Tokio 2020

Homazh për viktimiat e pandemisë në ceremoni, Franca nderon mjekët, Rusia pa flamur

Një minutë heshtje me të gjithë të pranishmit në këmbë, përfshirë edhe perandorin Naruhito dhe presidentin e CIO-s, Thomas Bach, në stadiumin olimpik të Tokios, në nderim të viktimave që ka shkaktuar pandemia e Koronavirusit. Ishte pjesa e nisjes së cerimonisë, kur u kujtua pandemia, - me personazhe të veshur me të bardha, mjekë, infermierë, pacientë, - dhe momentet më daramtike. Spikeri më pas i ftoi të gjithë të ngriheshin në këmbë në kujtim të viktimave.

Një zgjedhje e bukur ishte ajo e delegacionit francez, që kishte menduar për të nderuar mjekët dhe infermierët, duke veshur një uniformë të ngjashme me të tyre gjatë parakalimit. Një ide origjinale për të nderuar ata që kanë pasur detyrën më të vështirë gjatë pandemisë.

Sportistët rusë. Gazeta Si, 23 korrik 2021

Rusia ka parakaluar në ceremoni pa flamurin e saj, por me një flamur të zgjedhur nga Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, për shkak të çështjes që lidhet me dopingun. Ka bërë përshtypje ndërkohë parakalimi i Taxhikistanit dhe Kirgistanit, pjesëtarët e të cilëve kanë parakaluar pa maskë.

Delegacioni më i madh që parakaloi në ceremoninë e hapjes së Tokio 2020 ishte ai i Kinës, me 400 sportistë. Është pikërisht Kina që do të presë më pas Lojërat Olimpike Dimërore në shkurt të 2022-shit. Shqipëria parakaloi në ceremoni me 9 sportistë dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit.

Gjatë zhvillimit të ceremonisë, jashtë stadiumit ka pasur protesta kundër Lojërave Olimpike, që po zhvillohen me dyer tëmbyllura. Rreth 100 manifestues protestuan për faktin që Olimpiada po zhvillohet, pavarësisht se numri i rasteve të reja të të infektuarve nga Covid-19 është shtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë