Podcast

Audio-Lajme shkurt 11 shtator 2019

Venecia më 11 tetor nxjerr raportin për shkarkimin e Metës
Ekspertët e komisionit të Venecias do të publikojnë më 11 tetor opinionin nëse presidenti Ilir Meta ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ekspertët e thirrur nga Parlamenti zhvilluan sot takimin me anëtarët e komisionit e posaçëm hetimor, duke mbyllur takimet dyditore.
Karlo Tuori, kreu i delegacionit, u shpreh për mediat se kanë mbledhur të dhëna të mjaftueshme dhe se kanë krijuar një mendim nëse presidenti me aktin e tij për anulimin e zgjedhjeve ka shkelur ose jo Kushtetutën.

Tetë dekretet e Presidentit shqyrtohen në Parlament
Parlamenti do të shqyrtojë në seancën e së enjtes tetë dekretet e presidentit Meta për rishqyrtim ligjesh dhe një emërim për kryetarin e KLSH-së. Mazhoranca pritet të rrëzojë në bllok dekretet, së bashku me propozimin për emërimin e Petraq Milos në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Dekretet për kthimin e ligjeve u firmosën nga Meta në kulmin e konfliktit me mazhorancës, e cila ka nisur një procedurë hetimore në Parlament për shkarkimin e kreut të Shtetit. Mazhoranca pritet që t’i rrëzojë në bllok të gjitha propozimet e presidentit, duke mos pranuar asnjë për rishikimin e tyre.

Tre këshilltare ligjore të Kushtetueses në garë për anëtare të kësaj gjykate
Të paktën njëra mes Arta Vorpsit, Fiona Papajorgjit dhe Elsa Toskës me gjasë do të gradohet nga këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese, në anëtare të saj. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përfundoi të martën renditjen e kandidaturave sipas skemës së pikëzimit. Në fund të vlerësimit të KED, Arta Vorpsi ka marrë më shumë pikë, 89.61 pikë, pasuar nga Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Besnik Muçi, Marsida Xhaferllari dhe Regleta Panajoti. Sipas parashikimeve të ligjeve të miratuar në kuadër të reformës në drejtësi, KED duhet të dorëzojë listën me të paktën tre anëtare në Presidencë dhe Kuvend.

Del lista, vetëm 8 kandidatë vijojnë garën për në Gjykatën e Lartë
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përzgjedhur kandidatët që kualifikohen për në Gjykatën e Lartë.
Nga lista me 22 kandidatë nga radhët e juristëve që kishin aplikuar për vendet vakante në Gjykatën e Lartë vetëm 8 prej tyre do të vazhdojnë garën, pasi 13 janë skualifikuar dhe 1 është dorëhequr.
Kandidatët që do të vazhdojnë garën janë: Jetmira Rragami, Rezarta Melo (Cenaj), Sokol Sadushi, Ervin, Pupe, Theodhori Sollaku, Kestrin Katro, Ilir Panda dhe Ardita Buna Alsula.
Kandidatët e skualifikuar janë: Serxhio Mazreku, Ndue Pjetri, Ergys Misha, Aldona Sulaj, Jordan Daci, Lindita Troja, Alma Loci, Vjosa Bodo Mujo, Heroina Albunesa, Anton Lleshaj, Agron Lamaj, Shaqir Hasanaj, Altin Binaj.

PD nxjerr prova të reja: Zgjedhjet e 30 qershorit u manipuluan
Partia Demokratike ka publikuar sot prova, që sipas saj, tregojnë se si u manipulua nga Partia Socialiste procesi i votimit të 30 qershorit. Sipas ish-deputetit Oerd Bylykbashi fletët e votimit janë marrë në grup, janë plotësuar fletë votimi bosh, si edhe janë mbushur kutitë e votimit nga komisionerët socialistë.
“Janë shkelur standardet ndërkombëtare për zgjedhjet. Ishte një proces i organizuar vetëm nga Partia Socialiste dhe zgjedhësit u detyruan me dhunë që të votojnë. Ne kemi prova për manipulim skandaloz të numërimit”, u shpreh Bylykbashi. Sipas tij, pavarësisht shkeljeve të rënda që janë vërejtur, ende asgjë nuk është hetuar.

PD: Rama-Veliaj, show me librat falas
Partia Demokratike e cilëson propagandë të Edi Ramës dhe Erion Veliajt nismën e librave falas. Sipas opozitës, e vërteta është krejt tjetër dhe atë e dijnë prindërit, që ish-deputetja demokrate, Orjola Pampuri tha se po harxhojnë buxhetet familjare për të pajisur fëmijët e tyre me libra me çmime të kripura.PD thotë se përveç faktit që çmimet e librave janë jashtëzakonisht të shtrenjta, prindërit duhet të përballen dhe me vështirësi të tjera duke humbur ditën e punës e për të mbajtur radhët e gjatë e për të blerë librat e fëmijëve të tyre”, deklaroi Pampuri.

