Kosova

Hovenier: SHBA-ja mendon se ka ardhur koha të ecet përpara me Asociacionin

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, të mërkurën(1 shkurt) ka thënë se është koha që të ecet përpara me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Komentet i bëri gjatë një vizite në Gjakovë.

“Dy orë pas takimit kam dhënë një deklaratë për shtyp, dhe aty e kam shprehur dhe këndvështrimin tonë se si ka shkuar takimi i djeshëm. Mendoj që ka qenë një mundësi e rëndësishme për një shkëmbim të plotë të ideve. SHBA-ja mendon që tani ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të ecë përpara me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Nuk duhet të jetë ‘republikë serbe’ dhe jo me kompetenca ekzekutive”, deklaroi Hovenier.

Ndërsa, kryetari Ardian Gjini tha se Gjakova e Kosova e gëzojnë mbështetjen e Amerikës.

“Gjakova po edhe e gjithë Kosova e ka gëzuar një mbështetje të jashtëzakonshme që pak popuj në botë e kanë gëzu prej SHBA-së, që prej kohës së luftës e menjëherë pas luftës kur e kemi rindërtuar gjithë qytetin e djegur, e kemi bërë me ndihmën e SHBA-së”, ka thënë Gjini.

Ditën e djeshme në Ambasadën Amerikane në Prishtinë u mbajt një takim në të cilën u diskutua për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Edhe pse disa zyrtarë të SHBA-ve tashmë e kanë thënë këtë, dëshiroj që sërish të qartësoj qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Nuk mbështesim asnjë marrëveshjem që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës. Kundërshtojmë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i ngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”, - deklaroi Hovenier.

Ai thekson se pret që Kosova të përmbushë detyrimet e saj përballë plotësimit të kërkesave të ndërkombëtarëve si përmbushje të marrëveshjeve me Serbinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë