Futboll

Historike, një shqiptar në krye të Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut

Për herë të parë Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut do të drejtohet nga një shqiptar. Muhamed Sejdini është zgjedhur në krye të këtij institucioni, pas zgjedhjeve të zhvilluara mbrëmjen e së dielës në qytetin e Ohrit.

Sejdini ka fituar me 82 vota pro, 8 kundër dhe 6 anëtarë nuk morën pjesë në këto zgjedhje. Sejdini në fakt nuk kishte rival në këtë garë, pasi garoi i vetëm dhe nuk ishin të pakta kontestimet e disa anëtarëve me të drejtë vote në këshillin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Pozicioni i presidentit të kësaj federate ishte vakant prej më shumë se 1 vit, që nga koha e dorëheqjes së Ilco Gjorgjioskit. Sejdini kishte qenë për 5 vite zëvendësi i presidentit të Federatës dhe nga shumë shikohej si njeriu që mund të drejtonte futbollin e vendit fqinj.

Pas zyrtarizimit të zgjedhjes së tij në krye të federatës së futbollit në Maqedoninë e Veriut, në adresë të Sejdinit ka shkuar edhe urimi nga presidenti i FSHF-së, Armando Duka. “Të nderuar miq, dua të ndaj me ju gëzimin dhe kënaqësinë time dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për zgjedhjen në krye të Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriore të mikut tim Muhamed Sejdini. Kam besim të plotë se ky besim i dhënë për kolegun Sejdini do të ndihmojë në rritjen e mëtejshme të lëvizjes futbollistike në vendin fqinj,”- shkruan Duka ndër të tjera në mesazhin e tij të urimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë