Podcast

Audio-Lajme shkurt 6 nëntor 2019

Rama: Luftë frontale krimit të organizuar dhe “KÇK”-së
Kryeministri Edi Rama iu rikthye çështjes së pronave në bregdetin e Durrësit, duke premtuar se me propozimin për një ligj special kundër krimit të organizuar dhe masat speciale kundër punonjësve të sistemit të drejtësisë, që sipas tij kanë abuzuar me të drejtën e pronarëve legjitimë, kjo do të marrë fund. Kryeministri foli gjatë takimit të përjavshëm me qytetarët në kuadër të platformës “Shqipëria që duam”. Kjo deklaratë e tij mori shkas nga problematika e ngritur nga një qytetar mbi korrupsionin në Kadastrën e Durrësit. Kadastra e Durrësit është vendosur në mes të përplasjes mes Qeverisë dhe Prokurorit Arjan Ndoja, i plagosur më 1 nëntor tek vendi i njohur si Mbikalimi i Shkozetit. Ndoja ka në dorë dosjen ndaj kreut të kësaj Kadastre, Liridon Pula, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre për çështjen e pronave në Gjirin e Lalëzit. Por, Kryeministri Edi Rama dhe zv.Kryeministri Erjon Braçe e kanë akuzuar prokurorin se pas këtij hetimi “sajesë” qëndrojnë lidhjet e Arjan Ndojës me një grup të njohur kriminal në fushën e pasurive të paluajtshme në qytetin e Durrësit.

KLP letër Arta Markut: Heto prokurorin Arjan Ndoja
Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka kërkuar kryeprokurores Arta Marku nisjen e një hetimi për masa disiplinore ndaj prokurorit Arjan Ndoja, i plagosur në atentatin e 1 nëntorit në Durrës. Shkak i kërkesës është bërë deklarata mediatike e prokurorit, që ndodhet ende në Spitalin e Durrësit ku po merr mjekim, se drejton prej kohësh një studio që ofron konsulencë ligjore dhe shoqërimi me Aleksandër Lahon, person me precedentë penalë. KLP thotë se është njohur vetëm nga kjo deklaratë mediatike me faktin që prokurori në fjalë ka një studio ligjore, që ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ia lejon.

Rezoluta antiruse, ish-kryediplomati Bushati del kundër
Nisma e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla për të miratuar një rezolutë në Parlament kundër influencës ruse më Shqipëri shkakton debate brenda socialistëve. Ish-kryediplomati Ditmir Bushati u shpreh se kjo nismë duhej të ishte diskutuar më parë me qeverinë, e cila duhet të kishte një material shpjegues mbi rrezikun e ndërhyrjeve. “Shqipëria nuk është shtet dordolec, por anëtar i NATO-s dhe asnjë prej parlamenteve në rezolutë nuk i drejtohet me emër një shteti tjetër”, tha Bushati. Por Balla nga ana atij u shpreh se rreziku ekziston dhe provë për këtë janë hetimet e prokurorisë ndaj Partisë Demokratike lidhur me financime të dyshimta ruse për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht kontestimeve të Bushatit dhe deputetëve të opozitës Ralf Gjoni dhe Rudina Hajdari projektrezoluta u votua në parim. Dokumenti final do të votohet nga komisioni i Sigurisë.

Reforma zgjedhore, propozohet depolitizim i komisioneve
Ekspertët e reformës zgjedhore propozojnë që KQZ të mos përbëhet me propozime nga partitë politike, por të miratohen nga Parlamenti me shumicë të cilësuar votash. Në rast se nuk arrihen 84 vota atëherë do të zgjidhen me short. KQZ do të përbehet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator; dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Depolitizimi përfshin edhe komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. Drafti pritet të shqyrtohen në mbledhjen e së enjtes të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

SHBA për 5G: Kujdes me kinezët, disa gjëra në Shqipëri nuk janë për t’u shitur
Thirrja e Ambasadës Amerikane në Tiranë që Shqipëria të ketë kujdes në implementimin e rrjetit 5G e posaçërisht nga kinezët e Huaëei, u interpretua në disa media shqiptare si një ndërhyrje për shkaqe konkurrence e cila është e dukshme edhe në tregun ndërkombëtar. Por në një postim të dytë Ambasada në Tiranë e cilësoi këtë gazetari “shkel e shko dhe çorientuese, që synon të shtrembërojë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrjetin 5G, por thekson se nuk e ndryshon të vërtetën”.
Ambasada e SHBA-së sqaron se qasja e saj nuk lidhet me konkurrencën që vjen nga Kina por me çështje të sigurisë që janë mjaft të rëndësishme dhe mjaft të mprehta. Për të plotësuar argumentet Ambasada hodhi një tjetër postim në faqen e saj zyrtare në Facebook ku afishohej deklarata e datës 28 tetor të së ngarkuarës me punë, Leyla Moses-Ones në Konferencën “Politika e Sh.B.A. në Ballkanin Perëndimor” gjatë të cilës ajo u shpreh: “Ndërlidhja e vendit të saj gjeostrategjik në hartë është e rëndësishme sepse ka vende si Kina që do të dëshironin të kapnin mënyrën e jetesës digjitale të Ballkanit Perëndimor për të thithur informacione prej tyre dhe asfiksuar rrjetet e aleatëve të Sh.B.A-së. Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”.

Ngec në vetting Përparim Kulluri, prokurori i dosjes “Babale”
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda, Përparim Kullurin. Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Olsi Komici dhe Brunilda Bekteshi.
Kulluri kishte së fundmi në dorë dosjen e bujshme “Babale”, ku janë të përfshirë personazhe të njohura të politikës. Sa i përket procesit të rivlerësimit në KPK, prokurori Kulluri ka rezultuar se ka pasur kontakte me një person me rekorde kriminale, por një gjë e tillë është mohuar prokurori. Sa i përket pasurisë nuk ka rezultuar me probleme.

Napoli i Hysajt në kaos, rebelohen lojtarët dhe trajneri Ançeloti
Situatë mjaft e tensionuar te Napoli. Barazimi me Salcburgun në Champions nuk e riktheu qetësinë dhe autobusi i skuadrës, që pas ndeshjes në “San Paolo” duhej të kthehej në qendrën stërvitore Kastel Volturno, u nis bosh. Një rebelim i vërtetë nga lojtarët, një sjellje që vjen pas ndërhyrjes së presidentit De Laurentis në dhomat e zhveshjes dhe që nuk pranohet aspak nga ekipi dhe trajneri Ançeloti. Një shkëndijë për krisjen mes ekipit dhe drejtuesve dhe për rebelimin e lojtarëve. Stafi teknik gjithsesi ka shkuar natën vonë në Kastel Volturno, në hotelin e rezidencës së Napolit. Nuk e kanë bërë këtë gjë lojtarët, të cilët kanë kontaktuar menjëherë përfaqësuesit e tyre ligjorë, pasi e konsiderojnë jashtë rregullores grumbullimin në hotel edhe gjatë javës. Një “mundje dore”, që mund të ketë pasoja të rënda për sezonin e Napolit. Heshtje e çuditshme nga trajneri Karlo Ançeloti, i cili nuk u paraqit në konferencë shtypi pas ndeshjes dhe për këtë Napoli do të gjobitet, sepse është një detyrim i protokollit. Konferenca u dezertua edhe nga Lorente, lojtari i përzgjedhur nga Napoli.

 

Më Shumë