lacio do duhej të tregonte diça më shumë në këtë ndeshje të parë të 1/16-ve shkruajnë mediet italiane.

Por problemin e numrit të ultë të tifozëve në shkallët e stadiumit nuk ka vënë në dukje vetëm drejtori Tare, por edhe njëri prej lojtarëve më me shumë peshë këtë sezon. Korrea tha se çdo lojtarë kërkon që kur të jetë në stadiumin e tij të ketë sa më shumë mbështetje. Sipas tij fakti që stadiumi buçoi në momentin e shënimit të golit nga Sevilja është një fakt domethënës.

"Reagimi pas golit të tyre ishte diçka me shije të keqe, por fatkeqësisht ndodhi. Ne patëm disa shanse, si imi kur nuk mund të godisja portën, ose edhe rasti i Lukas Leiva vetëm pak minuta më pas. Ata kanë më shumë cilësi në e dinim këtë gjë. Dhe momenti që arritën të shënonin për ne gjithçka u bë më e vështirë, pasi edhe mbështetja nga publiku nuk ishte në lartësinë e duhur,"- tha futbollisti argjentinas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë