Podcast

Audio-Lajme shkurt 13 shtator 2019

Negociatat, misioni “Berlin” i Ramës për të bindur Merkelin
Kryeministri Edi Rama hoqi atletet me të cilat u shfaq në samitin e katër vendeve të Vishegradit në Pragë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veshi këpucët serioze në takimin me kancelaren Angela Merkel në Berlin, në një përpjekje për të bindur Gjermaninë për hapjen e negociatave. Takimi vjen kur duhet pak më shumë se një muaj nga vendimmarrja e Bashkimit Europian për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Në fund të takimit, Rama ka hedhur në rrjetet sociale një video tjetër, të cilën e shoqëron me një shënim të shkurtër, ku fjala “negociatë” mungon. “Shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares Merkel”, shkruan ai, duke e vlerësuar Angela Merkelin si mike të vërtetë të Shqipërisë.

4 vende anëtare të BE: Të hapen negociatat me Tiranën dhe Shkupin
Katër shtete anëtare të Bashkimit Evropian mbështetën edhe njëherë pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në union, duke thënë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të fillojnë bisedimet e anëtarësimi këtë vit.
Kryeministrat e grupit të Vishegradit, Republika Ceke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia dolën me një deklaratë zyrtare pas samitit me pesë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe kryeministrin Edi Rama.
“Grupi i Vishegradit dëshiron të mirëpresë anëtarët e rinj të BE dhe mbështet plotësisht hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë këtë vit,” tha kryeministri sllovak Peter Pellegrini para gazetarëve.
Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e katërshes së Vishegradit i thanë BE-së të shpejtojë bisedimet e pranimit me Malin e Zi dhe Serbinë dhe të hapë negociatat me Tiranën dhe Shkupin. Ato thotë se do të kryesojnë kauzën e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda Komisionit të ri.

PPP e rrugëve, Tabaku: Deputetët e Parlamentit, kukulla të Ramës
Partia Demokratike vijon me akuzat ndaj qeverisë Rama për rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Ish-deputetja Jorida Tabaku tha se një ditë më parë deputetët e parlamentit treguan se janë thjesht kukulla të Ramës. “Votimi i djeshëm për dy ligje që i japin praktikisht 366 mln euro Agim dhe Ndue Kolës (ANK) si dhe Lorenc Gjikurisë, për projekte të pastudiuara dhe të fryra, nuk është vetëm një krim ndaj buxhetit, në të vërtetë vendimi i djeshëm është vrasja me borxh të panevojshëm i fëmijëve tanë.
Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë treguan dje se janë thjeshtë kukulla. Përndryshe ata nuk do të kishin votuar për të rrëzuar një dekret presidencial që shmangte jo ndërtimin e një rruge me rëndësi, por abuzimin me taksat e shqiptarëve”, u shpreh ish-deputetja Jorida Tabaku.
Tabaku tha se çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se vota e deputetëve që janë marionetat e oligarkëve do të ndikojë në rritjen e borxhit publik me 2,8%. Sipas saj, kontrata Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, do të jenë të parat që kalojnë në sitën e Ligjit Anti-Mafia dhe anti-oligarki që ka propozuar PD.

Ish-kryebashkiakja e LSI në Përrenjas kallëzohet për shpërdorim detyre
Ish-kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit, Miranda Rira është kallëzuar penalisht për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Mësohet se kallëzimi është bërë në Prokurorinë e Elbasanit nga kryetari i ri i bashkisë, Nuri Belba. Teksa ka dorëzuar kallëzimin penal për “shpërdorim detyre”, Belba ka argumentuar edhe rastin për të cilin ka bërë padinë. Ish-kryetarja e bashkisë së akuzohet për tenderin e ndërtimit të “fushës së sportit” në Përrenjas, dhe sipas pretendimeve të kryebashkiakut aktual, paraardhësja e tij ka shpërdoruar detyrën.

Shkarkohet gjyqtari i Apelit për Krimet e Rënda, Gjovalin Përnoca
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gjovalin Përnoca. Vendimi u dha sot paradite nga trupa gjykuese që përbëhej nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Suela Zhegu anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs. Gjyqtari Përnoca ka rezultuar me probleme me pasurinë.
Gjyqtari pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, Gjovalin Përnoca, u përball të martën me Vetingun për të tria kriteret e vlerësimit, atë të ligjshmërisë së pasurisë, si dhe kriterin etik dhe profesional.
Përnoca u përball për herë të dytë në seancë dëgjimore me KPK-në, pasi më 30 korrik ai kërkoi më shumë kohë për të siguruar 7 prova, që ai i cilësoi vendimtare për procesin.

Çekia nuk tërhiqet nga Pavarësia e Kosovës
Deklaratat e presidentit çek në Beograd, Milo Zeman, për tërheqjen e Pragës nga pavarësia e Kosovës, duket se është hedhur poshtë nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi të BE.
Kryeministri Andrej Babis deklaroi të enjten se Çekia nuk ka asnjë arsye të ndërrojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës.
Pasi Prishtina anuloi pjesëmarrjen në Samitin e Pragës me liderët e vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor, Ministria e Punëve të Jashtme të Çekisë, duket ka mbyllur perden e një shfaqjeje të keqe të nisur nga presidenti pro-rus i vendit,
Në një njoftim ajo thotë se Republika Çeke e ka njohur plotësisht dhe në mënyrë përfundimtare pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke sqaruar që asnjëherë në histori nuk ka ndodhur që Praga zyrtare të tërheqë njohjen për ndonjë shtet.

Punonjësi vdiq duke kryer seks, gjykata shpall kompaninë përgjegjëse
Një kompani franceze u shpall përgjegjëse për vdekjen e një punonjësi të saj, që pësoi arrest kardiak gjatë marrëdhënieve seksuale me një të panjohur në një udhëtim pune. Vendimi u mor nga një gjykatë në Paris, që e vlerësoi vdekjen e punonjësit të ndjerë, të quajtur Xavier X, si aksident në punë dhe se familja e tij kishte të drejtën e marrjes së kompensimit nga punëdhënësi. Xavier X punonte si inxhinier për një kompani në fushën e shërbimeve dhe riparimit të hekurudhave në një pjesë të mirë të Francës. Ai vdiq në një dhomë hoteli në Francën qendrore në vitin 2013. Për të shmangur detyrimet e kompensimit kompania e përshkroi vdekjen si pasojë e një “marrëdhënieje jashtëmartesore me një të panjohur perfekte”.Por, gjykata e Parisit e rrëzoi këtë këndvështrim të kompanisë dhe tha se gjatë një udhëtimi pune, punonjësi gëzon mbrojtjen e plotë sociale gjatë gjithë kohës që është në atë udhëtim, pavarësisht rrethanave dhe orareve.

Krah Ronaldos, Hysaj në formacionin më të mirë të eliminatoreve
Pas dy ndeshjeve eliminatore të shtatorit të vlefshme për kampionatin Europian 2020, revista e njohur franceze, “France Football” ka bërë formacionin ideal, me lojtarët që bënë paraqitjet më të mira në këto dy ndeshje. Në këtë formacion të revistës franceze bie në sy prezenca e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, krah disa prej futbollistëve më të mirë në botë, si Ronaldo, Sanço, De Brynje, apo Nikitarian.
Në korsinë e djathtë të mbrojtjes revista franceze ka përzgjedhur mbrojtësin shqiptar, Elseid Hysaj. ‘France Football’ e vlerëson shkodranin për aksionin e golit të tij kundër Islandës, që ishte i pari me kombëtaren, por në tërësi për të dyja ndeshje, duke thënë se tashmë është një busull për ekipin e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë