Futboll

Historike në Francë! Një femër do të arbitrojë në futbollin elitar

Stefani Frapart do të drejtojë ndeshjen Amiens-Strasburg, e programuar për t’u luajtur ditën e diel, në orën 15:00. Për herë të parë në historinë e futbollit francez, një ndeshje e kampionatit elitar do të arbitrohet nga një femër.

Nuk kishte ndodhur më parë që në 87 vite histori të futbollit francez të arbitronte një femër. Të dielën do të jetë Frapart në fushë për të drejtuar një ndeshje të nivelit më të lartë të futbollit në Francë. Fati i ka takuar asaj të hyjë në histori, pasi sektori i arbitrave i ka besuar ndeshjen Amiens-Strasburg. Një risi sa u takon kampionateve më të rëndësishëm në Europë. Vetëm në Gjermani arbitron një femër prej disa sezonesh, Bibiana Steinhaus.

Një ndryshim historik për Francën, edhe pse 35-vjeçarja vjen në kampionatin elitar pasi ka drejtuar në Ligue 2 që prej vitit 2014, ka arbitruar në Botërorin e 2015-ës për femra, në Olimpiadën e 2016-ës, në Europianin e femrave të vitit 2017, si dhe në Botërorin U-20 të femrave të vitit të kaluar. Një ngritje konstante profesionale, që kulmon tashmë me arbitrimin në kampionatin francez. Promovimi i Stefani Frapart nga Federata e Francës lidhet edhe me Botërorin e femrave që do të organizohet pikërisht në Francë, duke nisur nga data 7 qershor.

 

Më Shumë