Podcast

Audio-Lajme shkurt 24 tetor 2019

PS e hapur për ndryshimin e sistemit, Gjiknuri: Mirëpresim PD
Partia Socialiste ka pranuar që të diskutojë mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke i kërkuar opozitë së re parlamentare t’i paraqesë propozimet. Bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri foli pas mbledhjes së komisionit të reformës duke bërë të ditur se u ka kërkuar deputetëve të opozitës parlamentare paraqitjen e propozimeve për ndryshimin e sistemit. Ndërsa demokratja Rudina Hajdari u shpreh e vendosur se reforma duhet të plotë e plotë dhe jo e ndarë në disa faza. Gjiknuri nga ana e tij ka përshëndetur punën e nisur nga PD-ja, duke bërë të ditur s propozimet e tyre janë të mirëpritura dhe se ura lidhëse mes tyre do të jetë OSBE-ja.

PD ngre grup ekspertësh: PS të pranojë mekanizmin tonë
E ndërkaq, Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj, ka ngritur një grup ekspertësh për të shqyrtuar ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Pas mbledhje së zhvilluar sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se opozita nuk e njeh komisionin aktual të reformës,pasi e cilëson ilegjitim dhe se kërkon që të vihet në lëvizje mekanizimi i kërkuar, duke nënkuptuar rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces.

Opozita e re vazhdon e përçarë, Lita: Jam unë kryetari
Korab Lita deputeti i opozitës së re deklaron se vijon të jetë ai kryetari i grupit parlamentar “Demokrat” dhe jo Rudina Hajdari. Lita i bëri thirrje kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të mos përzihet në çështjet e opozitës dhe se mbështet Hajdarin si bashkëkryetare e komisionit të posaçëm të reformë zgjedhore. Por demokratja Rudina Hajdari reagoi sërish sot duke deklaruar se është ajo kryetarja e grupit pavarësisht se ka disa deputetë rebelë, duke nënkuptuar këtu Litën.

Rama, telefonatë 45-minutëshe me Merkelin: Vendosëm të gjitha pikat mbi “i”
Kryeministri Edi Rama ka pasur një telefonatë të gjatë me kancelaren gjermane, Angela Merkel. “Gjatë një telefonate rreth 45 min me Kancelaren Merkel vendosëm të gjitha pikat mbi ‘i’ për ecurinë e mëtejshme të përpjekjeve të përbashkëta për çeljen e negociatave për anëtarësim. Kancelarja rinënvizoi qëndrimin e Gjermanisë në mbështetje të Shqipërisë. Danke Angela”, shkruan kryeministri Rama në “Tëitter”. Kjo bisedë telefonike me kryeministrit Edi Rama dhe kancelares Merkel vjen vetëm pak ditë pas Këshilli Europian vendosi për mos-hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut.

Rezoluta e PE: Negociatat me Tiranën dhe Shkupin të hapen në dhjetor
Parlamenti Europian ka votuar sot një rezolute për rihapjen e çështjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut muajt e ardhshëm.
Kjo rezolutë e hartuar nga të Gjelbrit i bën thirrje Këshillit Europian që të gjejë një kompromis në mbledhjen e tij në dhjetor për hapjen e negociatave. Nisma e eurodeputetëve, e cila u diskutua gjatë edhe mbrëmjen e së mërkurës, dënon Francën për veton e saj për hapjen e negociatave javën e kaluar. Nga 578 eurodeputetë, 412 prej tyre kanë votuar pro.
Pavarësisht përplasjeve mes kampeve, por dhe kundër zgjerimit, shumë eurodeputete thanë se procesi i zgjerimit duhet të udhëhiqet nga kritere objektive, dhe jo nga politikat e brendshme ose polemikat bilaterale të vendeve anëtare të BE-së.

Kryetarja e Gjykatës së Durrësit jep dorëheqjen
Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton dorëheqjen e kryetares së Gjykatës së Rrethit Durrës, Joana Qeleshi. Sipas burimeve të Gazeta Si, Qeleshi ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen pranë organit të ri të drejtësisë, duke dhënë edhe motive personale. Në letrën e paraqitur pranë KLGJ-së mësohet se Qeleshi do të angazhohet në një aktivitet privat si juriste. Kjo dorëheqje par daljes në procesin e Vettingut bën që Qeleshi të mos ketë të drejtën që për 15 vite të jetë në sistemin e drejtësisë dhe nga çdo detyrë tjetër shtetërore.

Helmohen disa nxënës të një gjimnazi në Bulqizë
Disa fëmijë të gjimnazit në Shupenzë të Bulqizës janë helmuar dhe kanë shfaqur probleme shëndetësore. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10, kur në një klasë mësimi në shkollën e mesme, një nxënës ka hedhur duke luajtur një sprajt me aromë. Si pasojë e këtij spraji, disa prej nxënësve kanë pasur marrje mendsh dhe të përziera. Nxënësit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Dimri ka harruar të kthehet
Vendi ynë po vazhdon të jetë në ndikimin e masave ajrore të nxehta nga Afrika të cilat na kanë shoqëruar gjatë gjithë muajit tetor.
Ditën e premte, duke përfshirë fundjavën, moti do të mbetet me diell dhe temperaturat të larta deri 26-29 gradë celsius.
Reshjet e shiut dhe rënie të temperaturave parashikohen në ditën e fundit të muajit tetor dhe fillimin e muajit nëntor.

Flamurtari shkarkon trajnerin Sadedini
Dritan Sadedini është shkarkuar nga detyra e trajnerit të Flamurtarit. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit vlonjat. Një vendim i paralajmëruar nga administratori Sinan Idrizi që pas humbjes me Vllazninë, ku më i shigjetuari ishte pikërisht trajneri. Emri më i lakuar për të zënë vendin e Sadedinit është ai i Artan Sakajt, ish-futbollistit të Flamurtarit, i larguar pak ditë më parë nga Oriku. Kriza e vlonjatëve ka marrë përmasa të mëdha këtë sezon. Si kurrë më parë në historinë e tij, Flamurtari ka marrë vetëm 2 pikë në 9 ndeshje dhe rënia një kategori më poshtë duket e sigurt. Vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë. Në gjendjen aktuale edhe trajneri mund të ketë përgjegjësitë e veta, por sigurisht që nuk është ai problemi i vetëm. Kriza u pa që në verë, kur vlonjatët u organizuan me emergjencë në minutat e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë