Kosova

Hovenier: Integrimi evropian dhe euroatlantik i Kosovës, urgjencë e qartë

Nga Gazeta 'Si' - Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se për Kosovën është e qartë urgjenca për integrim evropian dhe euroatlantik dhe se kjo nënkupton siguri, prosperitet dhe demokraci për popullin e saj.

“Integrimi i saj është thelbësor edhe për arritur sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, tha Hovenier.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 2022 dhe është vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që ende nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat.

Duke folur në një ngjarje në Prishtinë për shënimin e 25-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi, Hovenier tha se SHBA-ja e sheh stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si një premtim të rëndësishëm që duhet të përmbushet, posaçërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia e Vladimir Putinit.

“Njëzet e pesë vjet më parë, NATO-ja veproi për ta çuar përpara një vizion për një Evropë të lirë dhe paqësore. Edhe sot ne po punojmë për ta arritur këtë”, tha Hovenier duke folur në ngjarjen e organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit.

Hovenier ua bëri të qartë autoriteteve kosovare, megjithatë, se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Posaçërisht, përmes mirëbesimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve që Kosova i ka arritur përmes dialogut”, tha ai.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore në fillim të vitit 2023.

Por, BE-ja, e cila e ndërmjetëson dialogun mes tyre nga viti 2011, ka thënë se marrëveshja nuk është duke u zbatuar, megjithëse është detyruese për palët.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Qeverisë së tanishme kosovare kanë arritur pikën më të ulët në fillim të këtij viti, kur autoritetet kosovare vendosën ta ndalojnë përdorimin e dinarit serb në Kosovë për pagesa me para të gatshme përmes një rregulloreje të Bankës Qendrore, e cila nga 1 shkurti e përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë