Podcast

Audio-Lajme 23 shtator 2019

Tërmeti, Qeveria premton dëmshpërblim për dëmtimet
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se qeveria do të dëmshpërblejë të gjitha dëmet me fondet e veta në mbi 500 banesave të dëmtuara nga tërmeti i fuqishëm i së shtunës.
Mbi 70 inxhinierë do të angazhohen për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti në zonat e Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit.
Ministrja theksoi se të gjitha aeroportet, rrugët dhe portet janë funksionale dhe se qeveria ka reaguar në kohë rekord ndaj situatës së krijuar nga lëkundjet sizmike.

Ambasada gjermane: Tërmeti, tronditës edhe për ne
Pas tërmeteve të rëna gjatë fundjavës në vendin tonë, një mesazh solidarizimi për shqiptarët përcjell edhe Ambasada Gjermane në Tiranë. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ambasada thekson se tërmeti ishte tronditës edhe për ta. Për tërmetet ka reaguar edhe Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli. Pasi jep mbështetje për të gjithë shqiptarët, Sassoli thekson se Europa është gati të ndihmojë në rikonstruksionin e dëmeve që shkaktuan tërmetet.


Nesër nis mësimi, vetëm dy shkolla të dëmtuara
Përmes një deklarate për shtyp dhe një postimi në rrjete sociale, Ministrja e Arsimit Besa Shahini, ka njoftuar se mësimi do të nisë nesër nëpër shkolla dhe dita e sotme, pushim do të zëvendësohet.
Shahini gjithashtu ka theksuar se vetëm dy shkolla nuk do të hapen ditën e nesërme për shkak se ka pasur dëmtime nga lëkundjet e tërmetit, ndërkohë nxënësi e këtyre dy shkollave do të transportohen në një shkollë tjetër.

Sot do miratoheshin kandidatët për kryeprokuror, KLP shtyn mbledhjen
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shtyrë mbledhjen që ishte parashikuar sot në orën 12:00 për të miratuar kandidaturat për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Nëpërmjet një njoftimi është bërë me dije se mbledhja e Këshillit do të shtyhet për ditën e mërkurë në orën 10:00, për shkak se deri në momentin e zhvillimit të saj nuk ka mbërritur zyrtarisht letra e Komisionerit Publik për ankimimin ose mosankimimin e vendimit të KPK-së së datës 4 shtator 2019 për kandidatin për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsi Çela.
Katër kandidatë që kanë shprehur interesin për detyrën e kryeprokurorit janë: Arta Marku (kryeprokurore në detyrë), Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj.
Ndërkohë, Komisioneri Publik ka reaguar dhe ka theksuar se afati për shqyrtimin e ankimimit mbaron sot.


Rama niset në SHBA, takim me Trump e liderë të tjerë
Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në Asamblenë vjetore të OKB-së. Vetë Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se do të takohej me presidentin amerikan Donald Trump. Gjithashtu mësohet se Rama do të takohet edhe me kryeministrin grek Micotaqis. Kryeministri shqiptar anuloi disa ditë më parë udhëtimin drejt SHBA-ve për shkak të tërmetit të së shtunës. Ndërsa opozita reagoi duke theksuar si një braktisje e detyrës. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili tha se qeveria duhet të shpallte emergjencën kombëtare për situatën e krijuar.


Vdekja e dy punëtorëve, lirohet nga burgu administratori i “Skela Syla”
Petrit Syla, administrator i ‘Skela Syla’, është liruar sot nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit. Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ai ishte lënë në masën “Arrest me burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë, si i dyshuar për shkelje të rregullave të sigurisë në punë. Pasi u shpall fillimisht në kërkim, Syla u arrestua disa javë pas ngjarjes së ndodhur më 16 gusht 2019, ku në rrugën “Faik Konica”, në Tiranë, si rezultat i rrëzimit të skelave të pallatit që ishte në rikonstruksion, u aksidentuar dhe ndërruan jetë dy punëtorë.

Cikalleshi 4 gola brenda 2 javësh, Strakosha ende i çorientuar
Sokol Cikalleshi po shijon momentin e tij të mirë sportiv. Pas dy golave të shënuar me fanellën e Kombëtares, ndaj Francës dhe Islandës, sulmuesi kavajas ka shënuar në dy ndeshje radhazi në Turqi me skuadrën e tij, Akhisasporin, në ligën e dytë. Një javë më parë “bomberi” realizoi me penallti ndaj skuadrës së portierit Gentian Selmani, kurse dje shënoi në fitoren 3-1 ndaj Hatajsporit.
Nga ana tjetër, pjesëtari tjetër i Kombëtare, Tomas Strakosha, portieri i Lacios, nuk ishte në lartësinë e duhur edhe në fitoren 2-0 ndaj Parmës së Kastriot Dermakut. Strakosha, ashtu si në Ligën e Europës, ku bëri disa gabime, edhe ndaj Parmës nuk ishte shumë i kthjellët, por fati i tij ishte që Lacio nuk pësoi gol mbrëmjen e së dielës.
Merrni çadrat me vete, këtë javë kemi shi
Vendi ynë këtë fillim javë është përfshirë nga një qendër me presion të ulet atmosferik. Në mesditë vranësirat u pasuan nga reshje shiu dhe stuhi përgjatë ultësirës perëndimore. Temperaturat do të jene me rënie graduale. Moti do të jetë me reshje shiu dhe stuhia do na shoqërojë, deri ditën e Martë ku në pjesën e parë të ditës do të jenë me intensitet të lartë.
Temperaturat do të zbresin në mesditë duke u luhatur nga:
13-20 gradë celsius në zonat veriore
16-26 gradë celsius në zonat e ulëta
18-26 gradë celsius në zonat bregdetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë