Podcast

Audio-Lajme shkurt 8 janar 2020

Lideri i Iranit “kërcënon” Shqipërinë: Vend i vogël djallëzor, në shërbim të SHBA

Kërcënimet e Iranit ndaj SHBA kanë përfshirë edhe Shqipërinë. Media iraniane në gjuhën shqipe “Pars Today”, në një artikull të publikuar sot për fjalimin e liderit të Iranit, Ajetollah Khamenei, citon një deklaratë të tij që i referohet Shqipërisë dhe strehimit të muxhahedinëve në vendin tonë.

Khamenei duke folur mbi komplotet e Amerikës ka thënë: “Në çështjen e sigurisë, përpara ngjarjeve të muajit të kaluar në një vend të vogël dhe djallëzor evropian, një element i Amerikës me disa iranianë mercenarë dhe tradhtarë që kanë shitur atdheun e tyre, ka bërë programe kundër Iranit”.

Vrasja e gjeneralit/ Irani sulmon bazat amerikane në Irak: Vramë 80 “terroristë”

Deklaratat e Khameneit erdhën pas sulmeve në orën 1:20 të mëngjesit me kohën lokale, kur dhjetëra raketa nga Irani goditën bazat ushtarake të Ayn al-Asad dhe Erbil në Irak. Televizioni shtetëror iranian citon burime të informuara të Gardës Revolucionare se rreth 80 njerëz u vranë, dhe 200 të tjerë u plagosën, pas bastisjes.

Sipas Gardës Revolucionare, të paktën 15 raketa kanë goditur bazat amerikane, dhe asnjë prej tyre nuk është përgjuar nga ushtria amerikane.

Presidenti Trump u informua menjëherë për sulmet në vazhdim në Irak dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh në Shtëpinë e Bardhë.

Kosova dhe Shqipëria, thirrje qytetarëve të shmangin Iranin dhe Irakun

Bombardimi i dy bazave amerikane në Irak duket se ka alarmuar Kosovën dhe Shqipërinë, të cilat u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën e tensionit. Reagimi i parë erdhi nga Prishtina, e cila ka aktivizuar misionet diplomatike në Arabi Saudite, Turqi, Katar dhe Emirate të Bashkuara Arabe. Ndërkohë Shqipëria duket se ka aktivizuar Ambasadën në Turqi, e cila ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që punojnë apo jetojnë në Irak të kontaktojnë nëse kanë nevojë për ndihmë.

PD nxjerr tjetër kryebashkiak të dënuar

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë që të verifikojë kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, pasi rezulton se ka qenë i dënuar dhe dëbuar në Greqi. Sipas Bardhit, specifikohet se Qerim Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

Por ndaj këtyre akuzave ka reaguar kryebashkiaku i Mallakastrës, i cili deklaroi se nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar nga Greqia, edhe pse figuron që ka jetuar prej vitesh si emigrant në Athinë.

Dosja e 613 kg kokainë, Arbër Çekaj “kërcënon” prokurorin e SPAK

Në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të mërkurë seanca e parë ndaj Arbër Çekajt, pronari i kompanisë “Arbri Garden”, në magazinat e të cilës u zbuluan 613 kilogramë kokainë në aksionin e bujshëm të Policisë së Shtetit të ndërmarrë në shkurt të 2018-ës. Dosja ndaj Çekajt ka kaluar tek SPAK-u, ku prokuror i saj është Edvin Kondilli, që ishte edhe mes kandidaturave për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme. Në këtë seancë, Arbër Çekaj akuzoi prokurorin se kishte manipuluar dhe bërë publike materiale të dosjes që i kanë vënë në rrezik jetën e familjes, se e kishte personale me të për shkak të vendit të origjinës, madje tërthorazi edhe e kërcënoi atë. Unë nuk dua ta lëndojë as prokurorin dhe as familjen e tij. Ai ka nxjerrë të dhëna të tjera dhe emra që kanë rrezikuar jetën e familjarëve të mi. Unë nuk do e bëja kurrë këtë për familjen e prokurorit”, deklaroi Çekaj në seancën gjyqësore.

Shtyhet seanca në KPA për prokurorin Besnik Cani

Shtyhet seanca dëgjimore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për prokurorin Besnik Cani. Seanca është shtyrë në datën 20 janar.

Besnik Cani, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka kërkuar shtyrje të seancës pasi do që të jetë i pranishëm mbrojtësi i tij, Eduart Halimi.

Ndërkohë në seancë ishte edhe një nga anëtarët e KLP, Sandër Beci.

Prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë më 27 nëntor 2018. Dy javë më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Moti i ftohtë do të na shoqërojë deri ditën e enjte

Vendi ynë vazhdon të jetë në ndikimin e masave ajrore të ftohta dhe të thata kontinentale, të cilat po mbajnë mot shumë të ftohtë dhe pa reshje. Temperaturat sot kanë regjistruar vlera shumë të ulëta -8 në Gjirokastër, -3 në Tiranë, -1 në Vlorë.

Gradualisht, gjatë ditës do të kemi rritje të temperaturave, duke u luhatur nga 5 gradë në veri deri në 13 gradë në bregdet.

Moti i ftohtë do të na shoqërojë deri ditën e enjte, ku mëngjesi dhe mbrëmja do të jenë me temperatura të ulëta.

Ditën e premte dhe gjatë fundjavës moti do të ndryshojë, duke u afruar masa ajri më të ngrohta mesdhetare, duke sjellë vranësira në zonën perëndimore dhe reshje të pakta shiu në zonat malore.

Temperaturat do të jenë me rritje të konsiderueshme si në mëngjes, por edhe gjatë mesditës, duke arritur në vlerat deri në 17 gradë celsius në bregdet!

Marash Kumbulla tek Interi në verë, zikaltrit ia rrëmbejnë Juves e Napolit

Marash Kumbulla është një premtim i madh për Kombëtaren e Shqipërisë. Ai është një nga sekretet e ecurisë së mirë të Veronës në kampionat dhe sigurisht që nuk do t’i shpëtonte syrit të klubeve më të mëdha italiane. Trajneri Juriç e vlerëson shumë dhe i ka besuar fanellën e titullarit 19-vjeçarit shkodran, ndërsa drejtori sportiv, Toni D’Amiko, e konsideroi të pashitshëm në verë. Por Verona me siguri do ta humbë shpejt mbrojtësin shqiptar. Kumbulla do të lërë Veronën në verë. Sipas “Sky Sport”, mbrojtësi kuqezi është prenotuar nga Interi, skuadër që duket se parapëlqehet nga vetë lojtari. Drejtuesit e klubit zikaltër kanë lëvizur dhe kanë e bllokuar mbrojtësin për sezonin e ardhshëm. Mjaft elegant dhe me shumë personalitet, edhe pse është vetëm 19 vjeç, Kumbulla është tentuar më parë edhe nga Juventusi dhe Napoli, por Interi ka bërë lëvizje konkrete, duke garantuar kështu transferimin e futbollistit të talentuar në verë.

Më Shumë