Podcast

Audio-Lajme 25 shtator 2019

Tryeza e OSBE si “mblesëri” për fejesën e radhës PS-PD
Tryeza e thirrur nga OSBE për reformën në zgjedhore u shndërrua në një arenë përplasjeje në kufijtë e qesharakes mes deputetëve të opozitës parlamentare, opozitës jashtëparlamentare dhe mazhorancës, ku pak u diskutuan propozime konkrete në nivel teknik dhe debati u kanalizua tek qëndrimet politike. Opozita propozon ngritjen e një strukture jashtëparlamentare, të drejtuar nga ndërkombëtarët dhe me nga një përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës së bashkuar. Në formulimin e kësaj kërkese, përfaqësuesi demokrat e bëri të qartë se për opozitën e bashkuar, Parlamenti aktual nuk ka opozitë dhe ai është monopartiak. Por, deputetwt e opozitws parlamentare kundwrshtuan. Ata e cilësuan praninë e PD në këtë tryezë si përpjekje për t’i anashkaluar dhe për pazarin e radhës mes PS dhe PD.
Negociatat, Basha: Dasmë pa nuse e Edi Ramës
Lulzim Basha thotë se mazhoranca po manipulon publikun me vendimin e partive qeverisëse gjermane, duke e shitur si vendim për hapjen e negociatave. “E vërteta është që kanë autorizuar qeverinë që të miratojë negociatat e anëtarësimit vetëm kur vendi të plotësojë 9 kushte të ndara në dy faza. Për herë të parë kemi një mekanizëm me dy faza, ndërkohë që Maqedonisë së Veriut konferenca e parë do t’i hapë rrugën drejtpërdrejtë kapitujve që do të negociohen”, tha Basha.Basha e përshëndeti vendimin e partive qeverisësë në Gjermani për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ndërsa thotë se shtimi i kushteve provon se vendi ynë ka bërë hapa pas.
Kryemadhi, dyshime mbi ftesën e OSBE për reformën zgjedhore
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi hodhi dyshime mbi sinqeritetin e ftesës së OSBE-së, që opozita jashtëparlamentare t’i bashkohej këtë të mërkurë tryezës së organizuar nga ky institucion për reformën zgjedhore. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi tregoi një detaj nga koha kur opozita ka marrë ftesën nga ambasadori Bernd Borchardt. “E çuditshme sepse si ftesa e OSBE ashtu, ashtu edhe letra publike e zotit Rama na erdhën në të njëjtën kohë, por nuk na erdhi një agjendë se çfarë do të diskutohej në këtë tryezë, sepse tryeza bëhen shumë”, tha Kryemadhi.
SHBA përshëndet rikthimin e opozitës në tryezën e reformës zgjedhore
Ambasada Amerikane në Tiranë ka përshëndetur pjesëmarrjen e opozitës joparlamentare në tryezën e thirrur nga OSBE për Reformën Zgjedhore në Shqipëri.
Ambasada shpreh vlerësim ndaj kryedemokratit Basha për takimet e zhvilluara dje, pasi përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore bashkërenduar nga parlamenti dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.
3 kandidatë për Kryeprokuror plotësojnë kushtet, skualifikohet avokati Lulzim Alushaj
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të vazhduar më tej garën për Prokuror të Përgjithshëm.
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, është shprehur se sot mbyllet etapa e parë, që është ajo e verifikimit të kushteve ligjore të kandidatëve.
“Anëtarët të Këshillit kanë shqyrtuar me seriozitet dosjen e çdo kandidati. Çdo anëtar i Këshillit do të shprehë mendimin e vet për plotësimin e kushteve ligjore të 4 kandidatëve në garë. Këshilli i shqyrton dosjet e kandidatëve sipas rendit alfabetik”, u shpreh Ibrahimi.
Këshilli ka vendosur se i plotëson kushtet ligjore Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela. Kandidati që skualifikohet është avokati Lulzim Alushaj, pasi nuk ka 15 vite pune si jurist i spikatur.
CDU/CSU: Shqipëria të plotësojë kushtet e vendosura
Pas votimit të së martës për hapjen me kushte të negociatave me Shqipërinë, koalicioni qeverisës në Gjermani, CDU-CSU, ka publikuar një tjetër njoftim për të sqaruar vendimin e marrë nga dy grupet kryesore parlamentare në Bundestagun Gjerman.
Deklarata rithekson edhe njëherë se për Shqipërinë është rekomanduar hapja në parim e bisedimeve, duke u vendosur kushte të rrepta.
“Ne kërkojmë për Shqipërinë kritere shumë më të rrepta se me Maqedoninë e Veriut: funksionimi dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë duhet të rivendoset dhe duhet miratuar vendimi për reformën zgjedhore. Deri në hapjen e vërtetë të kapitujve, duhen përmbushur kushte të tjera, siç është fillimi i procedurave kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Prandaj në negociata, kapitujt që do hapen të parët dhe të mbyllen së fundmi do lidhen me sundimin e ligjit dhe drejtësinë”, sqarohet në deklaratën zyrtare të Grupit Parlamentar CDU/CSU.
Me anë të këtij njoftimi, koalicioni qeveritar gjerman u bën thirrje aktorëve politikë në vendin tonë të plotësojnë kushtet e vendosura.
Organizimi i klubeve, FSHF thërret presidentët e Superiores
Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë nesër një takim me të gjithë presidentët apo drejtuesit kryesorë të klubeve të Superiores. Një takim i kërkuar nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, pasi nesër nis zyrtarisht procesi i licencimit për sezonin 2020-2021. Qëllimi i takimit është diskutimi për një organizim më të mirë të klubeve kryesore në vend në çdo drejtim, duke nisur nga procedura e licencimit, që është shumë e rëndësishme, për të vazhduar më pas me anën menaxheriale, raportin financiar, marketingun, anën juridike, etj.
Në bashkëpunim me ekspertë të UEFA-s, Federata jonë ka në plan të zhvillojë gjatë sezonit disa trajnime me drejtuesit e klubeve, në mënyrë që këta të fundit të jenë sa më të informuar dhe të përgatitur për një organizim efikas. Trajnimet shtrihen në gjithë vendin dhe përveç anës organizative të klubit, ku puna shtrihet në shumë degë, gjatë këtyre trajnimeve do të ketë informacion edhe sa i takon sigurisë në stadiume.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë