Futboll

Holandezët, apel për tifozët: Kujdes nga burgu në Tiranë!

Gazeta Si - Tifozët e parë të Fejnordit kanë mbëritur tashmë në Tiranë. Pjesa më e madhe e tyre do të mbërrijnë sot, ashtu si dhe ata të Romës, skuadrës tjetër finaliste të Ligës së Konferencës.

Para nisjes nga Holanda tifozët kanë marrë disa udhëzime nga autoritet përkatëse në vendin e tyre. Atyre u është bërë me dije se në Shqipëri ka ligje të ashpra dhe se tifozët rrezikojnë burgun, nëse i shkelin ato.

Sipas gazetës “De Telegraaf”, Ministria e Punëve të Jashtme Holandeze (BUZA) ka dhënë paralajmërime të qarta për tifozët që do të udhëtojnë drejt Tiranës. Me një njoftim zyrtar ajo apelon për të mos përdorur drogë dhe për të mos ushtruar dhunë.

Tifozë të Fejnordit gjatë një ndeshjeje. Gazeta Si, 23 maj 2022

“Autoritetet në Tiranë po bëjnë kontrolle në lidhje me përdorimin e drogës, dhunën dhe lëndët plasëse. Janë shkelje që dënohen deri në tri vjet burg. Rrezik burgu ka edhe për ata që prishin rendin publik”, - shkruhet në njoftim.

Në artikull shkruhet se janë dhënë udhëzime edhe për mënyrën e pagesës në Tiranë, me euro dhe lekë. Tifozët holandezë këshillohen të marrin euro me vete, sepse mund t’i gjejnë automatët bosh.

Një tjetër udhëzim për tifozët e Fejnordit është që ata të kenë shumë kujdes në Shqipëri, sepse mund të vidhen.

Tifozët e Romës ndërkohë kanë më shumë informacion për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ata mund të vijnë më të përgatitur në Tiranë, ku do të gjejnë një atmosferë pozitive në fakt, sepse shumica e shqiptarëve do të jenë me Romën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë