Futboll

Holanda hakmerret në Hamburg, thyen Gjermaninë dhe arbitrin

Fitore me zemër e Holandës në Hamburg, ku “tulipanët” kanë marrë hak për humbjen 2-3 në Amsterdam pak muaj më parë. Holandezët kanë triumfuar 2-4 në këtë ndeshje, ku një humbje e mundshme do t’ua komplikonte shumë pozitat dhe shanset e kualifikimit për në Euro 2020. Por përveç kundërshtarit, Holanda mundi edhe arbitrat, të cilët u bënë protagonist në golin e barazimit 2-2 të Gjermanisë me një penallti absurde.

Gjermania kaloi e para në avantazh me sulmuesin e Bajernit, Gnabri, i cili zhbllokoi shifrat pas 9 minutash. Përmbysja e Holandës erdhi në pjesën e dytë, kur De Jong barazoi me një veprim shumë të bukur teknik, ndërsa pas tij ishte mbrojtësi Tah ai që shkaktoi autogol në portën e Nojerit. Protagonist pas këtij momenti u bë arbitri portugez Soares Diza, i cili akordoi një penallti shumë të diskutueshme për Gjermaninë, pas një prekjeje të pavullnetshme të topit me dorë nga De Ligt në zonë.

Megjithatë, Holanda nuk u dorëzua dhe më pas shënoi edhe dy gola të tjerë, i pari me sulmuesin e ri Malen dhe i dyti me Uijnaldum në minutën e parë shtesë. Një fitore plotësisht e merituar e skuadrës së trajnerit Kuman, që ngjitet në kuotën e 6 pikëve, pas 3 ndeshjesh, duke shtuar shanset e kualifikimit. Tani pret të përfitojë nga përplasja mes Gjermanisë dhe Irlandës së Veriut ditën e hënë për të shkurtuar edhe më shumë diferencën me kreun e renditjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë