Kosova

Hoti: Nuk kam dhënë dorëheqjen. Zgjedhim presidentin ose shkojmë në zgjedhje

Pas një sërë raportesh mediatike se kryeministri i Kosovës  do të japë dorëheqjen, Avdullah Hoti deklaroi se lajmet nuk janë të vërteta.

Kosova ndodhet në një situatë të tensionuar politike për shkak të zgjedhjes se presidentit të ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqjen në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte.

Ushtruesja e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.

Partnerët e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat) kanë edhe pesë muaj kohë për për zgjedhjen e një kandidati të përbashkët për presidentin e ri.

Kryeministri Hoti, tha se partitë parlamentare kanë dy opsione: të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve.

“Kryeministri Hoti ka dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime, arritja e marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në komunikatën e kreyeministrisë. “Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion”, thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë