Podcast

Audio-Lajme 27 shtator 2019

Gjermania, apel Holandës dhe Francës: Mos bllokoni negociatat me Shqipërinë
Pasi vendosi nëntë kushte për të filluar negociatat me Shqipërinë, Gjermania u ka bërë apel sot vendeve skeptike si Franca dhe Holanda t’i bashkohen vendimit të saj dhe të mos bëhen pengesë as për vendin tonë as për Maqedoninë e Veriut.
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, social-demokrati Heiko Maas, nëpërmjet një deklarate zyrtare ka kërkuar bashkimin e dy vendeve skeptike me qëndrimin e Berlinit.
Sipas raporteve, Gjermania po lobon me këto vende më radikale se ajo, me shpresën se kushtet e vëna mund të shërbejë si një garanci për t’i bindur ato.
Franca nuk e ka bërë ende publik qëndrimin, por Holanda ka dalë hapur në Parlamentin Europian kundër integrimi të vendit tonë. Po ashtu, Holanda në një rezolutë të parlamentit që i ka thënë jo Shqipërisë.
Debati në Parlament, Holanda, “delja e zezë” e hapjes së negociatave për Shqipërinë
Holanda nuk mendon se në Shqipëri është bërë një progres domethënës për të ndryshuar qëndrimin e shprehur në muajin qershor sa i takon hapjes së negociatave të anëtarësimit. Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Çështjet Europiane në Parlamentin holandez, ministri i Jashtëm, Stef Blok e bëri të qartë këtë. Në procesverbalin e zbardhur të mbledhjes, ligjvënësit holandezë pyesin ministrin e Jashtëm nëse me qëndrimin për të bllokuar negociatat për Shqipërinë, Holanda rrezikon të shndërrohet në “dele të zezë” të zgjerimit, duke u bërë i vetmi vend i BE-së që del kundër Tiranës. Blok mendon se jo.Dy eurodeputetet holandeze, Caroline Nagtegaal van Doorn dhe Malik Azmani, ky i fundit me origjinë marokiene, kanë ngritur shqetësimin pranë Komisionit Europian mbi atë që e quajnë fluks të pashoq të emigrantëve të parregullt shqiptarë në portet e Europës, sidomos në ato holandeze.
Vakanca në Kushtetuese, Meta rishpall garën për anëtar
Presidenti Ilir Meta ka rishpallur garën për një vend vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, pas krijimit të vakancës së Besnik Imerajt. Në pamundësi për të plotësuar numrin minimal të kandidatëve që është tre për një anëtar të Gjykatës, Meta është në lëvizje pas njoftimit të bërë nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Presidenti në dekretin e nxjerrë kërkon që brenda datës 18 tetor kandidatët mund të depozitojnë emrat e tyre. Nga 15 kandidatë, KED përzgjodhi Besnik Muçin dhe Regleta Panajotin, të tjerët u skualifikuar.
FMN: Stop PPP-ve të pakërkuara, fiskalizimi të mos shtojë kostot e biznesit
Fondi Monetar Ndërkombëtar në prag të nxjerrjes së raportit për Shqipërinë në muajin tetor vazhdon të përsërisë apelin për financimet e projekteve me Partneritet Publik Privat.
Në një intervistë të dhënë për ‘News 24’ shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Jaan Keejs Martijn, i bën apel qeverisë për koncesionet duke kërkuar që të ndalen propozimet e pakërkuara.
“Qeveria të mos pranojë më propozime të pakërkuara për shërbimet publike. Qeveria duhet të vendosë vetë për PPP-të në bazë të prioriteteve”- është shprehur shefi i misionit të FMN-së.
Fondi ka kërkuar nga qeveria shqiptare që prokurimet të jenë transparente duke evidentuar se deri më tani nuk janë të harmonizuara me ciklin buxhetor.
FMN shprehet pro nismës për të ulur informalitetin, por sugjeron që të jetë sipas menaxhimit të riskut.
Kurse për fiskalizimin rekomandon që në këtë proces biznesi të mos rëndohet me kosto shtesë.
Raporti ekonomik për Shqipërinë do të publikohet në muajin tetor, kur edhe Misioni i FMN-së do të mbërrijë në Tiranë.
Adria Airways në vështirësi financiare, ende nuk dihet fati i kompanisë
Kompania sllovene e fluturimeve, Adria Airways, është në vështirësi financiare e që prej ditës së martë ka anuluar fluturimet në destinacionet që kryen.
Ajo njofton në faqen e saj se do të vazhdojë të mos fluturojë edhe në ditët në vijim 26, 27 shtator.
Kompania sllovene, Adria Airways, ka afat deri më 2 tetor që të paraqesë një plan ristrukturimi financiar përndryshe do t’i hiqet licenca përkatëse.
Paralajmërimin për heqjen e licencës e ka bërë para dy ditësh agjencia shtetërore sllovene e aviacionit. Adria Airways ka pasur deri pak ditë më parë 20 avionë, por aktualisht mund të operojë vetëm me 10 prej tyre pasi kontraktorët që ia kishin lëshuar me qira ia kanë bllokuar për mungesë pagese.
Qeveria sllovene ka refuzuar ndihmën ndaj kompanisë Adria Airways për ta nxjerrë nga kriza financiare. Kompania është duke biseduar me Bankën Qendrore për të zgjidhur ngërçin financiar.
Kompania bën me dije për publikun se po vazhdon bisedime aktive me pronarë të rinj të mundshëm dhe kreditorët kryesorë dhe mbetet e përkushtuar në arritjen e zgjidhjes pozitive për të gjithë.
