Podcast

Audio-Lajme shkurt 28 tetor 2019

Negociatat, BE thërret liderët e Ballkanit në Bruksel
Pas vendimit për të mos hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel mes shqetësimeve për perspektivën e anëtarësimit në union.
Liderët e Ballkanit janë ftuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, të martën në një darkë të përbashkët pune për të folur për integrimin e rajonit dhe në veçanti për negociatat me Tiranën dhe Shkupin.
I pari që ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij ka qenë Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se do të takohet të martën në Bruksel me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker përpara se të bashkohet me drejtuesit e pesë shteteve të tjera të Ballkanit në mbrëmje.
Sipas medieve serbe, kryefjala e takimit priten të jetë çështja e negociatave dhe nisma për rikthimin e kësaj dosje në tryezë muajin e ardhshëm.

Rama thërret SHBA në Ballkan: BE e humbi besueshmërinë
Kryeministri Edi Rama mendon se pas vendimit të 18 tetorit të Këshillit Europian, që nuk hapi negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe ku u harrua premtimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, angazhimi i përforcuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është më shumë se i domosdoshëm. Rama tha se pas vendimit të Këshillit Europian në 18 tetor, pozicioni i BE në konfliktin me Serbinë dhe Kosovën është dobësuar dhe se BE me vendimin e marrë i dha një goditje jo të vogël besueshmërisë së vet. Kryeministri foli në Konferencën “SHBA në Ballkanin Perëndimor”, të zhvilluar në Tiranë. Ai e cilësoi pengmarrje të qytetarëve të Kosovës mosliberalizimin e vizave dhe dështim i Bashkimit Europian.

SHBA paralajmërojnë Ballkanin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë vendet e Ballkanit se rrezikojnë vazhdimisht që të përdoren nga Rusia, Kina dhe Irani për qëllimet dhe agjendën e këtyre vendeve. Në Konferencën “SHBA dhe Ballkani Perëndimor”, të zhvilluar në Tiranë, zv.ambasadorja e SHBA, Leyla Moses-Ones vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë, që e cilësoi parimor dhe të palëkundur në drejtimin e vet perëndimor. “Për Rusinë, Kinën dhe Iranin - tha zv.ambasadorja amerikane - Ballkani është vetëm një mjet për të arritur qëllimet e tyre dhe më pas për ta flakur tej”. SHBA mendon se Kina përmes forcës ekonomike po synon gjymtimin e lirisë ekonomike dhe politike, ndërsa Irani destabilizimin.

Gjipali: Propozimi i Macron mund të shkaktojë stepje në rajon
Drejtori i Lëvizjes Europiane Shqiptare, Gledis Gjipali, në një intervistë për Gazeta “Si”, e cilëson propozimin e hedhur nga presidenti i Francës, Makron me pasoja që mund të shkaktojë pakënaqësi dhe stepje të reformave në rajonin e Ballkanit. Gjipali shprehet se Tirana zyrtare duhet t’i përgjigjet këtij propozimi, pasi Makron të sqarojë në detaje propozimin. Bllokimi i zgjerimit – sipas Gjipalit - mund të rrisë ndikimin e vendeve të tjera në rajonin tonë që nuk janë pro perëndimore dhe demokratike.

Hajdari: Më kanë kërcënuar me jetë, merrni masa që të mos ketë viktima
Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari tha se ajo është kërcënuar në zyrën e saj nga kolegë të Kuvendit. Në fjalën e saj, Hajdari i kërkoi kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të marrë masa më të forta sigurie në mënyrë që të mos ketë viktima në Parlament. Nga ana e tij Ruçi ka theksuar se shkresën për shqetësimin e paraqitura nga Hajdari ia ka përcjellë ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Lita: Nuk e kam kërcënuar unë Hajdarin
Deputeti i opozitës, Korab Lita, i vënë në shënjestër për përplasjet brenda grupit të opozitës së re parlamentare, deklaroi për mediat se nuk e ka kërcënuar ai deputeten Rudina Hajdari. Ai theksoi se është takuar dy ditë më parë me demokraten dhe se nuk e ka kërcënuar dhe as ka debatuar me të. Sipas tij, deklarimet e tilla janë si emocionale dhe mirëkuptohen. Grupi “Demokrat” prej ditësh ka përplasje dhe me faktin se kush është kryetari i tij. Lita pretendon se është ai, ndërsa Hajdari e mohon, duke theksuar se vijon të jetë drejtuesve e deputetëve të opozitës së re në Parlament.

Batërdia me pronat në bregdet; e njëjta skemë nga veriu në jug
Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 9 nga 17 ish-zyrtarë dhe persona përfitues, që përmes mashtrimit përvetësuan 68 mijë metër/katrorë të pronës shtetërore në zonën e Kepit të Rodonit. Ky është rasti më i freskët, por jo i vetmi në batërdinë që u është bërë kryesisht pronave shtetërore në bregdet. Nga Velipoja e deri në Ksamil janë disa aksione të bujshme që kanë çuar në pranga dhjetëra persona me akuzën e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumentacionit dhe përvetësimit të pronës shtetërore në mënyrë të paligjshme. Në Spille, Karaburun, Zvërnec, Shëngjin, Rana e Hedhun e deri në Razmë, skema e përdorur ka qenë thuajse identike; ndryshimi i zërit kadastral në hipoteka nga “ranishte”, “pisha”, apo “park natyror” në “tokë arë” apo “kullotë”. Ky ndryshim i zhvishte pronat në fjalë nga statusi i pronave të mbrojtura që nuk mund të tjetërsoheshin. Pastaj skema vazhdon me falsifikimin e dokumentacioneve dhe vulave shtetërore e përmes këtij falsifikimi regjistrimi i pronës shtetërore me statuse të ndryshuara tek persona vendas, mundësisht me probleme të theksuara sociale dhe ekonomike. Regjistrimi kryhej herë duke përdorur ligjin për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve dhe herë duke përdorur ligjin 7501. Në të dyja rastet, përfituesit fillestar nuk e gëzonin këtë pronë, pasi ajo blihej nga biznesmenë, politikanë dhe ish-zyrtarë vendorë dhe qendrorë kundrejt shifrave qesharake.

Gjykata e Apelit liron tre banorët e Unazës
Gjykata e Apelit të Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për Ilir Katiraj, Skënder Doda dhe Gramoz Shehu, tre banorë të Astirit, të ndaluar gjatë protestave në këtë zonë
Para Gjykatës së Apelit ishin mbledhur dhe shumë banorë të Astirit, të cilët bënë thirrje që të lirohen 3 të arrestuarit, pasi sipas tyre janë qytetarë të ndershëm që kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë për shembjen e banesave të tyre dhe kanë protestuar bashkë me shumë të tjerë.
Tre banorët janë arrestuar më 11 tetor, pasi akuzoheshin si organizatorë të bllokimit të rrugës në Unazën e Re, në protestën që zgjat prej më shumë se një viti nga banorët e kësaj zone.

Festa Kombëtare e Greqisë, ceremoni në Bularat dhe Këlcyrë
Në kuadrin e festimeve për Festën Kombëtare të Greqisë, në Varrezat Ushtarake të Këlcyrës dhe në Varrezat Ushtarake të Bularatit, janë organizuar sot ceremoni përkujtimore për nder të ushtarakëve grekë të rënë në Luftën Italo-Greke. Për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore të të rënëve në luftën italo-greke ka ardhur dhe një delegacion nga Athina zyrtare. Pala greke në këto ceremoni është përfaqësuar me zv/ministrin e Jashtëm, përgjegjës për çështjet e diasporës, Andonis Dhiamataris dhe ambasadoren greke në Shqipëri, Sofia Filipidhu.

Xhaka zihet me tifozët e Arsenalit, shoku i ekipit bëhet me ta
Tek Arsenali nuk i kanë aspak qejf sezonet e qeta. Tani që çështja e Ozilit duket e mbyllur, ka shpërthyer një tjetër polemikë, që ka në qendër kapitenin Granit Xhaka, i cili ka zënë faqet e para të gazetave britanike. Në momentin e zëvendësimit gjatë ndeshjes me Kristal Palas, 2-2, ai sulmoi tifozët e Arsenalit, duke u bërë protagonist negativ me një “fuck” ndaj tyre. Një veprim që nuk lë shumë hapësirë për interpretim. Një veprim i gabuar nga kosovari i Zvicrës, aq më tepër që është edhe kapiten. Tifozët e Arsenalit kritikuan gjestin e Xhakës dhe pas ndeshjes shpërthyen në rrjetet sociale, duke marrë edhe një pëlqim të papritur nga sulmuesi Lakazet. “The Sun” shkruan për rastin e një tifoz, i cili ka postuar një foto nga shkallët e “Emirates”, ku dënon trajnerin Emeri dhe gjestin e Xhakës me gishtin e mesit. “Xhaka të shkojë në djall, nuk dua ta shoh më me fanellën e Arsenalit”, shkruan tifozi dhe Lakazet bën “like”. Sulmuesi francez ende nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me këtë ngjarje, por atmosfera brenda Arsenalit është vërtet kaotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë