Podcast

Audio-Lajme shkurt 11 nëntor 2019

Dy emra për dy karrige! Kuvendi miraton Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin për në Kushtetuese, i voton edhe opozita
Mazhoranca vazhdoi përpara dhe siguroi shumicën e nevojshme të votave për të emëruar në Gjykatën Kushtetuese Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, dy kandidatet e vetme që mbeten në garë nga dy listat që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dorëzoi Kuvendit më 14 tetor për plotësimin e dy vakancave. Elsa Toska mori 105 vota pro dhe vetëm dy kundër, ndërsa Fiona Papajorgji momri 108 vota pro dhe tre kundër. Në të dyja rastet, shifrat tregojnë se pjesa dërrmuese e asaj që njihet si “opozita parlamentare”, mbështeti dy kandidaturat e KED-së. Ndërkohë pas votimit në Kuvend, nga Presidenca, reagimi i parë mbërriti nga zëdhënësi, Tedi Blushi. Përmes rrjeteve sociale, Blushi thotë se ky vendim i parlamentit pritej, ndërsa paralajmëron se Presidenti do të flasë me qytetarët pas kthimit nga vizita në Paris.

Prokuroria lëshon urdhër arresti për ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakun
Prokuroria ka firmosur urdhër-arresti për ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, pasi gjykata ka dhënë masën arrest me burg për të. Mësohet se policia ka shkuar në banesën e Kajmakut të dielën, kur është nxjerrë urdhër arresti, por nuk e kanë gjetur në shtëpi. Edhe sot, policia ka shkuar në banesë për ta arrestuar ish-kryebashkiakun, por nuk e ka gjetur në shtëpinë e tij.
Agim Kajmaku u zgjodh kryetar i Bashkisë së Vorës në zgjedhjet e 30 qershorit, por pas denoncimit nga PD se kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit nisën edhe hetimet nga prokuroria, e cila i dha të drejtë opozitës.
Kajmaku kishte fshehur një dënim në Greqi ku figuronte me emër tjetër.
Më 1 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta shkarkojë nga detyra Kajmakun, në mënyrë unanime me 5 vota pro.

Sherr në gjyqin e Shullazit, shtyhet sërish seanca
Ajo që gazeta “Si” paralajmëroi në artikullin ekskluziv të së dielës me titull: “Dosja ekskluzive-Si po kërcënohet të dështojë gjyqi ndaj Shullazit” ndodhi sërish. Seanca në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe katër personave të tjerë u shty për herë të pestë. Endrit Zela, njëri prej tyre ka replikuar ashpër me gjyqtaren Albana Boksi, të cilës i ka kërkuar dorëheqjen, pasi sipas tij, gjytarja është në konflikt interesi. Avokati i Zeles kërkoi përjashtimin nga trupa të gjyqtares, pasi aktualisht ai është avokat edhe në një proces tjetër gjyqësor ku po mbron një palë të paditur nga të afërm të gjyqtares. Pretendime për trupën gjykuese në këtë gjyq, ka edhe nga Gilmando Dani, i cili kërkon përjashtimin e gjyqtarit Arben Vrioni.

Basha në Durrës: Vizioni i PD-së për Shqipërinë, rimëkëmbja e biznesit
Kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur turin e takimeve “Rrugëtimi për Shqipërinë”, me bizneset në autostradën Tiranë-Durrës.
Lideri demokrat gjatë fjalës së tij tha se biznesi është në luftë për mbijetesë, ndërsa u zotua se Partia Demokratike është e angazhuar për të ulur taksat.
Basha tha se vizioni i PD-së për Shqipërinë është rimëkëmbja e biznesit.
“Sektori i biznesit është në luftë për mbijetesë. Ju po mbyteni nga efekti i rritjes së taksave, rritjes së kostos dhe korrupsionit të kudogjendur që kanë shkaktuar një klimë biznesi më të keqe në Europë.
Në kontrast me këtë qeveri, për mua një biznes i çliruar, i rimëkëmbur është në zemër të vizionit tonë për Shqipërinë. Ju keni gjenialitetin për të çarë përpara, për të arritur sukses për të qenë shtyllë e prosperitetit të vendit”, u shpreh Basha.
Basha tha se biznesit i duhet një qeveri që ta ndihmojë. Ai tha se “për një kohë shumë të gjatë, Shqipëria po tregohet me gisht si kryeqyteti i krimit në Ballkan”, duke ftuar bizneset e sipërmarrjet që të bëjnë gjithçka së bashku që Shqipëria të kthehet në kryeqytetin e biznesit në Ballkan.

Aksident i rëndë te rreth-rrotullimi i TEG-ut, humb jetën 17-vjeçari
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e kaluar në Tiranë rreth orës 22:00. Një përplasje e fortë e dy mjeteve i ka marrë jetën një 17-vjeçari, në vendin e njohur si rreth-rrotullimi i TEG-ut. 17-vjeçari me iniciale K. V. është dërguar në spital, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë, të cilët kanë marrë edhe ndihmën e parë mjekësore, dhe nuk janë në rrezik për jetën.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka arrestuar drejtuesin e mjetit. Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet F. F., i cili drejtonte mjetin tip ‘Benz’ teksa ka humbur kontrollin duke u përplasur me automjetin tip “Porsche”.
Të shtunën në mbrëmje, pak para mesnate një tjetër aksident tragjik u mori jetën dy 17-vjeçareve në Bërzhitë të Tiranës që ktheheshin nga një festë në ditëlindje, ndërkohë që drejtuesi i automjetit me të cilin ato udhëtonin, u vu në pranga sepse nuk ishte i pajisur me leje drejtimi dhe kishte qenë në gjendje të dehur.

Në Greqi shpërthejnë sulmet ksenofobe ndaj emigrantëve!
Incidentet raciste dhe ksenofobe janë kthyer përgjatë javëve të fundit në një shqetësim madhor në Greqi. Situata është më kritike në qytetet e mëdha, ku dhjetëra refugjatë po sulmohen çdo ditë nga qytetarët grekë, të cilët kërkojnë kthimin e tyre në shtëpi.
Qeveria konservatore e kryeministrit Qiriako Mitsotaqis ka deklaruar javën e kaluar se e ka të pamundur menaxhimin e këtyre sulmeve për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të emigrantëve dhe refugjatëve.
Reagimet ekstreme të banorëve erdhën pas planit të qeverisë për të transferuar refugjatët nga ishujt në qytetet e mëdha. Shumica e grekëve e kanë bërë të qartë se
nuk pajtohen me transferimin e azilkërkuesve duke shkaktuar shqetësime të mëdha. Ata kanë bllokuar rrugë, kanë kërcënuar hotelet që kanë pranuar të ofrojnë dhoma për refugjatët, kanë goditur me gurë në autobusë që mbajnë refugjatë dhe emigrantë.
Përgjatë javës së fundit ka pasur madje marshime studentore që kërkonin largimin e emigrantëve të paligjshëm. Të mërkurën e kaluar, një student iranian në Selanik u sulmua me thikë nga disa të rinj grekë, që e paralajmëruan që të mos vinte më në shkollë.

Ndoj dhe Uzuni optimistë: Konkurrenca na bën mirë, japim 100%
Emanuele Ndoj dhe Myrto Uzuni kanë folur për ndeshjen me Andorrën dhe Francën, që luhen më 14 dhe 17 nëntor. Janë dy lojtarë të rikthyer te kuqezinjtë, i pari i lënë jashtë për shkak dëmtimi, kurse i dyti për zgjedhje teknike të trajnerit Reja. “Kthehem nga një dëmtim, që më ka mbajtur 3 muaj jashtë. Jam stërvitur mirë dhe kam luajtur në dy ndeshjet e fundit me Breshian në Serinë A. Më ka munguar Kombëtarja. Konkurrenca? Po, në ekip kemi lojtarë shumë të fortë, i pashë në ndeshjet e fundit. Na bën mirë të gjithëve, sepse na motivon më shumë që të japim 100% për fanellën e Kombëtares. Tani jemi të përqendruar te ndeshja e parë me Andorrën, ku duhet të fitojmë patjetër”, - theksoi mesfushori Emanuele Ndoj. Sulmuesi beratas, Myrto Uzuni, në formë të mirë këto javët e fundit, gjatë konferencës është shprehur se e priste ftesën kuqezi. “Patjetër që dua të luaj edhe në Kombëtare, por më parë duhet të bind trajnerin. Jam i lumtur që u ktheva, e rëndësishme është të fitojmë dhe të gëzojmë tifozët. Asnjë ndeshje nuk mund ta nënvlerësojmë, pasi jemi profesionistë”, ka thënë Ndoj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë