Podcast

Audio-Lajme shkurt 20 nëntor 2019

Padia e Metës ndaj Dvoranit, si e kërcënon KED-në
Padia e Presidentit Ilir Meta ndaj Ardian Dvoranit rrezikon të nxjerrë jashtë funksionit Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pasi Dvorani është i vetmi emër nga Gjykata e Lartë për KED-në. Por, nëse prokuroria do ta marrë të pandehur penal, atëherë Dvoranit do t’i ndalohej automatikisht pjesëmarrja në shortin hidhet nga data 1 deri më 10 dhjetor. Presidenti Ilir Meta dorëzoi një ditë më parë në tre prokurori të ndryshme padinë penale ndaj Ardian Dvoranit, që e akuzon për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit dhe kompetencave.

Partitë fryjnë anëtarësinë për të justifikuar financimet
Pak ditë më parë, Instituti i Studimeve Politike publikoi gjetjet e një vëzhgimi nga procesi i zgjedhjes së delegatëve të Kongresit në Partinë Socialiste. Në këtë vëzhgim, Instituti vëren anomali në shifra, krahasuar me zgjedhjet e 30 qershorit. Vetë PS deklaron se në zgjedhjet për delegatët morën pjesë rreth 75 mijë votues. Pra, shifra e atyre që nuk votuan në zgjedhjet e brendshme të PS ishte rreth 26 për qind e anëtarësisë. Nisur nga kjo, ISP ngre një pyetje. “Si është e mundur që 100% të anëtarëve të mobilizohen dhe të sigurojnë nga 5 vota për person në zgjedhjet lokale pa kandidatë rivalë (30 qershor 2019) dhe 26% e tyre të mos angazhohen dhe të mos marrin pjesë në zgjedhjet me konkurrentë 5 muaj më vonë?”. Kjo anomali, sipas Institutit të Studimeve Politike shpjegohet me të dhëna fiktive dhe fryrje anëtarësie nga ana e partive politike për të justifikuar të ardhurat financiare.

Kriza politike, Meta pret ish-presidentët, Berisha pro qëndrimeve
Presidenti Ilir Meta pas konsultimeve me partitë e opozitës ka nisur takime individuale me ish-presidentët. Pas takimit me ish-presidentin Rexhep Meidani, sot Meta priti ish-kryeministrin Sali Berisha. Konsulta mes dy aleatëve të dikurshëm në qeveri zgjati 30 minuta. Berisha në një prononcim për mediat u shpreh se presidentit i takon që të zgjedhë anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si joligjore e kushtetuese procedurën që ndoqi Parlamenti për zgjedhjen e dy anëtarëve, pasi nuk u zbatua kriteri i tre kandidatëve në listë.
Berisha theksoi se po të ishte në vend të Metës do ta kishte shpërndarë me kohë Parlamentin, pasi nuk i ka të 140 deputetët.
Presidenti zhvilloi konsulta edhe me dy ish-presidentët Bujar Nishani dhe Bamir Topi dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Shkarkimi i Metës, PS zgjeron objektin e hetimit: Të tjera ‘shkelje’ të tij
Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, në një dalje publike nga Kryesia e Kuvendit, tha se maxhoranca do të vazhdojë veprimet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, duke i dërguar Komisionit Hetimor materiale të reja shtesë për veprimet apo mosveprimet në rastin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Balla tha se shkarkimi i presidentit Meta tashmë është bërë një domosdoshmëri, pasi shkelja e Kushtetutës nga ana e tij është bërë kronike.
Balla tha se me dekretimin e zonjës Xhaferllari, presidenti ka dalë përtej kompetencës së tij dhe ka cenuar të drejtën e gjyqtarit.
“Presidenti nxori një dekret për emërimin e Marsida Xhaferllarit. Kjo është në kundërshtim të plotë për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti ka vepruar përtej kompetencës ligjore dhe kushtetuese. Ka përdorur në mënyrë abuzuese pushtetin”, tha ndër të tjera Balla.

Besnik Muçi, gjyqtari i Kushtetueses në pritje të Vettingut
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese do të përballet të enjten me vendimin e Komisionit të Posaçëm të Apelit për sa i përket procesit të vetingut. Vendimi pritet të jetë përfundimtar dhe do të vendosë në Muçi i kalon ose jo procesin. Nëse do të ketë një përgjigje negative, atëherë Muçi do të përjashtohet nga sistemi i drejtësisë si dhe nga Gjykata Kushtetuese. Muçi është zgjedhur me dekret të presidentit Meta si anëtar, pavarësisht se nuk kishte kaluar të gjitha fazat e vettingut.

PD: Buxheti 2020, buxhet i oligarkëve. Nuk ka rritje rrogash
Partia Demokratike e cilëson buxhetin 2020, të cilin mazhoranca e miratoi në Komisionin e Ekonomisë, si buxheti i oligarkëve.“Parlamenti votoi në Komisionin e Ekonomisë buxhetin që jep 120 milionë euro në vit për 13 koncesione, ndërsa nuk ka para për rritjen e rrogave. Parlamenti u tall sot me djersën e shqiptarëve, duke mbrojtur dhe duke votuar në komisionin e ekonomisë buxhetin e vënë në shërbim të koncesioneve korruptive të disa oligarkëve”, deklaroi nga selia blu, Dorian Teliti.Sipas demokratëve, buxheti konfirmon se qeveria nuk ka prioritet qytetarët, por klientët e Ramës që po pasurohen duke grabitur paratë e shqiptarëve.

Sulmi ndaj policisë në Elbasan, Krimet e Rënda: Suel Çela i pafajshëm
Gjykata për Krime të Rënda ka shpallur të pafajshëm Suel Çelën, i cili u akuzua se ishte pjesë e sulmit ndaj policisë në hyrje të tregut agro-ushqimor në Elbasan.
Ndërkohë, Krimet e Rënda kanë dënuar me 6 vite burg Enea Bekteshin si dhe 5 vite burg Klement Xhaferrin.
Sipas gjykatës, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë me prova të qarta përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen në tregun agro-ushqimor në Elbasan. Prova e gjetur në automjetin “Audi”, cigarja, nuk tregon nëse ka qenë ose jo në momentin e ngjarjes Suel Çela.
Suel Çela u akuzua si personi, i cili me makinën e tij tip “Audi” goditi më 18 shtator të 2017 në hyrje të Tregut Agroushqimor, makinën e policisë, duke vënë në rrezik jetën e zëvendësdrejtorit të qarkut dhe disa oficerëve të tjerë.

Prokuroria, kërkesë noterëve: Njoftoni nëse Kajmaku paraqitet për prokurë
Pas shpalljes në kërkim të ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar me një shkresë Dhomës së Noterisë ku kërkon nga noterët që të njoftojnë nëse Kajmaku paraqitet për të bërë ndonjë prokurë.
“Nëse noterët nuk njoftojnë në rast se avokati i Kajmakut paraqet prokurë do të mbajnë përgjegjësi ligjore”, thuhet në shkresën e prokurorisë.
Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër-arresti për Agim Kajmakun, ish-kryebashkiakun e Vorës të shkarkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas deklarimit të rremë në formularin e dekriminalizimit.

Atentati ndaj prokurorit Ndoja, Apeli lë në burg Redjan Rrajën
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke rrëzuar në këtë mënyrë kërkesën e 34-vjeçarit Redjan Rraja për liri.
Rraja u la në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por ai e ankimoi vendimin në Apel.
Avokati i tij, Besnik Çerekja ka thënë më herët se klienti i tij nuk ka lidhje me ngjarjen.
“Nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, nuk ka asnjë lidhje me gjurmët e gishtave të pretenduara të gjetura te syzet dhe me të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë histori”, mësohet të jetë shprehur avokati Besnik Çerekja.
Rraja u arrestua si autori i dyshuar i atentatit te mbikalimi i Shkozetit, ku u qëllua me breshëri plumbash ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja, i cili udhëtonte me “Rrumin” e Shijakut dhe shoferin e tij, Andi Malokun, që humbi jetën në spital pak ditë pas atentatit.

613 kg kokainë, Prokuroria kërkon 21 vjet burg për Arbër Çekajn
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 21 vite burg për biznesmenin Arbër Çekajn, administratori i “Arbri Garden”, i akuzuari për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë. Ai do të dënohet me 14 vite burg, pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar.
Në seancën gjyqësore te Krimet e Rënda, organi i akuzës kërkoi 16 vite burg për Donaldo Lushaj dhe me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 10 vite si dhe 13 vite burg për Armando Pezakun që me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 8 vite.
Arbër Çekaj, pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontejneri me 613 kg kokainë, u ekstradua nga Gjermania drejt Shqipërisë më 19 shtator.
Në shkurt të vitit të kaluar në një operacion me Doganat, Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë në kontejnerin me banane që vinte nga Kolumbia për llogari të “Arbër Garden” u sekuestruan 613 kg kokainë.

Lajthitjet e motit, përgatituni për çdo kohë
Vendi ynë sot është përfshirë nga një qendër me presion të ulët atmosferik e cila shkaktoi stuhi dhe ere të fortë në bregdet. Në Alpe ka pasur reshje bore të pakta të cilat sollën dhe rënie të temperaturave. Mbrëmjen e së enjtes ka përmirësim gradual të motit. Reshjet ndërpriten, moti do të ndikohet nga vranësira dhe kthjellime. Temperaturat do të jenë me rënie graduale.
Në ekstremet e tyre parashikohen këto temperatura:
Zona malore 4-14 gradë celsius.
Zona e ulët 10-19 gradë celsius.
Zona bregdetare 12-20 gradë celsius.

Emilia Clarke thotë se i ushtruan presion që të zhvishet te “Game of Thrones”
Aktorja britanike, Emilia Clarke, thotë se jo çdo skenë të realizuar në serialin “Game of Thrones”, që i dha të tjera përmasa famës së saj, e ka bërë me dëshirë. 33-vjeçarja, që luan rolin e Daenerys në këtë serial tregon një episod kur refuzoi që të zhvishej në një prej skenave të shumta të lakuriqësisë. Clarke sqaron se kishte një siklet të madh, pasi bëhej fjalë për realizimin e një skene lakuriqësie përpara dhjetëra personave dhe për më tepër që në skenën e tretë që i ishte besuar në film. Ajo nënkupton më tej se ndjeu nota presioni nga producentët. “Vendosa ta realizoj, pasi më thanë se nëse nuk zhvishesha mund të zhgënjeja fansat e ‘Game of Thrones’”, rrëfen Clarke.

Euro 2020/ Shorti më 30 nëntor me 4 “të panjohura”, edhe Kosova në lojë

Janë 20 skuadrat e kualifikuara për në Euro 2020. Kanë mbetur 4 vende bosh, që do të plotësohen pas play-off-eve të Ligës së Kombeve që do të zhvillohen në muajin mars, ku shpresa ka edhe Kosova. Saktësisht më 26 dhe 31 mars do të luhen ndeshjet shtesë të Ligës së Kombeve. Në Ligën D, lufta është mes Gjeorgjisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Bjellorusisë. Kosova është në gjysmëfinale me Maqedoninë e Veriut dhe në rast të fitores, kalon në finale ku do të ndeshet me njërën mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë.

Mourinjo trajneri i ri i Totenhemit, firmos deri në 2023-shin
Vetëm pak orë pas lamtumirës së Mauricio Poketinos, Totenhemi ka emëruar trajnerin e ri. Ai është Zhoze Mourinjo, i cili kthehet në Premier League pas më pak se një viti, kur u shkarkua nga Mançester Junajtid. Klubi londinez ka zyrtarizuar gjithçka me një komunikatë, ku bën të ditur se portugezi ka firmosur një kontratë deri në vitin 2023. Pas firmës, Mourinjo u shpreh entuziast për aventurën e re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë