Podcast

Audio-Lajme shkurt 21 tetor 2019

Rama: S’iki. Do flas me Macron! Reforma zgjedhore brenda vitit, me apo pa PD
Pak pasi Lulzim Basha përfundoi deklaratën e tij për shtyp, ku kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme, kreu i Qeverisë doli nga një mbledhje e kryesisë së Partisë Socialiste, ku fjalën e nisi me togfjalëshin “proces zgjedhor”, por brenda partisë. Jashtë diskutimeve të Kryesisë nuk ka mbetur as çështja e negociatave. Basha akuzoi Ramën si pengmarrës të rrugës europiane për Shqipërinë, por Rama tha se refuzimi i BE-së nuk cenon trajektoren strategjike të vendit. Rama përsëriti qëndrimin se refuzimi ishte pasojë e përplasjeve të brendshme të BE-së dhe shtoi se në agjendë ka disa komunikime me Presidentin francez, Emmanuel Macron dhe drejtues të tjerë të Bashkimit Europian. Sa i takon ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri u shfaq më i lëkundur nga deklarata e bërë disa ditë më parë, kur tha se kjo gjykatë do të jetë funksionale brenda këtij viti. Këtë herë, ai tha se jo gjithçka varet nga mazhoranca në Kuvend. Reforma zgjedhore është njëri prej kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman, që duhet të plotësohet para se të hapen negociatat. Rama u zotua se kjo reformë do të votohet brenda këtij viti në Parlament, me apo pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike.

Basha: Rama të dorëhiqet, si Zaev. Duhen zgjedhje të parakohshme
Më herët gjatë ditës, Lulzim Basha kërkoi nga Edi Rama që të vendosë standardin “Zaev”, duke dhënë dorëheqjen dhe të çojë vendin në zgjedhje të reja të parakohshme, për t’i kthyer, siç tha kreu i PD-së, mandatin qeverisës popullit. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Basha bëri dallimin mes Zaevit dhe Ramës. Ai tha se Maqedonia u refuzua vetëm nga Franca, ndërsa Shqipëria nga një pjesë e madhe e vendeve anëtare të BE-së, që sipas Bashës, provon se moshapja e negociatave për Shqipërinë nuk ishte pasojë e përplasjeve të brendshme të BE-së. Kreu i PD-së përsëriti qëndrimin e opozitës së integrimit europian është e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por se kjo rrugë aktualisht është marrë peng, siç tha ai, nga Edi Rama. Refuzimin e negociatave si dështim personal të Edi Ramës, Basha e lexon mes kushteve të vendosura nga Gjermania.

Allushaj “mban peng” kryeprokurorin, Gjykata përtej afateve, shtyn sërish seancën
Padia e avokatit Lulzim Allushaj në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë, ndaj vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e skualifikoi nga gara për kryeprokuror po merr gjithnjë e më shumë trajtën e një sage që nuk po mbyllet, duke përforcuar dyshimet e ngritura nga Gazeta “Si”, se zvarritja e kësaj çështje është e qëllimshme. Këtë të hënë gjykata duhej të shqyrtonte ankimimin e avokatit, por seanca është shtyrë sërish dhe këtë radhë sërish shkak është bërë mungesa e një prej gjyqtarëve të trupës gjykuese. Kjo është shtyrja e radhës. Më datë 16 tetor, seanca u shty për shkak se gjyqtarja Bernina Kondi, njëra nga gjyqtaret e trupës gjykuese kërkoi shtyrje me argumentin se ka të atin sëmurë.

Debate të forta mes anëtarëve të KLP, ndërpritet mbledhja
Është shtyrë sërish mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Që në nisje të mbledhjes ka pasur debate mes anëtarëve të KLP-së dhe kreu i këtij institucioni, Gent Ibrahimi.
Shkak i shtyrjes është bërë prokurori Besnik Cani, pasi pretendon se nuk është njohur me materialet për mbledhjen.
Sipas Canit, aktet për mbledhjen janë dorëzuar me vonesë. Ai thotë se aktet i kanë mbërritur të premten pas orarit zyrtar. Mbledhja është shtyrë për një ditë tjetër.
Në mbledhjen e sotme do diskutohej dhe ngritja e SPAK me më pak se 9 anëtarë.

Vritet me armë zjarri një 55-vjeçar në Shkodër
Një person është vrarë me armë zjarri në zonën e Shoshit në Malësinë e Dukagjinit në Shkodër.
Mësohet se viktimë ka mbetur shtetasi Lazer Arraj, 55-vjeç dhe banues në fshatin Palaj, Shosh, Shkodër.
Policia bën me dije se ai u qëllua rreth orës 12:00 në fshatin Shosh. Nga raportimet e para mësohet se 55-vjeçari jetonte në Shkodër dhe se kishte shkuar në fshat për të marrë ushqimet e dimrit. Lazer Arraj u gjet i vrarë në rrugë, dhe se ishin nipërit e tij që jetojnë në fshat të parët që e panë. Pjetrushi, siç njihej, ka qenë duke u kthyer për në Shkodër, ku edhe banonte.
Ndërkohë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit.

Djali i Remzi Hoxhës: I implikuari në vrasjen e babait vdiq
Djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i zhdukur para 24 vitesh nga SHIK-u në Tiranë, deklaroi sot se një nga dëshmitarët kryesorë, Budjon Meçe nuk është më gjallë.
Duke përkujtuar 24-vjetorin e zhdukjes së të atit, ai deklaroi se ishte i zhgënjyer nga qeveria “Rama”, pasi ka dështuar të zbardhë këtë ngjarje, teksa shtoi se babai i tij dha jetën për kombin shqiptar.
“Edhe kjo qeveri nuk ka qenë e interesuar për të zbardhur vrasjen. Për të rritur presionin, ne kemi filluar të bëjmë edhe dokumentarë për figurën e babait tim, njëri narrativ dhe tjetri do të jetë dokumentar artistik”, tha ai.
Ish-punonjësi i SHIK-ut, Budjon Meçe u dënua bashkë me Ilir Kumbaron, por në momentin e fundit në gjyq mbërriti një “raport mjekësor” sipas të cilit Budjon Meçe ishte “në gjendje koma në një spital privat” në Tiranë. Vendimi për të nuk u aktivizua, ndërkohë që Hoxha tha sot se ai nuk është më gjallë.

Debutim super i Dermakut në Serinë A, meritë e Shqipërisë dhe Rejës
Kastriot Dermaku i është mirënjohës trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja, i cili i ka besuar në ndeshjet e fundit të kuqezinjve. Paraqitja e mirë me fanellën e Kombëtares ka bërë që mbrojtësi 27-vjeçar të debutojë në Serinë A me Parmën. Shtatlarti ishte titullar në fitoren 5-1 ndaj Xhenoas dhe për më tepër ka marrë vlerësime maksimale nga shtypi sportiv italian. “ I vendos ”maskën” sulmuesit Pandev, duke u dalluar për ndërhyrjet e pastra dhe kontrollin e ajrit, ku është absolutisht i pakalueshëm. Lë fushën pas 75 minutash për një dëmtim, që nuk duket serioz. Debutim super”. Ky është vlerësimi që shtypi italian bën për Dermakun. Ai u bashkua me Parmën gjatë merkatos së verës, ndërsa më parë ka luajtur në kategoritë më të ulëta të futbollit italian. Trajneri Reja i besoi një vend titullari në fitoren 4-2 me Islandën, ku Dermaku shënoi golin e parë për kuqezinjtë. Ai luajti në të dyja ndeshjet e fundit, me Turqinë dhe Moldavinë, duke bërë një paraqitje të mirë. Pas ndeshjes së fundit, mbrojtësi e tha hapur se falënderon Kombëtaren shqiptare për faktin se i dha besim, edhe pse nuk kishte pasur minuta me klubin e tij.

“Dita pa trafik”, dita e deleve në Madrid
Delet dhe këmborët e tyre zëvendësuan makinat dhe boritë në “Ditën pa trafik” në Madrid të Spanjës. Të dielën e 20 tetorit, tufat e bagëtive kaluan përmes kryeqytetit spanjoll për të respektuar traditën duke ndjekur rrugën e vjetër të migrimit të bagëtive nga veriu në jug. Në kohët moderne, parakalimi nisi në vitin 1994, por ai daton qindra vite më parë dhe është e njëjta rrugë që barinjtë kanë përdorur ndër shekuj për të zhvendosur në dimër tufat e bagëtive nga veriu me stinë të ashpër, në jugun me stinë më të butë. Shekuj më parë, rruga kalonte përmes një fshati të vogël, që nuk dallohej nga zonat e tjera të vendit. Por sot, ky fshat është shndërruar në kryeqytet dhe rruga e përshkon mes për mes qendrën historike të këtij kryeqyteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë