Podcast

Audio-Lajme 26 shtator 2019

Ndalohen ilaçet me përmbajte “ranitidinë”, janë kancerogjene
Medikamentet që kanë përmbajtje të molekulës “ranitidinë” si Zantac, janë cilësuar kancerogjene dhe të dëmshme për shëndetin e njeriut. Lajmi fillimisht është bërë i ditur nga Administrata Amerikane e Ilaçeve dhe Ushqimit dhe nga Agjencia Europiane e Barnave, të cila kanë saktësuar se në studime të ndryshme janë gjetur N- Nitrosodimetlamine në barna me lëndë aktive si “ranitidina”. Gjithashtu edhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në Shqipëri, në faqen e saj zyrtare ka bërë me dije se “NDMA” është një lëndë e klasifikuar prej kohësh si kancerogjene.
Sipas agjencisë, ka pasur një tërheqje vullnetare nga tregu të disa prej firmave prodhuese, ndërkohë që agjencia ka njoftuar profesionist e shëndetit për efektet anësore të kësaj lënde.
Pas një jave hapet lotaria amerikane
Prej orës 18:00 të datës 2 tetor dhe deri në orën 17:00 të datës 5 nëntor 2019, të gjithë qytetarët shqiptarë që nuk u ka buzëqeshur fati në lotaritë e mëparshme për të marrë vizën amerikane, mund ta provojnë sërish. Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se përgjatë kësaj periudhe do të qëndrojë i hapur seksioni i aplikimeve online. Njoftimi shoqërohet me një link që të çon tek udhëzimet e plotësimit të dhëna me detaj, që nga formati i fotografive që duhet e deri tek shmangia e çdo deklarimi të rreme. Për një deklarim të rremë u ndalua para pak ditësh në Ambasadën Amerikane një shtetas shqiptar. Ai kishte fituar lotarinë amerikane, por kishte gënjyer në lidhje me arsimin e mesëm, duke paraqitur një diplomë të falsifikuar.
Në tryezë me Ramën Kryeministër? Basha: Gati nëse procesi nis nga ndërkombëtarët
Lulzim Basha është i gatshëm që të ulet në tryezën e bisedimeve me Edi Ramën Kryeministër, por me kushtin që në të njëjtën tryezë të jetë edhe faktori ndërkombëtar. Këtë nënkuptoi kreu i PD-së në një intervistë dhënë për Ora Neës këtë të enjte. “Unë dhe PD kemi dhënë dakordësinë tonë për një proces politik të propozuar nga faktori ndërkombëtar që opozita do të jepte kontributin e saj për daljen nga kriza. Refuzuesi i kësaj ka qenë Edi Rama. Pak rëndësi ka ulja apo jo me Edi Ramën. Por, është ai që i trembet pranisë së faktorit ndërkombëtar, sepse i trembet gjykimit të pavarur të atyre që duan të mirën e Shqipërisë”, deklaroi Basha.
Negociatat, Leikert: Asnjë surprizë! Bundestagu do të votojë draftin e CDU/CSU
Bundestagu gjerman u mblodh këtë të enjte me kryetemë vendimmarrjen për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku nuk pritet asnjë surprizë dhe të zyrtarizohen qëndrimet e shprehura në rezolutën e CDU/CSU. Nënkryetarja e këtij grupi parlamentar në Bundestag, Katja Leikert u shpreh e sigurtë për këtë. Deputetja gjermane foli për DË, ku tha se Gjermania po shpërblen përparimin e bërë deri më tani nga të dy vendet kandidate. “Ka ende një rrugë të gjatë, e cila kërkon durim dhe reforma të mëtejme. Prandaj ne kemi përcaktuar qartë hapat e domosdoshëm që duhen ndjekur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”, thotë Leikert.
I nominuari hungarez për Zgjerimin nuk kalon vettingun e PE
I emëruari i Hungarisë për t’u zgjedhur Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Laszlo Trocsanyi nuk kaloi testin e pasurisë në Parlamentin Europian. EUObserver raporton se ish-ministri i Drejtësisë në Hungari nuk ka bindur komisionin e çështjeve ligjore në Parlamentin Europian mbi dyshimet e forta për konflikt interesi gjatë kohës që ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë në Hungari, si dhe për mospërputhjet në deklaratat e pasurisë. Në përfundim, ky komision ka vendosur që me shumicë votash ta rrëzojë emërimin e tij si Komisioner për Zgjerimin. Tani takon Presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen që të vendosë nëse do t’i kërkojë Hungarisë që të propozojë një emër tjetër për të njëjtin post, apo do të mirëpriten edhe kandidaturat nga vende të tjera.
KLP hap garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe anëtarët
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dhënë informacione në lidhje për të gjithë të interesuarit që duan të jenë pjesë apo kandidatë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Siç thuhet në njoftimin e KLP-së, duke pasur parasysh ritmin me të cilin po ecën procesi i Vettingut në sistemin e drejtësisë, shumë shpejt do të njoftohet krijimi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Më pas, KLP shpjegon se pas këtij çasti Këshilli do të emërojë Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe pas këtij procesi do të fillojë etapa e përzgjedhjes së Drejtuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
“Ata që janë të interesuar për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të BKH-së duhet t’i referohen ligjit ‘Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar’ (Ligji për SPAK-un), 2016”, thuhet në njoftimin e KLP-së. Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë në përbërje 60 hetues.
Qeveria jep 150 mijë euro për ekselentët që do studiojnë në SHBA
Qeveria shqiptare do të vendosë në dispozicion 150 mijë euro, për të gjithë studentët ekselentë, që do të përzgjidhen për të vijuar studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet programit “Fullbright”.
Vendimin e ka bërë me dije ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili i ndodhur në SHBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai është takuar me Asistent Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës, Marie Royce.
Mashtronte biznesmenët, Apeli ul dënimin për dentisten Olesia Duka
Gjykata e Apelit në Durrës ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg stomatologen Olesia Duka, e cila akuzohej për mashtrime në shuma të mëdha.
Stomatologia u dënua në mars të këtij viti me 10 vite heqje lirie, por pas apelimit asaj iu ulën 3 vjet e 4 muaj burg, ndërsa prokuroria ndaj saj kërkonte 15 vite burg.
Trupa gjykuese e Apelit përbëhej nga gjyqtarët Izet Dusha, Anita Mici dhe Arben Vrioni.
Olesia Duka ndodhet në burg prej 28 shkurtit 2018. Ajo rezulton të ketë mashtruar 14 persona, duke arritur t’u marrë atyre një shumë financiare që përllogaritet nga prokuroria në totalin e 3.033.532 eurove.
Pas Tiranës, lëkundet Stambolli. Panik në qytetin më të madh turk
Pas Tiranës, një tërmet me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter ka tronditur ditën e sotme Stambollin, duke shkaktuar kaos në qytetin më të madh të Turqisë.
Lëkundjet kanë sjellë panik midis banorëve, duke bërë që shumica prej tyre të dalin në rrugë.
Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave në Turqi tha në një deklaratë se tërmeti ra në Detin e Marmaras në orën 13:59 pasdite, në një thellësi prej 6.9 kilometrash.
Dëshmitarët thotë se ndërtesave në qytet u lëkundën gjatë tërmetit dhe thanë që disa zyra dhe shkolla ishin evakuuar përkohësisht.
Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu shkroi në llogarinë e tij në “Twitter” se nuk ka raporte të menjëhershme për dëme ose njerëz të lënduar.
Tërmeti raportohet të jetë ndjerë edhe në vendet fqinje. Të martën, një tërmet 4,6 ballë goditi gjithashtu Silivrin, një rreth i provincës së Stambollit.
Shuhet ish-presidenti francez, Zhak Shirak
Ish-presidenti francez Zhak Shirak ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 86 vjeçare.
Pavarësisht lajmeve kontradiktore mbi gjendjen e tij shëndetësore mësohet se ish presidenti vuante nga probleme neurologjike për shkak të një iktusi që e goditi në vitin 2005. Media franceze theksojnë po ashtu se Shirak vuante edhe nga sëmundja e Alzheimer-it. Ishin problemet shëndetësore dhe ato gjyqësore që shtynë Shirakun të tërhiqej nga jeta aktive politike.
Shirak shërbeu si kryetar i Bashkisë së Parisit për më shumë se 20 vjet dhe për dy mandate si kryeministër para se të bëhej President në vitin 1995, detyrë të cilën e mbajti për 12 vjet. Ai është i njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë të qeverisjes, duke u quajtur edhe “Buldozeri”.
Botërori përvëlues, ja si do të shuhet i nxehti në stadiumin e Dohas
Të premten nis në Katar Botërori i atletikës. Temperaturat janë parashikuar se do të shkojnë mbi 40 gradë dhe zgjidhja është gjetur me 3000 kondicionerë, që do ta mbajnë temperaturën nga 24 në 26 gradë. Parashikimet për ditën e parë të garave flasin qartë: temperatura më e ulët do të jetë 30 gradë, më e larta 38 gradë. Dhe do të jetë pak a shumë kështu gjatë gjithë aktivitetit, madje ndonjë ditë temperaturat do t’i kalojnë 40 gradë. Gjithsesi, në Doha nuk është një surprizë dhe organizatorët janë përgatitur për një Botëror përvëlues.
Për këtë arsye Botërori i atletikës zhvillohet në fund të muajit shtator dhe në fillim të tetorit. Garat zhvillohen gjatë pasdites dhe mbrëmjes. Edhe maratonat janë programuar të nisin në mes të natës, në orën 23:30 (ora lokale).

 

Më Shumë