Futboll

Historike për Ajaksin, firmos barazinë kontraktuale meshkuj-femra

Ajaksi konfirmohet si një nga klubet e para në botë që është i gatshëm për të bërë ndryshimet e mëdha në futboll. Klubi i madh holandez ka firmosur së fundi akordin për barazi kontraktuale mes futbollistëve dhe futbollisteve që ka të federuar. Është klubi i parë në botë që bën këtë hap të rëndësishëm për të ndihmuar futbollin e femrave.

“Eurosport” bën me dije se Edvin van der Sar, drejtori i përgjithshëm i Ajaksit, dhe Ko Andriesen, drejtori i sindikatës “ProProf”, kanë firmosur një kontratë që parashikon kushte të njëjta në kontratë, që nga paga minimale, ditët e pushimit, sigurimi shëndetësor dhe dhënia e pagës në rast dëmtimesh të rënda, që sjellin periudha të gjata jashtë fushe.

Dafne Koster, përgjegjëse e sektorit të femrave tek Ajaksi

Dafne Koster, përgjegjëse e sektorit të femrave të Ajaksit, e ka komentuar këtë vendim historik me mjaft entuziazëm: “Me këtë akord kolektiv mund të bëjmë një tjetër hap përpara drejt profesionalizmit. Shpresoj që edhe klube të tjera të ndjekin shembullin tonë. Deri tani mund të firmosnim vetëm kontrata me kohëzgjatje maksimale dy vjet, ndërsa një futbolliste e federuar mund të largohej edhe në gjysmë të sezonit. Akordi i fundit i ndryshon krejtësisht gjërat”, - tha Koster.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë