Kosova

Hoti dhe Vuçiç përballen virtualisht me njëri-tjetrin

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç do të përballen sot virtualisht me njëri-tjetrin në Samitin e Sigurisë së Beogradit. Bisedimet që kanë mbetur pezull pas një sërë takimesh në Bruksel, pasi Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e tyre me zbatimin e marrëveshjen e Asociacionit të Komunave Serbe, e cila kërkon mes të tjerash edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Dy udhëheqësit do të bisedojnë virtualisht edhe me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili i kërkoi disa ditë më parë Prishtinës të përgatitej për ndryshime kushtetuese, një kërkesë që u hodh më pas poshtë nga BE-ja, e cila tha se Lajcak ishte keqkuptuar.

Ka një kohë që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është bllokuar për shkak të çështjes së Asociacionit. Deri më tani, palët nuk janë duke pranuar që të kthehen në tavolinë të bisedimeve, pasi Serbia është duke kërkuar kompetenca ekzekutive për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Nga ana e tij, Bashkimi Europian thotë se ende nuk e di se kur do të ketë një takim ballë për ballë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

I pyetur se kur mund të ndodhë takimi i radhës, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka thënë se “puna e Lajçak dhe ekipit të tij po vazhdon dhe është një punë e ngjeshur.

Zëdhënësi i BE-së nuk ka dashur të komentojë as takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të cilin u diskutua rreth dialogut dhe situatës në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë