Sociale

Hoti paralajmëron masa për laboratorët që keqpërdorin situatën e pandemisë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar këtë të diel pas disa ankesave të qytetarëve, se në një laborator privat të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për një test [PCR] për COVID-19 kanë paguar 200 euro.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, kryeministri Hoti ka thënë se "situata e pandemisë nuk guxon të përdoret për përfitime jashtë normave të ekonomisë së tregut".
Ai ka thënë se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është në krye të detyrës dhe do të zbatojë ligjin shpejt.

https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/3593802467347748

Në anën tjetër, pas këtij reagimi, kryetari i Autoritetet Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se institucioni që drejton po monitoron me kujdes procesin dhe posedon listën e çmimeve të secilit laborator të licensuar.
Sipas tij, nëse laboratori për të cilin ka pasur ankesa ka vendosur çmimin 200 euro për testin PCR dhe ka deklaruar një çmim tjetër në AKK, ky laborator potencialisht ka bërë shkelje.

https://www.facebook.com/valonpress3/posts/10217142999106994

Më 10 gusht, Ministria e Shëndetësisë ka nisur lëshimin e licencave për institucionet private shëndetësore që ato të kryejnë teste për COVID-19. Më parë, këtë shërbim e kryente vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Marrë parasysh njoftimin e fundit, në gjithë territorin e Kosovës deri më tani janë licencuar 118 laboratorë për kryerje të testeve serologjike dhe virologjike për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Testi virologjik me metodën PCR tregon nëse virusi është aktiv, duke analizuar tamponët nga hunda dhe fyti.
Kurse, përmes testeve serologjike, qytetarët mund të mësojnë nëse e kanë tejkaluar koronavirusin dhe nëse kanë krijuar antitrupa kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton ky virus. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë