Podcast

Audio-Lajme shkurt 10 shtator 2019

“Tahiri”, akti final! Prokuroria kërkon 12 vite burg
Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, që ndër të tjera akuzohet për përfshirje në grupin e strukturuar kriminal të Habilajve dhe trafikun e hashashit në drejtim të Italisë. Organi i akuzës paraqiti si prova të lidhjes së Tahirit me këtë grup makinën Audi dhe një mjet lundrues që ish-ministri dhe Habilajt e kanë përdorur bashkërisht në disa raste. Tahiri hodhi poshtë akuzat dhe tha se as nuk ishte pjesë e grupit dhe as kishte mbrojtur këtë grup, duke paraqitur edhe një dokument, sipas të cilit Policia e Vlorës në kohën që ai ishte ministër kishte referuar për ndjekje penale Moisi dhe Florian Habilajn me akuzën e “pengmarrjes”. Nëse Tahiri shpallet fajtor, ai përfiton nga ulja me një të tretën e dënimit dhe do të vuante 8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Seanca ndaj Tahirit ndiqet edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

PD akuzon kryebashkiakun e Vaut Dejës si të dënuar në Itali e Maqedoni
Partia Demokratike ka akuzuar se një tjetër kryebashkiak socialist ka pasur të kaluar të errët kriminale. Numri dy i PD-së, Gazment Bardhi i ka drejtuar letër Prokurorisë së Përgjithshme që të verifikojë kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babanin, pasi sipas tyre rezulton se ka qenë i dënuar në Itali dhe dëbuar nga ky shtet, si dhe i dënuar dhe i dëbuar po nga Maqedonia e Veriut. PD akuzon se Babani ka ndryshuar tre herë emrin e mbiemrin dhe se i është ndaluar hyrja në Itali.
Kryebashkiaku Babani hodhi poshtë akuzat e PD-së, duke pranuar vetëm se ka ndryshuar mbiemrin e ditëlindjen, por theksoi se asnjëherë nuk ka dënuar apo ka bërë burgim. Ky është kryebashkiaku i tretë që opozita akuzon kryebashkiakët e PS-së, pas Valdrin Pjetrit të Shkodrës dhe Agim Kajmakut të Vorës.

Venecia mbërrin në Tiranë, më 11 tetor raporti për shkarkimin e Metës
Pesë anëtarët e delegacionit të komisionit të Venecias kanë zhvilluar sot në Tiranë takime intensive me përfaqësuesit e opozitës brenda dhe jashtë Parlamentit, presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Qëllimi i vizitës së tyre është që të njihen nga afër me kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta pas nxjerrjes së dekretit për shfuqizimin e datës 30 qershor për zgjedhjet lokale. Opozita e cilësoi si të qëllimshme nismën dhe mbrojti Metën, ndërsa kryetari i grupit të PS-së, Balla u shpreh pas takimit se mazhoranca është e vendosur për shkarkimin e presidentit.

Qeveria e re europiane, Hungaria merr portofolin e zgjerimit
Ursula von der Leyen ka zbuluar zyrtarisht përbërjen e Komisionit të ri Evropian të ardhshëm, duke i dhënë portofolin e zgjerimit Hungarisë. László Trócsányi do të pasojë zyrtarisht Johannes Hahn si Komisioner për Polikat e Zgjerimit, duke marrë kështu në dorë fatin e anëtarësimit të Ballkanit për katër vitet e ardhshme.
Eurodeputeti hungarez shërbeu si ministër Drejtësie në Budapesy nga vitit 2014 deri në 2019-ën. Ai ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese të vendit dhe u bë një figurë mjaft e spikatur gjatë kohës që shërbeu si ambasadori Hungarisë në Belgjikë dhe Francë.
Ai nuk është një anëtar i partisë qeverisëse të kryeministrit Viktor Orban, Fidesz, por kryesoi listën e kësaj partie në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Ai perceptohet si një figurë besnike ndaj kryeministrit Viktor Orbán dhe një mbështetës i madh i Ballkanit dhe anëtarësimit të tij në BE.
Përbërja e Komisionit të ri Europian do të kenë nevojë për miratimin e Parlamenti Evropian për të filluar më pas mandatin në nëntor.

Policia arreston 48 shoferë dhe pezullon 100 leje drejtimi në 1 javë
Policia Rrugore e Tiranës njofton se përgjatë kësaj jave janë arrestuar 48 drejtues automjetesh si dhe janë pezulluar 100 leje drejtimi. Janë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” 47 drejtues mjetesh dhe motorësh, nga të cilët 13 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 34 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Riatdhesohen 104 shqiptarë nga Franca, Belgjika dhe Gjermania
Riatdhesohen 104 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në BE apo kishin kërkuar azil. Operacioni është finalizuar sot në bashkëpunim me Francën, Belgjikën dhe Gjermaninë.
15 shtetas janë kthyer nga Franca, 5 nga Belgjika dhe 84 nga Gjermania. Policia ka bërë me dije se operacionet e riatdhesimit do të vijojnë edhe në javët e ardhshme dhe u bën apel të gjithë shtetasve shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe të mos provojnë të kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.

I shënoi Shqipërisë, Franca mahnitet nga “binjaku” i Mbape
Gol me fanellën e Francës që me prekjen e dytë të topit në ndeshjen me Shqipërinë erdhi nga Xhonatan Ikone, sulmuesi anësor i Lilës. 19 vjeç, Ikone vetëm në ëndërr mund ta shikonte një debutim të tillë me kampionët e botës. Trajneri Deshamp e aktivizoi në 10 minutat e fundit, në vend të “Njeriut të ndeshjes”, sulmuesit Kingsli Koman, autor i dy golave ndaj kuqezinjve. Dhe 21-vjeçari me origjinë kongoleze nuk e humbi rastin, por menjëherë e impresionoi trajnerin e tij me një të majtë precize në golin e 4-t të Francës. Ikone ka lindur më 2 maj 1998, në Bondi, një qytezë me rreth 50 mijë banorë. E njëjta qytezë ku ka lindur edhe “binjaku” i tij, Kilian Mbape, pak muaj më vonë. Të dy janë rritur në të njëjtën skuadër dhe janë stërvitur nga babai i Mbape.

 

Më Shumë