Adria Airways këshillon pasagjerët e saj të kontrollojnë se cili është transportuesi i tyre para se të arrijnë në aeroport dhe nëse është Adria Airways, atëherë ata duhet të kontaktojnë zyrat e shitjeve, ku janë blerë biletat për të kryer fluturimin e planifikuar me kompani të tjera zëvendësuese.
Kontejnerët me kokainë, zbulohen emrat e dy të arrestuarve
Janë zbuluar emrat e dy prej të arrestuarve lidhur me kontejnerët e zbuluar ditën e djeshme që përmbanin kokainë dhe do të niseshin nga Porti i Pireut, Greqi për në portin e Durrësit, Shqipëri.
Mësohet se të arrestuarit janë Ardian Bega dhe Altin Mislihaka. Ndërkohë është shpallur në kërkim Gentian Malindi. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një deklaratë për mediat bëri me dije se ky operacion me policinë greke vijon që në muajin gusht.
Veliu tha se në përfundim të këtij operacioni u sekuestruan 137 kg kokainë dhe se shtetasit e arrestuar rezultojnë të jenë pritësit e lëndës narkotike në Durrës.
Ndër të tjera, Veliu tha se vazhdon puna intensive për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Veliaj dhe Klosi “zihen” për lejet mjedisore
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka pasur një debat në distancë me kryebashkiakun Veliaj për lejet mjedisore.
Ditën e djeshme, kryebashkiaku Erion Veliaj në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të qeverisjes qendrore kërkoi decentralizimin e lejeve mjedisore.
Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi që ato t’i kalojnë pushtetit vendor, pasi nuk mund të vendosë qeveria për një furrë buke apo një lavazh dhe se qytetarët i kërkojnë llogari pikërisht pushtetit vendor për problemet që vijnë në këtë drejtim.
Ndërsa, sot në një aktivitet në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i është kundërpërgjigjur kryebashkiakut Erion Veliaj. Ministri Klosi theksoi se janë prishur dëshirat e një kryebashkiaku me ligjin e ri për lejet mjedisore.
Aksioni anti-informalitet, Doganat bllokojnë 1.6 milionë litra gaz
Doganat kanë bllokuar 1.6 milionë litra gaz të lëngshëm pasi subjekti që i tregtonte është konstatuar me shmangie cilësore, shmangie të procedurave dhe detyrime ndaj shtetit.
Lajmin e ka bërë me dije drejtori i Doganave, Arlind Gjokutaj që ka inspektuar kontrollet në terren në kuadër të operacionit “Stop informalitetit’.
Pas kontrollit dhe konstatimit për shkeljet, janë bllokuar 1.6 milionë litra gaz një subjekti me 350 mijë euro detyrim ndaj shtetit. Mësohet se në këtë rast ishte shmangur pagesa e akcizës, ndërkohë që gazi kishte probleme dhe mangësi të parametrave cilësorë dhe të dokumentacionit.
Pompeo në Ballkan, viziton Shkupin e Podgoricën, por jo Tiranën
Sekretari Amerikan i Shtetit Amerikan Mike Pompeo do të vizitojë muajin e ardhshëm dy vendet fqinje të Shqipërisë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si pjesë e një turneu diplomatik në rajon, por jo vendin tonë.
Pompeo, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit amerikan Donald Trump së pari pritet të arrijnë në Shkup, dhe më pas të bëjnë një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Ky tur vjen pasi Sekretari Amerian i Shtetit caktoi Matthew Palmer si të dërguarin e posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor.
Pompeo do të jetë Sekretari i parë i Shtetit viziton Maqedoninë fqinje që nga vizita e Colin Powell gjatë krizës së vitit 2000.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Sekretari i fundit Amerikan i Shtetit që vizitoi Shqipërinë ishte John Kerry në 14 shkurt të vitit 2016.
Rrëfimi i Marash Kumbullës: 19 vjeç në Serinë A, një ëndërr
Marash Kumbulla, mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, ka pasur fatin të luajë në futbollin italian në një moshë shumë të re si titullar, 19 vjeç. Ka kaluar me sukses një provë shumë të vështirë dhe në një të ardhme të afërt patjetër do të jetë titullar edhe me kuqezinjtë. Kumbulla ka folur për emocionet e debutimit në Serinë A për faqen zyrtare të klubit të Veronës. “Më duket diçka e çuditshme të shoh veten me fanellën e Veronës në Serinë A. Diçka që e ëndërroja. Debutimi në Serinë A ishte një emocion i veçantë, të gjithë ata që luajnë futboll ëndërrojnë këtë moment, të luajnë në Serinë A, ndërsa unë ia dola në moshën 19-vjeçare dhe është krenari për mua. Është diçka shumë e bukur, kujtoj gjithçka nga ndeshja e debutimit me Bolonjën. Ishte një paraqitje shumë e mirë e skuadrës, edhe pse ishim me 10 vetë. Një kujtim që do të më shoqërojë gjithë jetën. Isha 8 vjeç kur nisa aventurën te Verona. Nuk e kisha idenë se çfarë isha duke bërë në atë moshë, kur doja thjesht të argëtohesha”, ka rrëfyer Kumbulla.

 

Më Shumë