Politike

Hoti merr çelësat e Kryeministrisë, Albin Kurti nuk e pret

Kryeministri i sapoemëruar i Kosovës, Avdullah Hoti mori zyrtarisht detyrën mëngjesin e kësaj të enjte, një ditë pas marrjes së votëbesimit në Parlament. Hotit iu dorëzuan çelësat e Kryeministrisë në ceremoninë zyrtare ku mungoi Albin Kurti dhe në vend të tij u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Fitim Krasniqi.

Hoti prezantoi në Kuvend përbërjen e re të kabinetit qeveritar. Ashtu sic pritej, LDK-ja kërkoi të rivendosë në krye të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, ministrin që u shkarkua nga Kurti dhe u kthye në “mollë e sherrit” që përcau LDK-në dhe Vetëvedosjen. Për herë të parë në ekzekutiv do të jetë deputeti Driton Selmanaj të cilit i është besuar posti i zëvendëskryeministrit si dhe deputeti Armend Zemaj që i është besuar dikasteri i Ministrisë së Shëndetësisë. Qeveria Hoti do të ketë 4 zv.kryeministra dhe 16 ministra, dy më shumë se sa qeveria Kurti.

Besnik Tahiri i AAK-së do të jetë zëvendëskryeministri i parë, ndërsa Driton Selmaj zëvendëskryeministri i dytë. E treta zv.kryeministre është Albulena Balaj-Halimaj nga Nisma Socialdemokrate. Goran Rakiq i Listës Srpska do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal.

Përbërja e kabinetit "Hoti"

Vetëvendosje dhe Albin Kurti e cilësojnë të paligjshme Qeverinë Hoti, të cilën kreu i VV-së e quan “Qeveria Koti”.

Ai ka premtuar protestë ditën e premte dhe thotë se votimi i së mërkurës në Parlament ishte antikushtetues dhe akuzon Presidentin Hashim Thaçi se ka ndërhyrë për të bindur një deputet që të votojë pro Qeverisë së re.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish këtë të enjte, ku mes pikave që do të diskutohen është edhe ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, ku PDK dhe LDK akuzojnë Albin Kurtin se ka marrë vendime antikushtetuese, duke refuzuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë