Lajme

Humb jetën nga Covid-19 skulptori i njohur, Arben Bajo

Skulptori i njohur, Arben Bajo nuk e ka fituar betejën me COVID-19, viktima e parë nga radhët e artistëve.

Pasi ditën e djeshme u apelua për gjak A negativ nga kolegët artistë dhe studentët e tij, bëhet me dije se skulptori ka ndërruar jetë. Dje në media u tha se ai ishte në gjendje të rëndë i intubuar.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë konfirmuar miqtë e tij në rrjetin social “Facebook”.

“Mëngjes i trishtë! Duararti Arben Bajo nuk ia doli dot, fitoi Covid-19! Paqe e përjetshme për ty mjeshtër!”, shkruan Arbër Kadia.

https://www.facebook.com/arber.kadia/posts/10102354174015132

Bajo prej ditësh ishte duke “luftuar” me virusin e rrezikshëm, por ditët e fundit gjendja e tij u bë shumë kritike.

Për ndarjen nga jeta të skulptorit Bajo ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Rama e konsideron një humbje të madhe ndarjen nga jeta të skulptorit Arben Bajo.

“Ben Bajo nuk do t’i hapë më sytë e as sytë e admiruesve të skulpturës, nuk do të shohin më krijesa të duarve të tij! Ai nuk ia doli dot t’i mbijetojë virusit vdekjeprurës, që vazhdon të marrë jetë njerëzish nga kjo botë, duke sfiduar përparimin marramendës të shkencës e të mjekësisë, me kërcënimin e përsëritjes së kasaphanës së vitit 1918, kur Gripi Spanjoll gllabëroi dhjetëra miliona njerëz.

Beni ishte ende shumë i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm drejt njehsimit me vetë artistin, çka vetvetishëm reflektonte akoma influencën e disa mjeshtrave të mëdhenj, në ndërkohën që shembëlltyrat e bronxta po merrnin dora-dorës hijen e pangatërrueshme të individualitetit të skulptorit të talentuar.

Një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot një prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar”, shkruan kryeministri Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10158044640021523

Një tjetër reagim vjen edhe nga vlonjati Ilir Metaj.

“Ben Bajo iku. Zemra e kujt e njohu u copëtua. Po kaq. Nuk e ndihmuam dot te fitonte. E lame pa përpjekje ne krahët e vdekjes. Ben Bajo na la”, shkruan ai.

Ndër të tjera, ai shprehet se “ai skulptor nuk është me dhe kjo e bën Shqipërinë tonë akoma më të varfër.

Turp për këtë vend, që melhemet i përdor për të shëruar dallkauket që mbijnë për 24 orë 140 copë përnjëherë”.

53-vjeçari Arben Bajo ishte skulptor shqiptar dhe pedagog tek Universiteti i Arteve.

Bajo lindi në Gjirokastër në vitin 1967, fillimisht kreu liceun në Fier e më pas studioi për skulpturë në Akademinë e Arteve. Në periudhën 1988-1992, me një pasion të veçantë për trupin e njeriut ai bashkëpunoi me shumë kolegë dhe profesorë në punime kryesisht portrete, por më pas iu përkushtua tërësisht punës vetjake teksa u bë dhe profesor në akademi.

Në vitin 2011 mbajti një ekspozitë në Akademinë e Arteve ku audienca mundi të kishte të përmbledhur krejt punën e tij ndër kohë. Bajo pati hapur 7 ekspozita vetjake.

Ai ishte gjithmonë i përkushtuar në punën e tij me skulpturën, pa harruar elementët tradicional apo figurat kryesore të jetës të cilat i përjetësonte gjithmonë në veprat e tij. Përveç veprave artistike, ai ka punuar edhe shtatore të personazheve historike të Shqipërisë si At Zef Pllumi, Lef Nosi, apo Asim Zeneli.

Në janar të këtij viti shtatorja e punuar në bronx prej tij e artistet Vaçe Zela u vendos në Lushnjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë