Podcast

Audio-Lajme shkurt 26 dhjetor 2019

Arben Kraja kërkon përforcime në SPAK: Të komandohen Prençi dhe Mara

Pas konstituimit të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, vjen edhe kërkesa e parë e kryeprokurorit Arben Kraja. Gazeta “Si” mësoi ekskluzivisht se Arben Kraja ka dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë një shkresë përmes së cilës kërkon përforcime për Prokurorinë Anti-korrupsion. Një burim i Gazetës “Si” shpjegoi se kryeprokurori Kraja u thotë anëtarëve të KLP-së që të komandojnë si prokurorë të posaçëm të SPAK, Dritan Prençin dhe Vladimir Marën, të cilët janë konfirmuar në detyrë gjatë procesit të Vettingut. Por, dy prokurorët Mara dhe Prençi nuk u listuan gjatë garës për në SPAK si prokurorë të posaçëm, pasi nuk morën pikët e duhura. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka tetë prokurorë, përfshi edhe kryeprokurorin Kraja.

Sikurse mësohet jozyrtarisht, kjo kërkesë e kryeprokurorit Kraja do të merret në shqyrtim në fillim të vitit 2020, ndërkohë që nëse KLP miraton “lutjen” e kryeprokurorit të posaçëm, atëherë numri i prokurorëve anti-korrupsion shkon në dhjetë.

Padia e presidentit ndaj Dvoranit i kalon SPAK

Prokuroria e Tiranës ka hequr dorë nga hetimi i padisë së presidentit Ilir Meta ndaj kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Prokuroria ka vendosur që këtë padi ta shqyrtojë prokuroria e Posaçme, SPAK, duke e lidhur me faktin se Dvorani është një zyrtar i rangut të lartë.

Presidenti kallëzoi Dvoranin për marrjen e kompetencave sa i përket caktimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Nga Teatri tek Unaza e Madhe,  Veliaj prezanton projektet për 2020

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se buxheti i vitit 2020 që u miratua sot vjen me një rritje prej 11% krahasuar me buxhetin e vitit 2019.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi ndër të tjera se në vitin 2020 do të realizohen një sërë projektesh si Teatri Kombëtar, Piramida, Unaza e Madhe, zgjerimi i Lanës, etj.

Po ashtu, kreu i bashkisë bëri të ditur se të gjithë autobusët ndërqytetas që qëndrojnë te ish-Dogana, do të zhvendosen te kthesa e Kamzës, aty ku po shtrohet terreni për t’i hapur udhë ndërtimit të Terminalit të ri, por njëkohësisht edhe vijimit të punës për ndërtimin e Unazës së Madhe.

Festat e fundvitit, Lleshaj: Policia nuk ka festë, por vetëm shërbim

Pas inspektimit që kreu në sallën operative në Drejtorisë së Policisë së Tiranës për masat e marra në kuadër të festave të fundvitit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një prononcim për mediat tha se policia do të jetë gjatë gjithë kohës në shërbim për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë festave të fundvitit.

Ndër të tjera, ministri vuri theksin edhe siguria rrugore dhe te mjetet piroteknike, nga të cilat mund të lindin incidente.

Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, ministri Lleshaj foli edhe për bilancin e policisë gjatë 2019, ndërsa shtoi se siguria publike është në nivelet më të mira historike.

Mungonin avokatët, shtyhet seanca për Arbër Çekajn

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shtyrë sot vendimin për Arbër Çekajn, si dhe për Donaldo Lushajn dhe Armando Pezakun. Shkak për këtë është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurit Donaldo Lushaj.

Çekaj u shpreh edhe kundër prokurorit të çështjes, Edvin Kondili, për të cilin pretendon se nuk do të jetë më prokuror i çështjes dhe sipas të akuzuarit, kjo është më se e sigurt.

Arbër Çekaj akuzoi prokurorin Edvin Kondili se ka manipuluar provat gjatë hetimit dhe e ka kallëzuar në Prokurori.

Ai ka dorëzuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë një kërkesë ku kërkon përjashtimin e Kondilit nga çështja. Seanca e ardhshme do të mbahet më 8 janar 2020. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar për Arbër Çekajn 21 vite burg, që në rast dënimi do të konvertohej me 14 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Viktima e parë e të ftohtit, gjendet i pajetë i moshuari në Maliq

Një i moshuar është gjetur i pajetë sot në ish-zyrat e Kombinatit të Sheqerit, në Maliq të Korçës, duke u bërë kështu viktima e parë e të ftohtit këtë dimër.

Viktima Muhamed Tabaku, 64 vjeç është gjetur nga një i afërm i tij, ndërsa në trup nuk ka pasur shenja dhune.

Ndërkohë, njerëzit që e njihnin kanë thënë se ai ishte përdorues i alkoolit. 64-vjeçari ishte i vetmuar dhe flinte në zonën ku është gjetur i pajetë, ndërsa dyshohet se ka ndërruar jetë nga i ftohti.

Prindër bëni kujdes! Shikoni ç’u bëjnë bateritë e lodrave fëmijëve nëse i gëlltisin

Mjekët në Londër janë të alarmuar, për sa u përket baterive të vogla të lodrave nëse gëlltiten nga fëmijët. Nëpërmjet një eksperimenti ata kanë treguar se si bateria me material litiumi ka aftësinë që brenda pak minutave të gërryejë indet duke shkaktuar një “fistul” mes ezofagut dhe aortës së zemrës që më pas shkakton hemorragji të brendshme. I gjithë ky proces mund të ndodhë vetëm në pak minuta. Mjekët janë shprehur se  prindërit duhet të jenë vigjilentë që të shmangin situata të tilla.

Kupa “Nënë Tereza” tërbon serbët, e quajnë skandal ballkanik

Edhe pse nuk është ende një kupë zyrtare, por një projekt, “Nënë Tereza” ka sjellë reagimin e menjëhershëm të serbëve, të cilët e quajnë organizimin e këtij kompeticioni një skandal ballkanik. Pasi u bë publik lajmi se FSHF-ja dhe FFK-ja kanë në plane organizimin e një kupe të përbashkët mes ekipeve shqiptare e kosovare, të quajtur “Nënë Tereza”, shtypi serb ka mbajtur qëndrim. “Kurir” e trajton organizimin e një kupe mes Shqipërisë dhe Kosovës si një skandal të madh. E përditshmja serbe sjell në vëmendje fjalët e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit, sidomos pjesën ku ai flet për kërkesën që do t’i bëhet UEFA-s që ekipi fitues të marrë pjesë edhe në kompeticionet europiane. “Skandal ballkanik! Shqiptarët kërkojnë të organizojnë një kupë me klube nga Kosova dhe Shqipëria dhe kërkojnë një vend në kupat e Europës!” ky është titulli i artikullit për çështjen në fjalë. Presidentët e dy federatave, Agim Ademi dhe Armand Duka, presin përgjigjen e UEFA-s për projektin e tyre për kupën “Nënë Tereza”, që do të përfshinte skuadra shqiptare dhe kosovare dhe do të zhvillohej në mesjavë.

Më Shumë