Ambasadori i ri gjerman me Ruçin: Po çeljes së negociatave
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka pritur ambasadorin e ri të Gjermanisë, Peter Zingraf, me rastin e fillimit të mandatit të tij në Shqipëri. Pasi të dy nënvizuan dëshirën për të fuqizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, ambasadori Zingraf deklaroi se “Kancelarja Merkel ka deklaruar së fundi se Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria kanë rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe BE-në”. “Synimi i Gjermanisë është t’i thotë PO çeljes së negociatave me Shqipërinë”, nënvizoi ambasadori Zingraf.

Tensione në Kadastrën e Vlorës, të shkarkuarit nuk lëshojnë zyrën
Shkarkimi i drejtorit dhe nëndrejtorit të Kadastrës së Vlorës është shoqëruar me tensione në këtë institucion.
Mësohet se Florian Alimadhi, ish-kreu i Kadastrës dhe ish-nëndrejtori Klodian Troci, kanë refuzuar që të lënë zyrat. Ata u shkarkuan pasi kishin shmangur zbatimin e disa vendimeve të gjykatës.
Në vend të Alimadhit u emërua juristi Alteo Nazëraj dhe nëndrejtorin Klodian Troci e ka zëvendësuar Krenar Xhemali.
Ndërkohë, ka dhënë dorëheqjen edhe nëndrejtori tjetër i Kadastrës së Vlorës, Ardian Musta.

Dëbimet nga Gjermania, shqiptarët të parët
Shqiptarët kryesojnë në listën e të dëbuarve nga Gjermania për gjysmën e parë të vitit 2019. Pjesa më e madhe e tyre janë futur në procedura azilkërkimi dhe pasi u është refuzuar kërkesa janë riatdhesuar, ndërsa pjesës tjetër procedura iu mohua automatikisht. Pas shqiptarëve, vijnë serbët, rusët, gjeorgjianët dhe nigerianët. Shifrat kanë dalë nga raporti që qeveria gjermane i ka dorëzuar partisë së Majtë, pas kërkesës së kësaj të fundit për t’u njohur me shifrat zyrtare të azilkërkuesve dhe praktikave që ndjekin autoritetet me këtë kategori.

Trump shkarkon Bolton, njeriun që s’donte pavarësinë e Kosovës
Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Bolton, është shkarkuar nga detyra. Vendimin e ka marrë presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, i cili e ka bërë më pas të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale. Sipas asaj që presidenti Tramp shkruan në Twitter, ai dhe Bolton nuk kishin të njëjtat parime për shumë çështje.
Xhon Bolton njihet si një nga përkrahësit e mëdhenj të Serbisë. Në kohën kur ishte ambasador i ShBA-ve në OKB, ai ka qenë hapur kundër pavarësisë së Kosovës. Por shkarkimi i tij nuk lidhet me Kosovën por siç shkruajnë mediat amerikane, me çështje të tjera më sfiduese për Shtëpinë e Bardhë si Irani, Koreja e Veriut dhe së fundi Afganistani.

A ishte Islanda fillimi i ciklit “Kombëtare me sa më pak kosovarë”?
Ëndrra e madhe e gjithë shqiptarëve “një komb, një kombëtare”, do të mbetet në sirtar përgjithmonë. Për shumë e shumë arsye, nuk mund të kemi një kombëtare futbolli të përbashkët. Në një analizë të saj, Gazeta “Si” shkruan se tani e tutje do të kemi Shqipërinë dhe Kosovën, secilën për llogari të vet. Kosova është një skuadër më e bukur për momentin, luan një futboll simpatik dhe rezultativ, ndërsa Shqipëria është në një moment delikat, atë të ringritjes. Ndeshja e së martës mbrëma ishte një sinjal i qartë se baza e ekipit kuqezi në vazhdim do të jetë e fokusuar më shumë drejt futbollistëve të lindur ose me origjinë nga Shqipëria. Nga burime jo zyrtare Gazeta Si mëson se nga FSHF-ja ka një orientim të qartë për të ardhmen e Kombëtares, ku lojtarët kosovarë nuk janë prioritet. Nuk ka qejfmbetje dhe as xhelozi. Kosovarët janë të mirëpritur me fanellën kuqezi, por është logjike të mendohet se në të ardhmen pjesa më e madhe e tyre do të zgjedhin Kosovën. Gjithë shqiptarët do të bëjnë tifo për dy Kombëtare, për Shqipërinë dhe për Kosovën. Ndryshimi është se e para për shqiptarët është Shqipëria dhe e para për kosovarët është Kosova.

 

Më Shumë