Podcast

Audio-Lajme shkurt 5 shtator 2019

Milionat e fituara në tendera nga kompanitë e të arrestuarve për mashtrim me TVSH
Miliona e siguruara nga skema e mashtrimit me rimbursimin e TVSH nuk janë të ardhurat e vetme që dyshohet se kanë siguruar të paktën dy nga shtatë biznesmenët e arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit antiinformalitet. Haxhi Sala, si pronar i “Leksi Security” dhe Paqsor Buzi, si pronar i “G.P.G Company”, kanë marrë miliona lekë të tjera në disa tendera që kanë fituar nga institucionet qendrore dhe vendore për punë dhe shërbime publike. Shoqëria private e ruajtjes dhe sigurisë fizike “Leksi Security” ka fituar dy tendera në tre vitet e fundit, me një vlerë totale rreth 21 milionë lekësh, ndërsa “G.P.G” Company e Paqsor Buzit ka përfituar tendera me vlerë totale rreth 350 milionë lekësh në dy vitet e fundit.

Rama: Raporti i ODIHR certifikoi 30 qershorin
Kryeministri Edi Rama deklaroi se raporti final i monitoruesve ndërkombëtare për zgjedhjet e 30 qershorit i certifikoi zgjedhjet e fundi lokale. Për shefin e mazhorancës, opozita po bën më kot një betejë si një furtunë në një gotë uji. “Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin, e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka certifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet”, reagoi Rama.
Kryeministri shprehet se zgjedhjet janë afër në vitin 2021 dhe se “dora e mazhorancës është e shtrirë për të gjithë”. “Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve”, tha Rama.

Hungaria: BE po bllokon qëllimisht anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Hungaria ka fajësuar Komisionin Europian se po përpiqet të parandalojë zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, duke mos lejuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të hapin negociatat.
“Komisioni Evropian ka penguar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke ndikuar jashtëzakonisht shumë në sigurinë dhe të ardhmen e Evropës”, tha Ministri i Jashtëm hungarez Péter Zijárto gjatë një takimi me homologët e tij të BE.
Zijárto këmbënguli se “Hungaria dhe BE-ja kanë interesa ekonomike, strategjike dhe politike” për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por se unioni po bllokonte qëllimisht këtë perspektivë.

Cakaj: BE të na trajtojë si të barabartë me Maqedoninë e Veriut
Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj pret që në tetor të mos ketë asnjë surprizë të pakëndshme, si ndarja e Shqipëria nga Maqedonia e Veriut sa i takon procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. BE do të vendosë më 18 tetor për këtë temë dhe sa më shumë afrohet kjo datë aq më të forta janë bërë zërat që flasin për një ndarje mes Shkupit dhe Tiranës. Cakaj nuk e përjashton këtë si mundësi, por thotë se ajo do të ishte e padrejtë dhe e pabarabartë. Cakaj thotë se Shqipëria ka gati strukturën dhe kapacitetet për të nisur procesin e negociatave dhe përballuar sfidat që dalin së bashku me 23 kapitujt e tyre.

“Dashuria”, kryefjala e mesazheve të politikës në 3-vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës
Në trevjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, politika në Tiranë ka lënë mënjanë ndasitë e thella dhe e ka nisur ditën me përcjelljen e mesazheve me kryefjalë “dashurinë” në nder të humanistes shqiptare. I pari që e kujtoi Shën Nënë Terezën përmes citimeve të saj ishte Presidenti Ilir Meta. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e vlerëson Gonxhe Bojaxhiun si trashëgiminë më të madhe dhe fisnike që populli shqiptar i ka lënë qytetërimit sot. Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur të citojë një nga shprehjet më të njohura të Nënë Terezës: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Sherr mes të rinjve, humb jetën 21-vjeçari në Bulqizë, arrestohet autori
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bulqizë ku një 21-vjeçar ka mbetur i vrarë pas një sherri me thika në qendër të qytetit. Viktimë ka mbetur Arlind Pasha, i cili ka humbur jetën rrugës për në spital, ndërsa autori është Fatjon Keta, i cili dyshohet të jetë me probleme mendore.
Policia në një njoftim të dytë bëri me dije se pas rreth 1:30 minutash në ndjekje të autorit, ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.

Vrau me sëpatë babanë, lihet në burg 35-vjeçari
Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 35-vjeçarin, i cili vrau babain me sëpatë në fshatin Shalës në Tepelenë.
Krimi i rëndë në familje tronditi këtë fshat para tri ditësh, kur Arjan Shahaj vrau babain e tij 77-vjeçar.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas një sherri në pyllin e fshatit Shalës, ku babë e bir kishin dalë për të bërë dushk për bagëtitë. Pas një sherri banal mes tyre, 35-vjeçari e vrau babain dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Erdogan: Turqia duhet të pajiset me armë bërthamore
Pas marrjes së një sistemit raketor nga Rusia, presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar të mërkurën se Turqia duhet të pajiset me armë bërthamore.
Duke folur për rritjen e industrisë turke të mbrojtjes, presidenti turk deklaroi se nuk ka asnjë vend të zhvilluar që nuk ka armë bërthamore, duke e cilësuar këtë vendim si një të drejtë legjitime të Turqisë.
Presidenti Erdogan tha të mërkurën se ishte e papranueshme që fuqitë bërthamore të ndalojnë Ankaranë të ketë armët e saj.

Doni të jetoni gjatë? Zbuloni si ia arrijnë japonezët në ishujt Okinawa
Të gjithë janë në kërkim të “eliksirit të rinisë” dhe duket se është i fshehur në ishujt japonezë të Okinawas. Atje jo vetëm që banojnë njerëzit që kanë moshën më të madhe se në çdo vend tjetër në tokë, por pjesa më e madhe e tyre gëzojnë shëndet të mirë. E veçanta e tyre është se mund të arrijnë moshën 100 vjeç, pa asnjë lloj sëmundje dhe e gjitha kjo falë gjenetikës së tyre, të cilët kanë më shumë të zhvilluar një gjen të veçantë, që është përgjegjës për rritjen e qelizave dhe dietës me karbohidrate të larta e me proteina të ulëta.

Ky është qyteti më i përshtatshëm për të jetuar
Sipas një raporti të ri, jetesa më e mirë është në Vjenë të Austrisë. “The Economist Intelligence Unit” e ka cilësuar atë për të dytin vit radhazi si qytetin më të banueshëm në botë. Që nga niveli i ulët i krimit, e deri tek arsimi i shkëlqyer dhe mundësitë shumë të mira të kujdesit shëndetësor, e kanë bërë këtë qytet vërtet të veçantë. Edhe kultura e qytetit si ushqimi apo pijet, sportet dhe mundësitë e argëtimit, luajtën një rol të rëndësishëm si një arsye tjetër për kushtet fantastike të të jetuarit. Ai u ndoq nga vende si Melbourne në Australi, Sydney gjithashtu në Australi, Osaka në Japoni dhe Calgary në Kanada.

Hysaj: Francën nuk e kemi frikë, duhet të shënojmë
Në konferencën për shtyp dy ditë ndeshjen me Francën para gazetarëve ka dalë mbrojtësi Elseid Hysaj. Pas një verë shumë të nxehtë, ku emri i tij ishte çdo ditë i lakuar në merkato, Hysaj rikthehet në ekipi kuqezi, i gatshëm për të ndeshjet, me Francën dhe Islandën. Duke folur për ndeshjen e së shtunës, Hysaj tha se Shqipëria ka treguar se ka bërë mirë në të shkuarën kundër “gjelave” dhe të njëjtën gjë do të tentojë të bëjë edhe këtë herë. Sipas Hysajt duhet tentuar që të shënohet një gol në “Stade de France” dhe duhet të kihet besim në një rezultat pozitiv. “Shqipërisë i mungojnë golat pasi edhe në ndeshje të tjera kemi treguar se dimë të luajmë, kemi shkuar deri te porta por nuk kemi arritur të shënojmë. Kemi provuar në vitin 2016 që dimë si të luajmë kundër Francës. Bëmë një ndeshje të mirë dhe treguam se dimë të ambientohemi. Nëse luajmë lojën tonë dhe pa frikë dhe duke mos menduar se janë kampionë bote, do të përballemi me to”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë