Kombetarja

Historiku/ San Marino-Shqipëri, kuqezinjtë përballë ekipit më të dobët

Kombëtarja shqiptare do të luajë sot ndeshjen e tretë në eliminatoret për Botërorin 2022. Kuqezinjtë do të kenë përballë në transfertë rivalin më modest në botë, San Marinon. Një vend me sipërfaqe prej 61.2 km katrorë dhe me një popullsi prej 33 e 600 banorë, në territorin lindor të Italisë, San Marino është shteti i pestë më i vogël në botë.

Të pozicionuar në vendin e fundit të renditjes së FIFA-s (210), në 171 ndeshje zyrtare të luajtura në total, San Marino ka regjistruar 7 rezultate pozitive, ku fitorja e vetme në histori është ajo e 28 prillit 2004, në miqësoren përballë Lihtenshtejnit.  Në histori ka pësuar afro 740 gola, duke shënuar vetëm 24 herë. Futbollistët e San Marinos janë kryesisht amatorë, të cilët gjatë ditës punojnë si bankierë, dentistë apo llogaritarë. Ata stërviten së bashku vetëm një herë në javë. Në historikun e ndeshjeve të kombëtares, San Marino ka marrë dy barazime gjatë fushatave kualifikuese të Botërorit, 0-0 më 1993 ndaj Turqisë në shtëpi dhe 1-1 kundër Letonisë në transfertë në vitin 2001.Më vonë janë 3 barazime kualifikuese Europiani dhe në Ligën e kombeve, të 3 në barazim pa gola, kundër skuadrave modeste Estoni, Lihtenshtejn dhe Gjibraltar.  Edhe në dy ndeshjet e para të këtyre eliminatoreve, San Marino nuk shënoi asnjë gol, ndërsa ka pësuar tetë të tillë. 

Përballja me San Marinon do të jetë e para për Shqipërinë në ndeshjet zyrtare. Me San Marinon vetëm dy miqësore, por që vlejnë po aq fitore me vetëm një rezultat: 3-0. Kështu, kundër tyre kemi bilancin e vetëm me portën të paprekur, traditë që presim të vazhdojë edhe gjatë rrugëtimit për në Katar 2022. Gjatë vitit 2020 në program ishte për tu luajtur edhe një tjetër miqësore, por u anulua për shkak të pandemisë. Gjyqtari i përballjes do të jetë një norvegjez, Kai Erik Steen, arbitër i nivelit mesatar, që në sezonin e shkuar ka arritur të vërë drejtësi deri në kualifikueset e Europa League. Në këtë sezon ai ka gjykuar Kosovën në barazimin 1-1 në Moldavi.

Një sukses i pritshëm ndaj San Marinos, ngjit Shqipërinë në kuotën e gjashtë pikëve, çka provizorisht mund të ishte e treta në grup, duke e marrë si fakt të kryer fitoren e Hungarisë me Andorrën dhe që Polonia nuk fiton në Angli. Megjithatë, çdo barazim i rivalëve është në favor të kuqezinjve, por gjithnjë duke bërë detyrën ndaj San Marinos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë